Krahasimi i Xi Jinping me Mao Ce Dunin është “i pakuptimtë”. Kështu ironizon Rebecca Karl, një profesore e Historisë Kineze në Universitetin e Nju Jorkut. “Nëse do të krahasosh dy njerëz, duhet të thuash diçka. Është si të krahasosh Putinin me Stalinin ose Liz Trussin me Margaret Thatcher.” Në pamje të parë, paralelet janë të habitshme. Kryetari Mao ishte figura politike përcaktuese e Kinës së shekullit të 20-të. Ai drejtoi Partinë Komuniste – dhe vendin – që nga themelimi i republikës në 1949 deri në ditën kur vdiq në 1976. Asnjë lider tjetër kinez nuk i është afruar që atëherë. Deri tani.
Xi Jinping u bë lideri i parë që nga Mao që zgjidhet si shef i partisë për një mandat të tretë. Në dekadën e tij në krye, ai ka centralizuar pushtetin në duart e tij. Eliminoi pamëshirshëm rivalët. Promovoi një kult të personalitetit. Eliminoi kritikat dhe kishte ideologjinë e tij. Mendimi i Xi Jinping mbi socializmin me karakteristikat kineze flet për një epokë të re, të mishëruar në Kushtetutë. Me gjysmë shaka, ai njihet si “Kryetari i Gjithçkaje”.
“Është ende një gabim të heqësh një vijë të drejtë nga Mao te Xi”, – argumenton Karl. Kjo sipas saj hedh poshtë gjithçka që ndodhi midis tyre. Kinezët ëndërruan ose luftuan për një vend tjetër. “Kjo sugjeron se autokracia është në gjakun e tyre, është në ujin e tyre ose është në kulturën e tyre,” thotë ajo.
E vërteta është se rruga e Xi drejt pushtetit nuk ishte aspak e pashmangshme. Kjo përkufizohet po aq nga ambicia e tij, aq edhe nga dështimi i partisë për të parandaluar atë që ata nuk donin. Një përsëritje të sundimit katastrofik të Maos.
“Vizita ime e parë me Kinë ishte në vitet 1980. Atëherë debatet për të ardhmen e Kinës ishin të mëdha, por edhe me pasoja. Vetë partia ishte e përfshirë në ato debate. Por në 1989 ato u mbyllën “ – thotë Karl.
Në vitin 1989, teksa Bashkimi Sovjetik po shpërbëhej, shpresat e Kinës për ndryshim u shtypën nga tanket dhe të shtënat e armëve.
“Kemi ardhur shumë vonë”
Vendi ishte ende duke u rikuperuar në atë dekadë. Më shumë akoma pas vdekjes së Maos. Dhjetëra miliona kishin vdekur në kohën e tij. Së pari nga uria për shkak të misionit të tij shkatërrues për të industrializuar Kinën brenda natës. Më pas ishin spastrimet e dhunshme, paranojake të rivalëve, disidentëve, intelektualëve dhe “armiqve të klasës”.
Manteli i Maos ra përfundimisht në duart e Deng Xiaoping. Ai u kishte mbijetuar dy spastrimeve dhe këmbënguli për udhëheqjen kolektive që do të ndryshonte çdo 10 vjet. Në pranverën e atij viti qindra mijëra studentë dhe punëtorë pushtuan qendrën e Pekinit. Ata protestonin kundër korrupsionit dhe rritjes së çmimeve dhe kërkuan reforma. Pas mureve të larta të kompleksit drejtues të Partisë Komuniste, Zhongnanhai, kupola e lartë e partisë u nda.
Të moderuarit e udhëhequr nga reformisti Zhao Ziyang u përpoqën të përdorin protestat për të nxitur reforma të mëtejshme. Linja e ashpër, e udhëhequr nga Kryeministri Li Peng, besonte se qëllimi i studentëve ishte përmbysja e partisë. Ata vendosën që protestat të shuheshin.
Zhao vizitoi protestuesit, duke u kërkuar atyre që të ndërpresin grevën në atë që tani është një fjalim historik: “Ne erdhëm shumë vonë. Është e drejtë që ju të flisni për ne dhe të na kritikoni si të doni… Ne jemi të gjithë të vjetër dhe për ne nuk ka më rëndësi, por ju jeni ende të rinj. Duhet të kujdeseni për veten”.
