Ditë shumë të lumtur e ka cilësuar Përfaqësuesi i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, arritjen e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë, për hyrje/ dalje në të dyja vendet.
Përveç me postim në twitter, ai edhe me një video-mesazh, ka përgëzuar Kosovën e Serbinë, përkatësisht kryeministrin Albin Kurti e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për siç ka thënë ai, lidership të treguar.
Duke risjellë në vëmendje përpjekjen e javëve të fundit të BE-së nëpërmjet emisarit Miroslav Lajçak por edhe atij amerikan, Gabriel Escobar, Borrell tha se BE-ja ka shumë probleme, në këtë kohë të luftës në Ukrainë dhe se një tjetër më shumë nuk i duhet në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor.
Ai shprehu besimin se me këtë lidership të treguar nga Kurti e Vuçiq, do të gjendet edhe marrëveshja për targat e automjeteve.
Duke treguar se tashmë me këtë marrëveshje, shtetasit e Kosovës dhe Serbisë që bartin letërnjoftime të shteteve respektive, do të kalojnë lirshëm në kufijtë e të dy vendeve pa pasur nevojë për dokumente shtesë, Borrell u shpreh se është bërë një punë e shkëlqyer.