At David Pepa, frati i Pejës i cili nuk iu shmang kurrë rrugës së nisun, shoqërues e përkthyes i Ismail Qemalit, të cilit iu besua sekreti shtetëror i Austrisë ku këta të fundit jo më kot quhen “Kumbarët e Pavarësisë së Shqypnisë!”
Frati shkodran At David Pepa i cili shërbeu në disa vende në trojet shqiptare, ndër to për disa vite shërbeu edhe në Pejë, ishte një poliglot me një kulturë të gjanë, duke marr dije fillimisht në Kuvendin Françeskan në Shkodër e cila njihej ndryshe si shkolla më e mirë në Shqipëri, dhe nuk ia lente mangut as shkollave më të njoftuna në Evropë në ato kohë. Shkollën e lartë e kreu në Grac të Austrisë.
Në ato vite të rënda të popullit shqiptarë, në një kohë pothuajse pa kohë, më 1912 nëpunësit e ministrisë së jashtme në Vjenë, kërkuen si përkthyes Atë Anton Harapin, por në mungesë të tij morrën At David Pepën kështu duke ia besuar sekretin shtetëror të Austrisë, si përkthyes në bisedimet e Ismail Kemal Bej Vlorës me kontin Berthold të Austrisë, ku konti Berthold i tha Ismail Qemalit që të delte sa ma parë në Shqypni për të shpallë pavarësinë, por Ismaili iu përgjigj: “Mirë se flamurin e kam, por nuk kam shtizë ku ta naltoj, dhe flamurin pa shtizë e merr çdo erë që fryn”. Atëherë Konti Berthold iu përgjigj: “Për shtizë të këtij flamuri keni bajonetën austriake.” Kishte ba gati që 40 mijë trupa të niseshin nga Bosnja në kufi të Malit të Zi.Ismail Beu plot gëzim iu përgjigj: “Kështu po, jam gadi, se vetëm kjo është garanci për shtetin e ri shqiptar. At David Pepën e ngarkuen me shoqnue Ismail Qemalin deri në Triestë, ku priteshin të tjerë shqiptarë”.