Në fund të majit fituan ata të vijës së ashpër. Herët në mëngjesin e 4 qershorit, tanket dolën në rrugë. Masakra në sheshin Tiananmen i dha fund debatit për reformën politike. Në vend të kësaj, Partia Komuniste iu drejtua reformave ekonomike. Në vitin 1992, Deng – i cili kishte mbetur “udhëheqësi kryesor” i Kinës – deklaroi se partia duhet të lejojë “disa njerëz të pasurohen”. Nuk tingëlloi shumë dramatike, por ishte një tjetër shkëputje vendimtare nga maoizmi. Shtrëngimit revolucionar iu tregua dera.
Një mëngjes të ftohtë dimri në janar të vitit 1990, zbrita nga një traget nate në qytetin e Guangzhou. Ishte pamja ime e parë e Kinës. Ajri vinte erë squfuri nga djegia e qymyrit. Jashtë rrugëve ishte një lumë me biçikleta. Mbi to kishte punëtorë me kapele blu dhe xhaketa të Maos. Herë pas here biçikletat ndaheshin për ndonjë autobus apo makinë zyrtare.
Gjatë 6 muajve të ardhshëm kam pedaluar nëpër malet e Yunnanit. Kam ecur nëpër pallatin perandorak në Pekin dhe kam hipur në një tren që lëvizej nga dy motorë avulli të nxirë nga bloza në shkretëtirat e Xinjiang. Peizazhet ishin sublime, por varfëria të gërryente.
Kudo që shkoja njerëzit më thoshin se sa “e prapambetur” ishte Kina në krahasim me Perëndimin. Por kishte aludime për ndryshim.Në kohën kur u ktheva në 1998, i gjithë vendi e kishte marrë për zemër thirrjen e Dengit “të pasurohesh është e lavdishme”. Atë vit, Partia Komuniste dnxorri një dekret që stoqet shtetërore të banesave të Kinës të shiteshin. Një pjesë e oborreve historike të Pekinit me tulla gri po shkatërroheshin dhe u zëvendësuan me xhama dhe çelik.
Fjala në buzët e të gjithëve ishte “xia hai” ose “hidhe në det”. Do të thoshte të lije punën tënde të vjetër në një kompani shtetërore dhe të zhyteshe në biznesin privat. Mbaj mend ditën kur një nga asistentët tanë hyri në zyrën e BBC-së, dorëzoi ID-në e tij dhe deklaroi: “Unë po shkoj në Shenzhen”. Ai është një qytet në bregun jugor të Kinës.
Mao e kishte mbyllur ekonominë e Kinës nga bota. Tani pasardhësit e tij po e hapnin atë. Në vitin 2001 Kina u bashkua me Organizatën Botërore të Tregtisë. Përgjatë bregut juglindor u shfaqën si kërpudha qytete të reja. Disa specializoheshin në butona dhe zinxhirë. Të tjerë bënin çakmakë. Në Zhejiang gjeta një që bënte vetëm çorape, dhjetëra miliarda prej tyre. Teksa përgatitesha të largohesha nga Kina në vitin 2008, aeroporti i epokës sovjetike i kishte lënë vendin një megastrukture vezulluese të projektuar nga Norman Foster. Linja e parë hekurudhore me shpejtësi të lartë u hap nga Pekini në Tianjin.
Kina po pasurohej më shpejt se çdo vend tjetër në histori. Por kjo solli probleme të tjera.
Rënia e një princi dhe ngritja e një tjetri
“Qielli është i lartë dhe perandori është larg” – është një thënie e vjetër në Kinë. Do të thotë se askush nuk ju shikon atë që po bëni. Ky me siguri dukej se ishte rasti i paraardhësit të Xi, Hu Jintao. Korrupsioni ishte në rritje dhe autoriteti i tij po injorohej hapur dhe madje po sfidohej.
Teksa çmimet e tokës u rritën për shkak të reformave, zyrtarët e partisë në të gjithë Kinën po i konfiskonin ato nga fermerët fshatarë, duke ua shitur zhvilluesve dhe duke futur në xhep një pjesë të madhe.
