Nga Sherif Ramabaja
Shqiptarë : i madh e i vogël, gra e vajza, burra e djem, nxënës e studentë, punëtorë e bujq, kamerier, gjellëbërës, mësues, profesor, gjinekolog, dentistë, mjekë, bukëpjekës, inxhinierë, pjatalarës, pastrues, infermierë, ju ftoj që me 12 nëntor t´i bashkëngjitkeni protestës në Sheshin kryesor të Tiranës. Nga aty do të nisemi drejt pallatit të qeverisë.
Ne premtojmë…, ne premtojmë se do të jemi paqësor ashtu si herëve tjera?! Kërkesa e vetme e jonë është që Edvin Kristaqi, të na i dorëzoj çelësat e byrosë së tij dhe qeverisë së korruptuar.
Ky popull nuk mund të pres më gjatë. Qeverisja e Kristaqit na ka ngulfatur, prandaj që të përfundoi gjithçka në mënyrë paqësore, ne kërkojmë që të na plotësohen kërkesat tona. Përndryshe…, përndryshe na duhet kundër dëshirës sonë të veprojmë, ashtu siç vepruam ndaj Lulit.
Edhe Luli shiste trimëri, duke deklaruar se ishte kryetari legjitim i partisë, po populli nuk pyeste. Ai e dinte se cilit i përkiste kolltuku aty dhe për cilin ishte vend i rezervuar aty. Në kështjellë nuk mund të kolliten dy veta.
Pra edhe njëherë po dal me thirrje për Kristaqin. Populli ka vendosur që ta marr fatin në duart e veta. Pra fati i këtij populli, lidhet direkt edhe me mua.
Kështjellën kërkoj që ta dorëzoni tek unë ose do të ballafaqoheni me rezistencë të fuqishme, (edhe pse ne jemi paqësorë) rezistencë të cilën e pat provuar edhe Luli në lëkurën e vetë.
Unë jam kundër dhunës dhe shkatërrimeve, këtë e kam dëshmuar sa herë, por unë nuk mund ta kem secilin nën kontrollin tim, sepse krejt kjo lidhet edhe me emocionet e njerëzve.
Pra popull i dashur, përkundër vuajtjeve tuaja shekullore, zhgënjimit, padrejtësisë, plaçkitjes, korrupsionit, ndjekjes, burgosjeve, vrasjeve nga forcat e rendit, drogës, luftës së bandave, inceneratorëve, vjedhjes së votës, parave të pista, rrëzimit të Teatrit, patronazhistëve, shpopullimit të Shqipërisë etj. unë ju bëj thirrje që të jeni paqësor. Ju duhet të reagoni vetëm nëse ndjeheni të provokuar. Po ashtu ju bëj thirrje edhe forcave të rendit që të kujdesen për qetësi, rend dhe t´i ndihmojnë njerëzit në protestën paqësore.
Unë kërkoi po ashtu nga ju që mos t´i provokoni protestuesit, sepse gjithçka do të filmohet. Ju garantoi që secili do jep llogari para organeve të drejtësisë. Ne nuk do të përdorim dhunë ndaj institucioneve, por vetëm do të kërkojmë që pushteti t´i dorëzohet sovranit.
Së bashku me mua do të jetë edhe ish presidenti zoti Ilir Meta. Ai po ashtu ka premtuar se do t´u prij protestave deri në rrëzimin e qeverisë. Kthim mbrapa nuk ka, ka porositur Meta. Akuzat ndaj tij si bashkëpunëtor i SHIKUT janë një fyerje e madhe për te, njësoj sikurse akuzat ndaj meje, për korrupsion dhe Non Grata.
Ne pra me 12 nëntor do t´u dëshmojmë shqiptarëve se Kristaqi është ai që na i ka thur dhe përgatitur këto akuza, por edhe populli do t´ia prezantoj po atë ditë akuzën atij. Populli jo vetëm që ta përgatitë padinë, po edhe ta vulosë aty për aty.
Ne si përfaqësues të këtij populli shpresojmë se akuzat ndaj qeverisë dhe Edvin Kristaqit, do të jenë bindëse për çdo shqiptar.
Unë po ua them edhe një të vërtetë të fuqishme. Berluskoni akuzohej për korrupsion dhe u kthye sërish në pushtet. Lula i Brazilit, i cili kishte studiuar në Shqipërinë e diktatorit Hoxha, po ashtu ka qenë i burgosur për korrupsion dhe tash u bë sërish kryetar i shtetit të tij. Pra pse mos të fitojmë unë dhe Meta në Shqipëri, si të akuzuar për korrupsion e bashkëpunëtorë të SHIKUT, që këto akuza vetëm supozohen, por fare nuk janë dëshmuar ndaj nesh. Ne jemi më se të sigurt: këto janë tërësisht të kurdisura nga Kristaqi dhe multimilarderi Soros. Shqipëria e shqiptarëve, me mua dhe Metën në krye.
Mars – Rover (Tekst me përmbajtje ironike)


