in

Bisedë me Preç Zogajn

-Që prej viteve ’70-të e këtej vihet re trajtimi i ri i temës së dashurisë.Çfarë vendi zë ajo në poezinë tonë lirike?

-Para se të shkojmë te ajo që ju e cilësoni “ trajtim i ri i temës së dashurisë”, që më duket një pohim i saktë, do doja të sjellim në vemendje një dukuri, në pamje të parë të natyrës quantitative, të poezisë së dashurisë gjatë periudhës që përmendni. Kjo temë fiton më shumë vëmendje dhe është më shumë e pranishme në poezinë e poetëve më të mirë të asaj periudhe. Duket paradoksale që pikërisht në kohën e letërsisë së kontrolluar, poetët shqiptarë i japin më shumë hapësirë dhe “qytetari” poezisë së dashurisë. Janë këto poezi që bëjnë diferencën dhe udhëheqin përshtypjen e lexuesit drejt të kuptuarit e poezisë si një gjini që ka lindur dhe ekziston kryesisht sepse është e vetmja që mund të shprehet me metafora për dashurinë dhe vdekjen, siç thotë Tomas Eliot. Besoj se kjo hapje e re ndaj temës së temave, është ndikur ndër të tjera edhe nga poezia moderne e shekullit të njezetë me të cilën autorët shqiptarë u vunë në kontakt në mënyra të ndryshme, legale dhe ilegale. Poetët e brezit tim e gjetën të hapur ketë rrugë. Poezia moderne ka ndikuar edhe qasjet e reja, trajtimet e reja, mënyrat e reja të shprehjes dhe këtu kam parasysh ndërthurjen e një etike të adhurimit me përfshirjen emocionale të subjektit krijues, daljen nga modulet tradicionale të vjershërimit drejt një gjuhe, që është më bisedimore dhe më intelektuale njëkohësisht, një simbiozë e fjalës me muzikën, një “ muzikë e bisedimit”, siç thotë Oktavio Paz.

-A mund të themi se sa poetë lirikë ka, aq janë dhe dashuritë, apo se ka aq dashuri sa karaktere njerëzore.

-Ka më shumë dashuri se poetë lirikë. Miliona dashuri mbesin të pashkruara, secila prej tyre ka diçka unike të përsδritshme . Kjo është e natyrshme. Por poezisë nuk i mjafton dashuria. Është e bukura që godet, është poeti si i tillë me predispozitat, talentin, përvojën dhe dijet e tij, janë mjetet shprehëse që ai zotëron, pra është një shumësi e vetme elelemtësh që i japin jetë krijimit poetik.

-Cili e luan rolin kryesor: pasioni apo karakteri i heroit lirik të poezisë?

-Janë një tandem. Por nëse do të duhej t’i rendisja, nisur nga përvoja ime, unë vë të parin karakterin. Poezia është çfarë mbetet nga një përjetim, një ngjarje, një histori . Në fakt poezia shkruhet “më vonë”.

-Një nga perceptimet e botëkuptimit të ri, sipas Bergsonit, është dhe problemi i zgjedhjes dhe i zgjidhjes së lirë.Sa ndikon sistemi i globalizmit në raportet intime që pasqyroni në lirikën tuaj?

-Nuk mund ti shpëtojmë ndikimit të botës, qoftë globaliste, qoftë një shartim i së tërës me partikularitetet. Dhe nuk ka përse t’i shpëtojmë. Nuk duhet t’i shpëtojmë. Kur kam lexuar Safon, mijëvjeçarët që më ndanin prej saj më janë dukur asgjë. Po ashtu, kur kam lexuar Utmanin, Amerika që kisha parë vetëm në hartë më është dukur se fillonte në shkallët e shtëpisë sime në Manati të Lezhës. Dua të them se poezia shkruhet në një gjuhë të caktuar dhe në një kohë të caktuar por është nga natyra universale. Poezia i ka paraprirë globalizimit për të cilin flasim sot. Në kohë dhe në hapësirë. Poezia nuk do ta humbë këtë dhunti nëse globalizimi, për një arsye a tjetër, do të tërhiqej prapa. Ne jemi banorë të një ylli të vetëm. Toka është shtëpia jonë. Jemi bërë të ndyshëm e s’kemi përse të mos mbetemi të ndryshëm, duke qenë të hapur, të dashur, kooperues… Për të ardhur te pyetja se si pasqyrohen në lirikën time raportet intime, unë mund të pohoj se këto raporte janë të pranishme në poezitë e mia lirike-erotike. Por duhet të shtoj se si poet, kam dashuruar më shumë gra se sa kam njohur, se në poezinë time ka më shumë muza se gra që kam dashuruar dhe se jo rallë poezive të bukura të dashurisë u mungon adresimi konkret.

-Kultura e stilit të autorit, në fund të fundit, ka të bëjë edhe me njohjen dhe asimilimin e traditës .Cila është përvoja e lirikës suaj të dashurisë në raport me lirikën botërore erotike.

Nuk po më bie ndërmend tani kush e ka thënë se poetin e formojnë leximet, por për të zenë një vend në koncertin e poezisë krijimtaria e tij duhet të jetë e paimitueshme. Në shtegun e ngushtë të të qenit imitues dhe i paimitushëm qëndron origjinaliteti i tij. Unë i përkas gjeneratës së poetëve të viteve tetëdhjetë. Kam lexuar gjithë poetët e huaj që janë botuar në Shqipërinë komuniste të para viteve nëntëdhjetë. Duke marrë parasysh çfarë mbaj mend përmendësh që nga ajo kohë, kujtesa ime më dëshmon sot e kësaj dite tërheqjen që kam patur drejt poezisë lirike. Që përfshihej fatmirësisht në botimet e asaj kohe tok me temat e tjera apo me poezitë utilitare-propagandistike. Kam parasysh Nerudën, Bagrickin, Majakovskin, Ricosin, Bernsin, Esesninin, Brehtin, Hikmetin, Preverin, Lorkën, e tjerë. Ne ishim gjithashtu brezi i antenës së ngritur në mjergull në kërkim të lajmeve, librave, autorëve të ndaluar. Përmes miqve të ndryshëm kam mundur të njihem me një pjesë të krijimtarisë së Borhes, Quasimodos, Pesoas, Eliotit, Ezra Pound, Kafavisit, Soreskut, Ahmatovës, Jevtushenkos, e tjerë. Pas viteve nëntëdhjetë i kam njohur pothuajse në plotmërinë e tyre këta autorë dhe të tjerë, që i kishim dëgjuar veç si emra, si Seferis, Saifert, Montale, Dickinson, Millosh, Shimborska, Trastomer, e plot poetë tjerë të shquar të shekullit të njëzetë.

-Rrugëtimi juaj krijues ka arritur në një bigëzim të frytshëm poezi-prozë.Si e shikoni perspektivën e krijimtarisë suaj?

-Kështu siç e thoni ju, të bigëzuar. Nuk se zgjedh.Të shkruarit poezi apo prozë i përgigjet së njëjtës nevojë për t’i dhënë shprehje ndodhisë së brëndshme letrare, që shpjegon aktin e krijimit. Asaj që Borhes, duke cituar një piktor e quan “ happened”.

Vangjush Ziko

Lini një Përgjigje

Sullivan: SHBA do t`i dërgojë Ukrainës armët e nevojshme

Kur shqiptarët e Amerikës nderojnë kolosin e tyre, në Kosovë i bien në gjunj një hoxhe antikombëtar