Në vitin 2005 m’u dorëzua një DVD e kontrabanduar nga një fshat i quajtur Dingzhou në provincën Hebei. Ajo tregonte një betejë të ashpër midis fermerëve vendas dhe dhjetëra banditëve të armatosur, të punësuar nga një kompani shtetërore e energjisë që kërkonte t’i detyronte ata të braktisin tokën e tyre. Fermerët kishin hapur llogore të thella në arat e tyre. Banditët i sulmuan në agim duke hapur zjarr me armë gjahu dhe duke rrahur fermerët me hekura çeliku. 6 persona u vranë.
Përçarja u thellua. Në Pekin, më kujtohet se shkova në një klub nate. Pronari njihej se kishte droga të paligjshme dhe vajza të reja tërheqëse për ata me para të mjaftueshme. Partneri i tij i biznesit ishte byroja e sigurisë publike, policia.
“Kjo ishte vetëm maja e një ajsbergu të madh”, – thotë Richard McGregor, ish-shefi i zyrës së Pekinit për Financial Times. “Gjithçka dhe të gjithë u prishën, por ajo doli jashtë kontrollit. Po bëhej më shumë si Indonezia e Suhartos, ku po gërryheshin themelet e sistemit”.
Në këtë kohë kishte një lufte tregtare midis Kinës dhe BE-së mbi kuotat e tekstilit. Mora një ftesë të rrallë për të intervistuar ministrin e tregtisë. Intervistat me zyrtarë të lartë kinezë janë jashtëzakonisht të mërzitshme, por kjo doli ishte e kundërta.
Ministri quhej Bo Xilai. I gjatë, i pashëm dhe me një sharm mashtrues. Bo dukej se e shijonte sfidën, duke iu përgjigjur pyetjeve me zgjuarsi dhe mendjemprehtësi. “Ky është një djalë që mund të ketë sukses si politikan kudo”, mendova me vete.
Në vitin 2007, Bo u dërgua të drejtonte Chongqing, një qytet i madh që përshkon lumin Yangtze në malet e Kinës jugperëndimore. Ai ishte famëkeq atëherë për krimin e organizuar.
Bo nisi një fushatë të pamëshirshme kundër korrupsionit, duke vrarë qindra kriminelë, biznesmenë, politikanë dhe policë. Ai ndërtoi infrastrukturë luksoze, duke përfshirë banesat publike. Çuditërisht ai ringjalli gjithashtu “kulturën e kuqe”. Kërkoi që të gjithë të mësonin këngë të epokës së Maos që lavdërojnë Partinë Komuniste. Shumë u terrorizuan nga sundimi i Bo-së, por ai ishte jashtëzakonisht i popullarizuar në klasën punëtore.
Politikanët erdhën nga Pekini për të studiuar “modelin Chongqing”. Njëri prej tyre ishte një yll në ngjitje i quajtur Xi Jinping.Në vitin 2012, Bo, i cili kishte ndërtuar bazën e tij të pushtetit për vite, u rrëzua nga një histori e jashtëzakonshme vrasjesh, korrupsioni dhe intrigash ndërkombëtare që tronditi Kinën. Sot ai vuan dënimin me burg të përjetshëm.
Modeli i tij, megjithatë, ishte padyshim prototipi për atë që Xi së shpejti do të lëshonte në të gjithë Kinën. Xi ishte një princ. Djali i një prej togerëve të Maos, Xi Zhongxun, i cili ishte spastruar dhe më vonë rehabilituar. Kolegët e përshkruan Xi-në e ri si të përulur, të vetëdisiplinuar dhe punëtor. Edhe në prag të ngritjes së tij në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste, kishte pak të dhëna për atë që do të vinte.
Në kohën kur Xi u emërua për të udhëhequr partinë në vitin 2012, korrupsioni kishte arritur nivelet më të larta. Ky i tmerroi të vjetrit e partisë, të cilët e panë atë si një kërcënim të madh. Por gjithashtu ata i dhanë Xi-së një mundësi për ta paraqitur veten si shpëtimtar.
