Me urdhër të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës ka arrestuar 14 persona për ‘’hyrje në sistemet kompjuterike, mashtrimi dhe shpëlarje të parave. Ky aksion policor i zhvilluar në disa qendra të thirrjeve të njohura si ‘Call Center’ në disa lagje të Prishtinës, sipas njoftimit të Prokurorisë, është zhvilluar nga Drejtoria për hetimin e krimit të organizuar, respektivisht sektori për hetime të krimeve kibernetike.
Sipas njoftimit, Policia e Kosovës ka zbatuar autorizimin e lëshuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës si dhe urdhëresën e Gjykatës, që kanë të bëjnë me identifikimin e disa personave të dyshuar, arrestimin e tyre dhe marrjen në pyetje, kontrollin e lokacioneve të personave të dyshuar dhe sekuestrimin e provave.
Po ashtu, Prokuroria Speciale njofton se ky hetim disa mujor është bërë në bashkëpunim edhe me Autoritetet Gjermane.
“Ekziston dyshimi i bazuar se këta persona kanë regjistruar si biznes “Qendër të Thirrjeve” në Kosovë dhe përmes saj kanë komunikuar përmes telefonit me shtetas të ndryshëm përfshirë edhe gjermanë. Gjatë komunikimeve kanë arritur t’i mashtrojnë të dëmtuarit duke i shtyrë që të investojnë në platforma të ndryshme digjitale gjoja për investime. Për realizimin e mashtrimit të dyshuarit kanë përdorur edhe sistemin kompjuterik-përdorimi i softuerëve për qasje nga distanca si dhe krijimi dhe përdorimi i faqeve në internet”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Të njëjtit me këto veprime kanë kryer veprat penale ‘’Hyrja në sistemet kompjuterike’’ nga neni 327, ‘’Mashtrimi’’ nga neni 323 si dhe ‘’Shpëlarja e parave’’ nga neni 302.
Operacioni është zhvilluar në mbështetje të njësive të ndryshme policore, Njësitë e Krimteknikës dhe Njësia K-9.
“Gjatë këtij operacioni janë arrestuar katërmbëdhjetë persona të dyshuar të cilët janë kapur në flagrancë, përfshirë edhe të dyshuarin kryesor i cili është shtetas i huaj. Po ashtu, në cilësi të provave gjatë këtij aksioni janë sekuestruar sende të ndryshme të cilat do të përdoren në procedurë të mëtutjshme: 2 vetura; 167 kompjuter desktop; 3 kompjuter laptop; 21 telefona mobil; 2 DVR; 2 HDD; 2 USB memorie; dokumente të ndryshme dhe prova të tjera elektronike relevante për rastin”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale . Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, personat e arrestuar janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh.


