Sherif Ramabaja
Lajm sensacional. këto ditë u tha se amerikanët do ta ngritin një bazë ushtarake në Nish. Sa është kjo e vërtetë nuk dihet, po për shqiptarët nuk është një sinjal i mirë. Së pari Kosovës po i bëhet me dije se Serbia është e paprekshme.
Ka ndodhë çfarë ka ndodhur. Më ke pushtuar, të kam pushtuar, (më ke rruar, të kam rruar) brisku i berberit. Tash e tutje, pushtimet duhet të marrin fund. Serbia ka pretendime për veriun, po edhe Kosova gjithherë e ka syrin të zgjerohet (ti marr territoret e veta) deri në Nish. Dhe këto ëndrra, duhet njëherë e përgjithmonë, të marrin fund.
Serbia nuk do ketë guximin ta mësyj Kosovën, sa herë ti teket me ushtri, po as Kosova nuk do lejohet, me folklorin e sajë, të thur dhe këndoi këngë mbi pushtimet, tmerret dhe masakrat serbe. Ne do ta vëmë një balancë. Secili të jetoi e punoi aty ku dëshiron.
Këndej Nishit, andej Nishit, nuk ka rëndësi. Kufijtë do të jenë formal. Pronat private do të respektohen. Do të instalohet sistemi i drejtësisë për të gjithë.
Qarkullimi dhe tregtia e lirë do të zhvillohen pa pengesa. Rajoni do t´i bashkohet EU. Pra ndikimet ruse dhe kineze do të zbehen. Do të jetë një epokë e lulëzimit për rajonin. Ne e dimë se nga dy palët do insistohet në shtimin e lindjeve dhe blerjen e pronave, këndej e andej Nishit, po ky mentalitet nuk do të korr sukses, duke e parë trendin e migrimeve nga dy vendet.
Shikojeni Shqipërinë, shembulli më i qartë i këtij trendi. Kryeministri Rama çdo ditë ekspozon foto në rrejtet sociale, mbi ndërtimin e rrugëve të reja, pamje të mrekullueshme nga bregdeti shqiptar, turizmi në rritje, lirimin e hapësirave, kërkesat për punësim etj, dhe kot së koti. Rinia e ka marr rrugën e ikjes nga vendi. Pse? Pyetni shqiptarët. Pyetni organet qeveritare. Pyeteni popullin. Pyeteni shoqërinë civile. Pyeteni opozitën. Pyeteni më së miri rininë e vendit, që ta merrni përgjigjen e drejtpërdrejtë.
E morëm Shqipërinë si shembull, po e njëjta situatë është edhe në Kosovë, në Luginë, në Maqedoninë perëndimore dhe kudo që jetojnë shqiptarët. Ky fenomen i ka përfshirë edhe popujt e tjerë, mos u shqetësoni s´jeni vetëm ju, ne po i marrim vetëm shembujt më relevant.
Pra duke i bërë këto analiza ne kemi ardhur në përfundim se demografia, nataliteti, pronat etj. do të jenë vetëm çështje e qarqeve të ndryshme, po nuk do të qojnë peshë te asnjëra palë. Ne do jemi këtu. Amerika është e para. Ne do kujdesemi për rendin botërorë dhe do veprojmë ashtu si e kërkon rendi e ligji.
Shqiptarët nuk duhet të shqetësohen, nëse ne shtrihemi deri në Nish. Këtë do ta bëjmë për të mirën e të gjithëve.
Merreni me mend po të ishin në pushtet enveristët e stalinistët e Ballkanit, si do të reagonin ndaj planeve tona. Do të na quanin imperialistët amerikan dhe do të bënin plane që të na luftonin.
Atyre do u interesonte ideologjia, e jo populli. Jemi të vetëdijshëm që reagime do të kemi nga të dy popujt, shqiptarët dhe serbët, po ne kemi planet tona. Ne na quajnë SHBA. Atë që e kemi në mendjen tonë edhe e bëjmë, herët apo vonë. Ëndrrat nuk ua marrim.
Mars – Rover (Satirë)