“Ata menduan se kjo do të zgjaste 3 deri në 6 muaj. Doli se kjo nuk ishte vetëm një fushatë kundër korrupsionit. Ajo ishte një fushatë korrigjimi brenda partisë dhe duhej të mbahej përgjithmonë,” – thotë profesor Steve Tsang, i cili drejton Institutin e Kinës në Shkollën e Studime orientale dhe afrikane në Londër.
Pas rënies së Bo-së, qindra mijëra kuadro partiake u vunë nën hetim. Më shumë se 100 mijë u paditën për korrupsion, duke përfshirë 120 zyrtarë të rangut të lartë. Korrupsioni ra dhe popullariteti i Xi u rrit.
Tani ai kishte municionin për të shkatërruar rivalët e tij më të fuqishëm politikë. Në vitin 2014 ai urdhëroi arrestimin e Zhou Yongkang, i cili deri 2 vjet më parë kishte qenë anëtar i komitetit të përhershëm të Byrosë Politike dhe një nga njerëzit më të fuqishëm në Kinë. I dënuar në vitin 2015, Zhou është gjithashtu në burg të përjetshëm.
Kjo ishte e paprecedentë në epokën post-Mao.
“Unë mendoj se pleqtë e partisë duhet të jenë penduar më vonë” – thotë zoti McGregor.
Konsolidimi i pamëshirshëm dhe dramatik i pushtetit i Xi ka bërë që shumë njerëz ta krahasojnë atë me Maon. Por destruktiviteti i Maos ishte i rrënjosur në dëshirën e tij për të ndërtuar një utopi socialiste. Çfarë dëshiron të ndërtojë Xi?
“Asgjë që Mao nuk do të njihte”, – thotë Prof Karl.
“Kina sot nuk ka karakteristika socialiste. Nënshtrimi i punës ndaj kapitalit është i plotë. Nëse je një socialist i vërtetë, duhet të kesh një nocion të demokracisë klasore, të drejtësisë, të hierarkisë dhe antihierarkisë. Asnjë nga këto nuk i shkon në mendje Xi Jinping” – thotë ajo.
E vetmja gjë që ka mbetur nga Kina e epokës Mao është partia. Dhe kjo, thotë ajo, është ajo për të cilën Xi interesohet vërtet. “Ai beson se në botën e kapitalizmit hiper-konkurrues dhe një gare armësh hiper-konkurruese me Shtetet e Bashkuara, e vetmja mënyrë e besueshme që Kina mund të mbetet konkurruese është të qëndrojë nën një parti që quhet Partia Komuniste”.
Kanalizimi i timonierit të madh
Asgjë nuk i jep legjitimitet Partisë Komuniste ashtu si Mao. Revolucionari ikonë, portreti i të cilit ende mbretëron mbi sheshin Tiananmen, ku ai shpalli themelimin e Republikës Popullore të Kinës. Kështu trashëgimia e tij shkatërruese u mbulua me nderim. Dhe tani, Xi nuk humbet asnjë mundësi për të rikthyer Maon. Madje duke uzurpuar titujt e tij të zhdukur: “Timonieri i Madh”, “Udhëheqësi i Popullit”, “Kryetar”. Por, ajo që ai kërkon është shumë më e madhe.
“Perandor i madh” është titulli që Xi kanë ambicien e tij” – thotë Prof Tsang. Synimi i Xi, sipas tij, është ngritja e një kulture të lavdishme mitike kineze e quajtur “tian xia” ose “e gjitha nën parajsë”. Një Kinë e bashkuar që është shtëpia e një populli të bashkuar. “Patrioti kinez është dikush që e do Kinën, Partinë Komuniste dhe udhëheqësin e saj. Dhe me kinezisht ai nënkupton kulturën Han” thotë Prof Tsang.
Në Kinën e Xi-së pothuajse nuk ka vend për diversitet. 12 milionë myslimanë ujgurë të Xinjiang-ut po asimilohen me forcë. Programe të ngjashme janë duke u zhvilluar në Tibet dhe Mongolinë e Brendshme.
“Politikat që ka aplikuar Xi me kampet e riedukimit për ujgurët janë gjenocid kulturor” – thotë zoti McGregor. Kjo është krejtësisht e ndryshme nga ideja e Maos për një shtet multietnik ku, teorikisht, grupe të ndryshme kishin më shumë autonomi. Babai i Xi gjithashtu kishte një reputacion për pajtim dhe respekt për pakicat etnike të Kinës.
