in

Bota nderon Mbretëreshën Elizabeth II

Liderët botërorë dhe qytetarët në mbarë botën kanë nderuar Mbretëreshën Elizabeth II, e cila vdiq të enjten në moshën 96-vjeçare.

Mijëra njerëz u mblodhën të enjten mbrëma në Londër afër Pallatit Bakingam, duke vendosur kurora lulesh pranë dyerve të pallatit.

Skena të ngjashme u panë edhe pranë shtëpisë së Mbretëreshës në Kështjellën Uindsor dhe kështjellat gjetkë në Mbretërinë e Bashkuar, për të nderuar monarken që qëndroi në fron për 70 vjet.

Flamujt u ulën në gjysmë shtizë në mbarë botë, përfshirë në Uashington, Berlin, e Bruksel, ndërkaq në Paris Kulla Ajfell fiku drita në mesnatë në nderim të Mbretëreshës.

Liderët botërorë çmuan lartë kontributin e Mbretëreshës Elizabeth, qëndrueshmërinë dhe sensin e saj të humorit.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se ajo ishte “një mbretëreshë me zemër të mirë” dhe një “mike e Francës”.

Presidentët amerikanë kujtojnë Mbretëreshën

Presidenti amerikan, Joe Biden, – që për herë të parë takoi Mbretëreshën 40 vjet më parë – tha se ajo ishte “më shumë se një monarke – ajo definoi një epokë”.

Duke kujtuar vizitën e tij më 2021 në Mbretërinë e Bashkuar, Biden tha se ai “na magjepsi me zgjuarsinë e saj, na emocionoi me mirësinë dhe ndau me ne mençurinë e saj”.

Mbretëresha Elizabeth II gjatë mbretërimit të saj kishte takuar 13 presidentë të SHBA-së.

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, tha se Mbretëresha “magjepsi botën” me “mbretërimin e saj me mirësi, elegancë dhe me një punë të palodhur etike”.

Edhe ish-lideri amerikan, Donald Trump, tha se “nuk do të harroj kurrë miqësinë e saj, mençurinë dhe sensin e mrekullueshëm të humorit”.

“Çfarë zonje madhështore dhe e bukur ishte ajo – nuk kishte asnjë si ajo”, tha Trump në platformën e tij online, Truth Social.

Ish-udhëheqësi tjetër amerikan, George W Bush, reflektoi për takimin e tij me Mbretëreshën dhe qentë e saj korgi. Ai e përshkroi Mbretëreshën si njeri “me intelekt të mardh, hijeshi dhe zgjuarsi”.

Në Kanada – ku Mbretëresha Elizabeth ishte kryetare shteti – kryeministri kanadez, Justin Trudeau, tha se ajo kishte “një dashuri të madhe për kanadezët”.

“Në një botë komplekse, vendosmëria dhe qëndrueshmëria e saj solli rehati për të gjithë ne”, tha ai, duke shtuar se do t’i mungojnë bisedat me të.

“Ajo ishte një ndër njerëzit e mi më të preferuar në botë dhe do të më mungoj”, tha Trudeau teksa mbante lotët.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se “përkushtimi i saj për pajtimin gjermano-britanik pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore do të mbetet i paharruar”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, që ka takuar Mbretëreshën disa herë, i shprehu “ngushëllimet më të thella” Mbretit Charles III, trashëgimtarit të fronit britanik.

“Ngjarjet më të rëndësishme në historinë e re të Mbretërisë së Bashkuar janë të lidhura me emrin e Mbretëreshës. Për shumë dekada, Mbretëresha gëzoi dashuri dhe respekt, por edhe autoritet në skenën botërore”, shkroi Putin.

Lini një Përgjigje

Mbërrin anija për prodhimin e energjisë në Vlorë, qytetarët dalin në protestë

Rasha nemanjane – kështjella e fundit e Bizantit Ilirik (2)