in

Armët ruse në Serbi, përmes vendeve të NATO-s dhe BE-së

Për lejen e transportimit të armëve ruse në Serbi, përmes vendeve të Bashkimit Evropian dhe shteteve të NATO-s, i është lënë secilit shtet anëtar të vendosë vetë, por drita jeshile, veçanërisht në rastin e vendeve të caktuara, mund të jetë një sinjal për mosmarrëveshje.

Gjatë dy vjetëve të kaluara, nga Rusia janë sjell dhe dorëzuar në Serbi, si blerje ose si donacion, sistemi rus i raketave anti-ajrore “Pancir S1”, tanket luftarake T-72 dhe automjetet e blinduara BRDM-2.

Sipas të dhënave dhe deklaratave të zyrtarëve, armët dhe pajisjet ushtarake u sollën në Serbi nga Federata Ruse përmes rrugëve ajrore dhe lumenjve. Të dhënat mbi fluturimet dhe transportin tregojnë se armët ruse arritën në Serbi, pjesërisht përmes territoreve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe të NATO-s.

Reagimi i vetëm, deri më tash, ka arritur nga Rumania, e cila në vitin 2019, bllokoi dërgimin e tankeve dhe transportuesve të blinduar rusë përgjatë Danubit.

Përderisa nga Komisioni Evropian thonë për Radion Evropa e Lirë se vendimet për lëshimin e lejeve për tranzit merren nga vendet anëtare të bllokut evropian, në mënyrë të pavarur dhe në përputhje me kompetencat e tyre. Ndërkaq, NATO-ja në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë është përmbajtur nga komentimi lidhur me atë që armët ruse të destinuara për Serbinë transportohen përmes vendeve anëtare të Aleancës.

Megjithatë, sipas Ted Galen Carpenter, bashëpunëtor i lartë për studime të mrojtjes dhe politikës së jashtme në Institutit Cato në Uashington, raportimet për bashkëpunimin e Bullgarisë për lehtësimin e dërgesave të armëve ruse në Serbi, mund të shkaktojnë mospajtime domethënëse brenda NATO-s.

„Teorikisht, të gjithë anëtarët e Aleancës kanë të drejtën sovrane për të marrë vendime të tilla. Por, realiteti është se anëtarët janë nën presion që të mos lëshohen në sjellje të pazakonshme në çështjet kryesore politike ose ushtarake“, tha Carpenter, duke shtuar se kjo ështe veçanërisht e vërtetë në rast se Shtetet e Bashkuara (SHBA), si udhëheqëse e NATO-s, kanë një qëndrim të fortë lidhur me këtë çështje.

Të gjitha detajet lidhur me transportimin e armatimit rus dhe pajisjeve ushtarake nga Rusia në Serbi janë shënuar si sekrete nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes. Radio Evropa e Lirë ka paraqitur një ankesë tek komisioneri për shkak se Ministria e Mbrojtjes ka refuzuar që të sigurojë informacionin e kërkuar në përputhje me Ligjin për qasje të lirë në informacione me rëndësi për publikun.

“JO“ e Rumanisë për transportin e automjeteve të blinduara ruse

Transporti i armëve ruse nga Rusia në Serbi tërhoqi vëmendjen e publikut në korrik të vitit 2019, kur Ministria e Punëve të Jashtmee Rumanisë, e cila është gjithashtu anëtare e BE-së dhe NATO-s, refuzoi të lëshojë një leje tranziti për 10 automjete të blinduara ruse BRDM-2, të cilat Rusia ia dhuroi Sebisë, duke arsyetuar vendimin me atë që sanksionet që Bashkimi Evropian i vendosi ndaj Rusisë në vitin 2014, për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë, janë ende në fuqi.

 

Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, kishte dekaruar atëherë që automjetet ishin sjellë përmes rrugës ajrore „përkundër kundërshtimeve të disave“, duke mos dhënë detaje më të shumta lidhur me atë se në çfarë mënyre është realizuar transporti.

„Për këtë nuk dëshiroj të flas. I kemi respektuar normat e të drejtës publike ndërkombëtare dhe gjithçka ka qenë në harmoni me marrëveshjen me Rusinë. Ia dolëm që t’i sjellim. Si dhe kah kanë ardhur, kjo është çështje e jona“, u ka thënë Vuçiq gazetarëve, më 29 korrik, në Nish, pas pranimit të automjeteve.

Ministria e Punëve të Jashtme e Rumanisë, në një përgjigje ndaj pyetjes së Radios Evropa e Lirë, ka theksuar që për dhënien e lejes për tranzit për transportimin e pajisjeve ushtarake, nevojitet plotësimi i disa kushteve, sikur që edhe leja mund t’i lëshohet vetëm një operatori rumun.

„Njëra prej këtyre kushteve thotë që shërbimi i ofruar nga operatori rumun, nën një leje tranziti, nuk duhet t’i shërbejë drejtpërdrejtë ose jodrejtpërdrejtë interesave të një individi, personi juridik, entiteti ose organi nga Federata Ruse dhe nuk duhet të jetë i destinuar për përdorim në Federatën Ruse“, ka thënë Ministria e Punëve të Jashtme e Rumanisë, duke u thirrur në një përgjigje të vendimit të vitit 2014 të Këshillit të BE për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë.