Por djali i tij po drejton një etno-nacionalizëm të ashpër. Ai kërkon të bashkojë kinezët në vend dhe të largojë fuqitë e huaja, të cilat, sipas pikëpamjes së Pekinit, po përpiqen të rrethojnë dhe dobësojnë Kinën. Në nëntor 2015, u nisa nga ishulli Palaëan i Filipineve me një avion të vogël Cessna. Destinacioni ynë ishte Atoli Paga i kontrolluar nga Filipinet, 400 milje në mes të Detit të Kinës Jugore. Plani ynë ishte të kalonim pranë një baze të re ushtarake kineze, e ndërtuar në një ishull artificial. Skica e një piste dhe ishulli artificial i jashtëzakonshëm 9 km u shfaq kur u afruam.
Më pas, me zë të lartë në radio, erdhi një paralajmërim në gjuhën kineze dhe angleze: “Aeroplanë ushtarakë të huaj në veriperëndim të shkëmbit të keq. Kjo është marina kineze! Po i afroheni hapësirës ajrore kineze. Për të shmangur veprime të mëtejshme, kthehuni dhe largohuni menjëherë!”
Ne ishim një avion civil që fluturonim në hapësirën ajrore ndërkombëtare. Por kjo nuk kishte rëndësi. Këta ishuj të Detit të Kinës Jugore janë vetëm më të guximshmet dhe më të dukshmet nga lëvizjet e Xi-t për të marrë kontrollin e jashtëm të afërt. Tajvani mund të jetë i radhës.
“Kina tani po bën të gjitha llojet e gjërave që gjithmonë ka dashur t’i bëjë, por nuk ka qenë aq e fuqishme për t’i bërë. Tajvani ishte gjithmonë aty. Deti i Kinës Jugore ishte gjithmonë aty. Të përballesh me Amerikën, ta dëbosh atë nga Azia ishte gjithmonë një ambicie, por ata nuk e thoshin atë me zë të lartë” – thotë zoti McGregor.
Tani Kina po e thotë me zë të lartë dhe diplomatët e saj të quajtur “ujqit luftëtarë” sipas një filmave aksion patriotik, po shkojnë në ofensivë verbale. Në Kinë kjo është jashtëzakonisht e popullarizuar. Por politikat e Xi-së po krijojnë vetëm botën armiqësore kundër të cilës ai pretendon se po i mbron, beson Susan Shirk, një eksperte e Kinës në administratën e ish-presidentit amerikan Bill Clinton.
“Zgjidhja e grindjeve me fqinjët tuaj? Shkarkimi i planeve për të ndërtuar ishuj të mëdhenj artificialë dhe për t’i forcuar ato me instalime ushtarake. Rritja e presionit mbi Japoninë dhe Tajvanin. Është një lloj vetërrethimi që ka prodhuar politika e jashtme kineze,” – thotë ajo.
Pafytyrësia e Kinës është nxitur nga fuqia e saj e jashtëzakonshme si fabrika dhe tregu më i madh në botë. Deri më tani është dukur e pandalshme, e gatshme për të rrëzuar SHBA-në si ekonominë më të madhe.
Më pas Covid solli një çelës për këtë punë.
Mbyllja në shtëpi
Në fillim të këtij viti, një mik kinez kaloi 83 ditë vetëm, i mbyllur në një dhomë hoteli në Shangai. “U çmenda”, – thotë ai. “Ishte një përzierje e depresionit dhe zemërimit. Pas një kohe ndihesh sikur nuk mund të marrësh frymë. Trupi fillon të mbyllet. Çdo ditë është njësoj. Është sikur koha ka ndalur.”
Ai u kap në bllokimin më të madh dhe më të gjatë të Covid në Kinë. Ishte dashur të zgjaste 4 ditë. Pastaj 4 të tjera. Pastaj një tjetër. Shumë shpejt, stafi i hotelit nuk i tha më.
