(Plotësuar, 01:00) Austria është shpallur fituese e edicionit të 69-të të Eurovision Song Contest, me një performancë mbresëlënëse nga JJ me këngën “Wasted Love”, që i siguroi fitoren e madhe të këtij viti në natën finale të mbajtur në Bazel të Zvicrës, me 436 pikë.
Pas një garë të ngushtë dhe emocionuese, Izraeli u rendit në vend të dytë, me gjithsej 357 pikë, derisa Estonia përfundoi e treta me 356 pikë.
Austria kryesoi renditjen edhe me votat e jurive kombëtare të 37 vendeve që morën pjesë në festivalin e këtij viti, me 258 pikë, e ndjekur nga Zvicra me 214. Por kjo e fundit u zhgënjye nga publiku, pasi nga televotimi nuk mori asnjë pikë.
Ndërkohë, Shqipëria u rendit në pozitën e tetë, që është ndër më të lartat në përfaqësimin e saj në këtë festival prestigjioz. Përfaqësuar nga Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm”, Shqipëria grumbulloi 45 pikë nga juritë profesioniste dhe mori një mbështetje mahnitëse nga publiku, me plot 173 pikë nga televotimi, për një total prej 218 pikësh.
“Zjerm” e Shkodrës Elektronike “ndez” Bazelin
Plotësuar, 23:25) Në skenën e Eurovision 2025 në Bazel, Shqipëria shkëlqeu me një performancë që rrëmbeu vëmendjen e publikut evropian. Shkodra Elektronike interpretoi këngën “Zjerm”, një kompozim i guximshëm që ndërthur tingujt elektro-pop me motive autentike shqiptare.
Ky kombinim i rrallë krijoi një identitet të veçantë muzikor, duke sjellë në skenë një Shqipëri moderne që ruan me krenari trashëgiminë e saj kulturore. Performanca u dallua për energjinë e saj shpërthyese, koreografinë bashkëkohore dhe vizualet simbolike që pasqyronin motive kombëtare.
Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca janë vetë autorë të këngës “Zjerm”, derisa në tekst i ka ndihmuar edhe Lekë Gjeloshi.
Nis nata finale e Eurovision 2025 – drejtpërdrejt në RTK(Plotësuar 21.05) Ka nisur nata më e madhe muzikore e vitit në Evropë. Finalja e edicionit të 69-të të Festivalit Evropian të Këngës – Eurovision 2025 po mbahet në St. Jakobshalle në Bazel të Zvicrës, në një mbrëmje që premton spektakël, emocione dhe muzikë të paharrueshme.
Shfaqja nisi në orën 21:00 me një performancë energjike të përshtatur të fituesit të vitit të kaluar, Nemo nga Zvicra, me këngën “The Code”. Si zakonisht nata finale u hap me paradën e madhështore të 26 shteteve finaliste dhe artistëve të tyre, të cilët defiluan me flamuj përballë një publiku të zjarrtë.
Finalja do të zgjasë mbi katër orë, ndërsa fituesi do të shpallet në fundin e natës, pas votave të jurisë profesionale dhe publikut nga e gjithë Evropa e përtej.
Për publikun në Kosovë, nata finale po transmetohet në Radiotelevizionin e Kosovës, si dhe në RTKlive përmes livestream-it të dedikuar për territorin e Kosovës. RTK nuk ka të drejtë për transmetim në Facebook apo platforma të tjera digjitale, për shkak se një ekskluziviteti të tillë e ka organizatori.
Në mesin e 26 këngëve finaliste është edhe Shqipëria e përfaqësuar nga grupi Shkodra Elektronike, me këngën “Zjerm”, e cila do të mbyllë natën finale si performanca numër 26. Me një stil unik dhe mesazh të hapur artistik, ky krijim muzikor ka ngjallur entuziazëm të madh në mesin e publikut shqiptar dhe më gjerë.
Mbetet të shohin nëse “Zjerm” do të sjellë për Shqipërinë një rezultat historik në këtë edicion të Eurovisionit.
Prezantimi i finales i është besuar tri figurave të njohura të skenës zvicerane: Hazel Brugger, Michelle Hunziker dhe Sandra Studer.
Si zhvillohet votimi?
Sistemi i votimit për Eurovision 2025 ndjek modelin e dy viteve të fundit, duke ndarë pikët në dy kategori:
-
Juria kombëtare e secilit vend
-
Publiku përmes televotimit
Secili prej 37 vendeve pjesëmarrëse ndan dy grupe pikësh: nga 1 deri në 8 pikë, pastaj 10 dhe 12 pikë. E njëjta skemë zbatohet veçmas për jurinë dhe për televotimin.
Ndërkohë, edhe votat online nga vendet që nuk marrin pjesë në konkurs do të mblidhen dhe do të kenë peshë të barabartë me një vend pjesëmarrës, duke ndarë po ashtu pikë sipas të njëjtit sistem.
Procesi i votimit ndahet në dy faza:
-
Së pari shpallen pikët e jurisë, të cilat prezantohen nga një zëdhënës për secilin shtet.
-
Më pas shpallen pikët nga televotimi, të cilat përmblidhen dhe prezantohen në bllok për secilën këngë, duke nisur nga ajo që ka marrë më pak pikë nga publiku.
Vlen të theksohet se juritë kombëtare e kanë dhënë votën e tyre mbrëmjen e kaluar, më 16 maj, gjatë provës gjenerale të dytë.
Në rast se dy ose më shumë këngë përfundojnë me të njëjtin total pikësh, do të llogaritet një rezultat i kombinuar nga votat e jurisë dhe publikut për të përcaktuar fituesin. Në atë rast, përparësi ka kënga që ka marrë pikë nga më shumë vende të ndryshme.