Gazetari i Ora Neës, Xhoi Malësia ka qenë duke transmetuar pamje live nga zona e 21 dhjetorit, kur është kapur nga policia. Ai ka qenë duke transmetuar live pamjet nga protesta dhe dëgjohet t’u thotë policëve që është gazetar dhe ka treguar dokumentin, policët e kanë shoqëruar.
Deri vonë në mbrëmjen e të enjtes gazetari ka qenë në komisariatin nr.2 në kryeqytet. Njëri prej të rinjve ka treguar se policët e veshur civil nuk lejonin askënd të filmonte, ndërkohë që gazetari i RTV Ora po raportonte live me celular në ato momente.
“E gjithë situata ishte sepse filluan civilët arrestimet dhe ne arrestoheshim se ishin bërë disa djegie aty. Xhoi para 2-3 minutash po filmonte live kur po digjeshin kazanët dhe erdhi zjarrfikësja. Filluan arrestimet dhe Xhoi po filmonte me celular live. Problemi i civilëve ishte “Hiqni celularët”. Edhe kur po kalonin makina të tjera, personave që po filmonin nga makina, u afroheshin te xhami dhe i thonin që të fiknin celularin. Unë isha afër me Xhoin, sepse i solla adaptorin për bateri. U tregonte që është gazetar. Në fillim e lanë të lirë civilët, më pas e arrestuan me uniformë. Edhe duke u thënë që është gazetar, për t’u identifikuan nuk e lanë dhe e arrestuan. Ishin një grup që u arrestuan”, tregon i riu.