“Është e mahnitshme se si Kina i vazhdon këto izolime për kaq gjatë. Ato janë tepër tronditëse” – thotë profesor Dali Yang në Universitetin e Çikagos. Ai ka studiuar politikën zero-Covid që Xi ka miratuar personalisht.
Në vitin e parë të Covid, thotë Prof Yang, bllokimet kishin kuptim. Ato ishin të shkurtra dhe lejuan që jeta në Kinë të vazhdonte. Kishte madje krenari sesi vendi po e trajtonte pandeminë shumë më mirë se Perëndimi. “Ky nuk është më rasti” – thotë ai.
Rritja ekonomike është tkurrur në 2%. Më e ulëta në më shumë se 3 dekada. Tregu i pronave në Kinë është në rënie të lirë. Papunësia e të rinjve shkon në rreth 20%. Një luftë tregtare me SHBA-në nuk po ndihmon. Dhe zemërimi ka nisur të duket.
“Çdo natë pas mesnate njerëzit fillojnë të shpërndajnë video në mediat sociale” kujton miku im nga Shangai. “Ata shprehnin zemërimin e tyre ndaj Partisë Komuniste. Madje edhe ndaj drejtuesve më të lartë. Ata flasin se sa i pashpirt dhe mizor është bërë ky sistem.”
Videot u hoqën shpejt. Interneti fsheh menjëherë çdo shenjë mospajtimi ose kritike. Megjithatë zemërimi për “zero-Covid” ka qenë i dukshëm. Madje pati edhe shenja të rralla të protestave. Qoftë edhe vetëm për pak momente, përpara se ato të heshtin. Është e vështirë të mohohet që miliona kinezë e bëjnë Xi-në personalisht përgjegjës për mizorinë e bllokimeve të zymta të Kinës.
Frika dhe besnikëria kanë çuar në “përputhje të tepruar dhe mbizbatim të asaj që vetë Xi fillimisht donte”, thotë zonja Shirk.Dhe duket se ata janë shpërblyer. Li Qiang, shefi i partisë së Shangait, i cili mbikëqyri karantinën e qytetit është ngritur në detyrë si kryeministër. I dyti në komandë pas Xi.
Pas skenave të Kongresit, Partinë Komuniste të Kinës pret një botë e ashpër. I rrethuar nga besnikë dhe pa asnjë trashëgimtar në horizont, Xi tani është padiskutim në krye të një vendi shumë më të pasur. Me një ushtri shumë më të fuqishme. Dhe për herë të parë, bota është e pasigurt se çfarë të presë nga Kina. Xi ka lënë mënjanë gardën e vjetër. Si kritikët ashtu edhe ata që janë të moderuar.
“Në të kaluarën, ne gjithmonë mund të mbështeteshim tek liderët e Kinës që të ishin pragmatikë në lidhje me politikën ekonomike dhe të matur në politikën e tyre të jashtme. Ne nuk e shohim këtë tani” – thotë zonja Shirk. Është e famshme deklarata e Deng Xiaoping që tha se Kina duhet “të fshehë kapacitetin e saj dhe të rrijë në kohën e saj”.
Ajo kohë ka ardhur.
Në vitin 2017, në fillim të mandatit të tij të dytë, Xi deklaroi: “Kina është ngritur, është pasuruar, është bërë e fortë dhe po shkon drejt skenës qendrore”. Ai qëllimisht u bëri jehonë fjalëve të Maos në vitin 1949 në krye të Portës së Paqes Qiellore në Sheshin Tiananmen: “Populli kinez është ngritur në këmbë”. Por Kina e Xi-së nuk është Kina e Maos. Ambicia e Xi-së për veten dhe për vendin e tij tejkalon shumë çdo gjë që Mao kishte ëndërruar ndonjëherë.
Mao ishte një shkatërrues që shkatërroi librin e rregullave jo një herë, por disa herë. Xi nuk është anarkist. Ai nuk është as një rebel. Ai sigurisht që nuk do që të rikthehet kaosi i viteve të Maos, i cili copëtoi familjen e tij. Ajo që ai dëshiron është të jetë lideri më i fuqishëm që Kina ka pasur ndonjëherë… dhe Partia Komuniste sapo ia dha atë fitore. ©Marrë nga BBC, përshtati në shqip LAPSI.al