Britania e Madhe ka kërkuar nga Serbia që t’i lirojë menjëherë tre policët e Kosovës, të cilët u rrëmbyen nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.
“Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës, të ndaluar më 14 qershor”, thuhet në reagimin e tyre.
Ata kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia “që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, t’i shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për t’i ulur tensionet”.
Britania ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që kryetarët e komunave të veriut t’i kryejnë detyrat në objekte alternative dhe jo në ndërtesat komunale, teksa po ashtu kanë bërë kërkesë që njësitet speciale të Policisë së Kosovës, të tërhiqen nga ndërtesat e komunave.
“Ne përsërisim thirrjet tona për kryeministrin Kurti dhe qeverinë e tij që të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të komunave të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe që njësitet speciale të policisë të tërhiqen nga ndërtesat komunale”, thuhet në njoftim.
Në reagimin e tyre thuhet se zgjedhjet e reja komunale për katër komunat duhet të shpallen sa më shpejt.
“Zgjedhjet e reja gjithëpërfshirëse duhet të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur. Ne presim dhe inkurajojmë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në këto zgjedhje”, thuhet në reagim.
Tutje, në reagim thuhet se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen në dialog, teksa kanë kërkuar nga Kosova që pa vonesa ta themelojë Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.
Ndryshe, edhe ShBA ka kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës.
Kurse, KFOR-i ende nuk ka dalë me deklaratë zyrtare për të treguar se ku janë rrëmbyer policët. Ata vetëm kanë thënë se janë në komunikim me të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë.
Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga KFOR-i të marrë më shumë përgjegjësi dhe të tregojë se në cilin vend janë rrëmbyer policët.