„Ky kusht, në rastin konkret, nuk ishte përmbushur, kështu që nuk ka qenë e mundur që të lëshohet leja nga ana e organit kompetent të Rumanisë“, ka thënë Ministria e Punëve të Jashtme e Rumanisë.

Si u dorëzuan automjetet e blinduara ruse?

Qeveria e Hungarisë, në shtator të vitit 2019, ka konfirmuar se ky vend, përkundër sanksioneve të BE-së, ka lejuar transportin e automjeteve të blinduara nga Rusia në Serbi, për shkak se ky transport është kryer me aeroplan civil, për çka nuk është e domosdoshme leja, kanë transmetuar mediat hungareze.

Në një përgjigje ndaj pyetjes së Radios Evropa e Lirë, Drejtoria e aviacionit civil të Serbisë, ka thënë se nuk posedon informacionin për aeroplanin civil nga Federata Ruse, i cili ka ateruar në territorin e Serbisë, në periudhën ndërmjet 26 dhe 29 korrik 2019.

Pas kërkesës së Radios Evropa e Lirë, faqja e internetit, FlightRadar24, e specalizuar për ndjekjen e fluturimeve, në bazë të të dhënave të disponueshme, paraqiti fotot e fluturimit nga data 26 korrik 2019, për të cilat thanë se korrespondonin me parametrat e kërkuar, gjegjësisht me të dhënat për një avion civil nga Federata Ruse që dorëzoi automjete të blinduara në Serbi.

Në fotografitë e dërguara shihet qartë që aeroplani nga Rusia, në drejtim të Serbisë , ka kaluar Detin e Zi dhe hapësirën ajrore të Bullgarisë, ndërsa për t’u kthyer, ai përdori hapësirën ajrore të Hungarisë, Sllovakisë, Polonisë dhe Bjellorusisë.

“Më 26 korrik, aeroplani Ilyushin IL-76 u ul në Beograd, rreth orës 3 pasdite (sipas kohës lokale) nga një destinacion në Rusi. Ai u nis për në Moskë rreth orës 17:40“, deklarojnë në FlightRadar 24, me vërejtjen se nuk e disponojnë rrugën e plotë dhe të gjitha të dhënat e fluturimit.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar instutuioneve kompetente në Sllovaki dhe Poloni.

Në një përgjigje me shkrim nga Drejtoria e aviacionit civil e Polonisë, kanë theksuar që nuk mund të konfirmojnë që ndonjë aeroplan transportues ushtarak rus për Serbinë, ka hyrë / ka kaluar nëpër hapësirën ajrore të Polonisë në korrik të vitit 2019.

„Drejtoria e avicionit civil të Polonisë nuk ka qenë e informuar për një fluturim dhe ngarkesë të tillë, ndërkaq që të dhënat që i disponojnë institucionet kompetente, nuk tregojnë që një fluturim i tillë është realizuar“, kanë deklaruar nga ky institucion.

Në anën tjetër, Ministria sllovake e Transportit, në një përgjigje ndaj pyetjes së Radios Evropa e Lirë, deklaroi se kishin marrë një kërkesë për një fluturim nga një operator i aviacionit civil rus, i cili rregullisht e përdorë hapësirën ajrore të Sllovakisë, në përputhje me rregullat e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO).

„Operatori na ka lajmëruar për dërguesin dhe pranuesin, prej të cilëve asnjëri nuk ka qenë i shënuar si organizatë ushtarake. Dërgesa është përshkruar me shprehjen e përgjithshme „automjete“ dhe operatori i aviacionit ka deklaruar që (ngarkesa) nuk përmban armë dhe municion“, ka theksuar Ministria e Transportit e Sllovakisë.

Gjithashtu, kjo ministri ka theksuar se e ka shqyrtuar kërkesën dhe ka dhënë leje për fluturim, marrë parasysh që janë dorëzuar të gjitha dokumentat e vlefshme të kërkuara, si dhe që „nuk ka pasur arsye ligjore që të refuzohet leja për fluturim“.

Opinioni ende është i privuar nga informacioni lidhur me atë se në pronësi të kujt ka qenë aeroplani civil, me të cilin janë sjellë në Serbi automjetet e blinduara ruse dhe as për atë se sa ka kushtuar transporti dhe kush i mbuloi shpenzimet e dërgesës së tyre në Serbi.

“Po“ e Bullgarisë për transportin e sistemit të mbrojtjes kundërajrore „Pancir S1“

Në fillim të marsit 2020, me dërgesën e katërt të pjesëve të sistemit kundërajror rus „Pancir“, është kompletuar sistemi i raketave, të cilin Serbia e bleu nga Rusia.

Sipas të dhënave të faqes së specializuar flightradar 24.com, aeroplani rus Antonov 24 „Ruslan“, ka nisur fluturimin nga aeroporti i Moskës „Vnukovo“, më 3 mars dhe në orën 12:59 të pasditës, sipas kohës së Evropës së Mesme, për të zbritur në aeroportin ushtarak në Batajnica, pas më shumë se katër orës fluturim. Ashtu si në rastin e automjeteve të blinduara, itinerari kaloi përsëri nëpër territorin e Bullgarisë.

Lini një Përgjigje

Policia arreston shqiptarin e Kosovës në Zvicër, mashtronte me aksidentet

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit