Dy autorët e njohur të shtëpisë botuese UETPRESS, Preç Zogaj dhe Virgjil Muçi, janë shpallur fitues të Fondit të Përkthimit të Librit Shqip në Gjuhë të Huaj, akorduar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Përmes këtij fondi, veprat e tyre të botuara në gjuhë të huaja, greqisht dhe serbisht, do të mbështeten financiarisht.
“Poema të zgjedhura” e autorit Preç Zogaj është përzgjedhur si një përballje e bukur e kulturës shqipe në atë greke, jo vetëm për peshën që ka autori për letrat shqipe, por tërësinë e tematikave dhe mënyrën se si vargu i tij përcjell koncepte dhe përfytyrime, të cilat meritojnë që të shijohen nga një auditor aq i kultivuar me poezinë.
Juria e Fondit të Përkthimit të Librit ka vendosur gjithashtu dhënien e mbështetjes financiare për përkthimin në serbisht të romanit të Virgjil Muçit, “Piramida e shpirtrave”, e cila u shpall fituese e Çmimit Letrar Kadare 2018.
Sipas jurisë, “Piramida e shpirtrave” është përkthyer me cilësi në gjuhën serbe, ku spikat saktësia dhe besnikëria ndaj tekstit origjinal spikatin. Po ashtu, rrjedhshmëria e gjuhës është e një niveli të tillë, saqë nuk dallohet nëse libri është përkthyer apo është shkruar drejt e në gjuhën pritëse.
Po ashtu, QKLL do të mbështetë përkthimin e veprave të disa autorëve të tjerë të njohur shqiptarë, si: Bashkim Hoxha për përkthimin në gjermanisht të “Kronikat e mjegullës”; Diana Çuli për përkthimin në greqisht të romanit “Engjëj të armatosur”; Ardian Vehbiu për përkthimin në gjuhën greke të ”Sende që nxirrte deti”; Besnik Mustafaj për përkthimin në arabisht të romanit “Midis krimeve dhe mirazheve”.
Juria e këtij viti kryesohej nga përkthyesja Maklena Nika, me anëtarë studiuesin Ben Andonin dhe përkthyesin Erion Kristo.
Për projektin “Fondi për përkthimin letrar nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj” pati prurje nga disa shtëpi botuese të huaja, si: Alaan Publishers and Distributors, Salento Book SRLS, Eurasia 1618 LP, Perun Artis, Rilindja International Limited. Asociación La Tortuga Búlgara, Vakxikon Publications, Prozart Media, Clio d.o.o, Ramsay Éditions, Loreta Schilock.