Sherif Ramabaja
Lajmi shpërtheu me bujë. Berisha u lirua. Burgu shtëpiak mbeti një histori. Për herë të parë, Berisha pas 11 muajve doli te pragu i shtëpisë. I ngriti dy gishtat përpjetë, simbol personal i tij, dhe bërtiti me tërë fuqinë që kishte: Liri, demokraci dhe qeveri teknike.
Më pas i zbathi këpucët dhe pas 11 muajsh e shijoi tokën me këmbët zbathur. I preku drunjtë përreth, e preku tokën me duar. I përqafoi njerëzit në kalim e sipër. Doli në malin më të afërt dhe u takua me kujtimet e fëmijërisë dhe rinisë së tij.
Sapo u kthye te porta nuk donte të hynte brenda. Dua të shkoi në rezidencën e partisë, tha. Dua t`i takoi të gjithë. Dua t´i përqafoi të gjithë. Dua të qeshi, të gëzohem dhe të hamë e pimë së bashku.
Dua të më shohin dhe të binden të gjithë, se unë u rilinda. Nuk u dorëzova, po luftova dhe dola sërish fitimtar. Shqipëria mbi të gjitha. Tash e tutje Shqipëria do jetë e imja.
Kristaqi qe sa vite ma rrëmbeu, e mbajti peng, e plaçkiti, e mbushi me korrupsion, i një qindfishoi plantacionet e drogës, e varfëroi, e shpopulloi dhe u mundua ta gjunjëzonte Shqipërinë time, po unë i dola përpara si një drangua. Tash jam këtu, i thash. Do bëhemi roje të Shqipërisë.
Me qeverinë teknike do ia zhbëjmë strukturat e patronazhistëve, të socialistëve dhe të enveristëve. Ai do mbetet i vetëm, pa struktura, i zhveshur dhe pa përkrahje. Sapo ta marrim pushtetin, do ta nxjerrim para drejtësisë që të jap llogari për tmerret, që ia shkaktoi popullit shqiptar.
Do ta akuzojmë edhe për tradhti kombëtare. Jo vetëm Shqipërisë që ia bëri gjithë këto të zeza, po edhe Kosovën e la në baltë.
Jo që nuk e foli një fjalë për te, t’ia mbante anën, po u mundua ta fundoste më shumë se Vuçiqi, Lajcak, Borrell e Stano. As Esat Pasha nuk do të kishte bërë tradhti më të madhe.
Dua për të gjitha të flas. 11 muaj vetëm dëgjoja i heshtur, pa pasur mundësi të ulem me partinë time, të cilën e çlirova nga Luli me revolucion. Ia rrëmbeva byronë dhe godinën. Ia rrëmbeva vulën… dhe më pranguan, sepse s’kisha të ndalur.
Tash kam grumbulluar energji të pashtershme. Më duket vetja se jam rinuar. Jam ringjall dhe së bashku do nisemi në betejën përfundimtare.
Hapi i parë do jetë, qeveria teknike. Do e lirojmë Salianjin dhe Metën. Bardhin e kam këtu, po sapo t´i kemi edhe ata dy të cilët na i burgosi Kristaqi, do e marrim Shqipërinë në duart tona.
Do ta sjellim demokracinë. Do ia kthejmë popullit institucionet. Do t´i ndjekim narkomanët e shtetit. Do t´i kthejmë në atdhe, të gjithë të ikurit e narkoshtetit. Do të fillojmë ta zhvillojmë dhe përparojmë Shqipërinë tonë.
Do ta mbrojmë Kosovën politikisht, por po qe nevoja me të gjitha mjetet. Serbisë dhe Rusisë do t´ua tregojmë gjoksin. Evropës do ia bëjmë me dije se nuk do lejojmë që të tallen me Kosovën, e as me popullin shqiptar.
Ne shqiptarët do jemi mburoja kundër Rusisë e Serbisë në Ballkan. I pëlqeu kjo dikujt, apo jo. Ju kërkoi falje, nuk po arrij të ndalem. 11 muaj vetëm durova e heshta. Tash dua të shpërthej në të gjitha anët. Dua të dal para popullit, ti shprehu të gjitha: patriotizmin, simpatinë, emocionet, ndjenjat dhe energjitë e mia. Shqipërinë tash e tutje do të jetë vetëm e imja.
Mars – Rover (satirë)