Nga ark Xhelal Llonçari
Kishte më shumë se një vjet që nuk kisha ardhur në shtëpi nga Durrësi. Atje tërë kohën kisha qenë i zënë me punët në realizimin e një projekti që s`më linte të merrja frymë. Tash u ktheva në Prishtinë. Nga mungesa ime relativisht e gjatë, me dukej disi ndryshe. Gjithçka kishte ndryshuar nga pak, por mjaftueshëm që ta kuptoja se nuk e kisha jetuar përditshmërinë e qytetit. Për fatin jo të mirë një mik i imi ato ditë ishte shtruar përsëri në spital edhe pse e kishte kaluar njëherë infektimin viral.
E mora makinën dhe u nisa. Te dera e spitalit, si i thuhej në të folur, edhe pse ishte qendër klinike universitare, me priti portieri që kishte rastisur jashtë shtëpizës ku rrinte zakonisht.
-Urdhëro: ku je nis?
-Në spital,- iu përgjigja.
Qeshi me qesëndi dhe ma këputi: -Allahile ku po rrnon ti”? a e din ti që ka pothuajse një vjet që me makina nuk mund të hyhet brenda oborrit të spitalit, bile as mjekët e as kurrkush , përveç autoambulancave dhe ndonjë rasti emergjent? Ja ku e ke garazhin,- më tregoi me gisht objektin aty afër, – lëre atje veturën e pastaj mund të hysh.
Pasi u lirova nga automobili të cilin e parkova në nivelin e tretë ne garazhin aty pranë që ishte ngritur kaherë por deri tash rrinte bosh. U ktheva dhe vazhdova me këmbë. Portieri më shikoi, nuk me foli, por me shikimin e tij të kënaqur sikur donte të thoshte: e tash mund të shkosh kah je nisë. Shpejtë me la befasia e hyrjes pasi tash habitesha me pastërtinë dhe rregullimin e mrekullueshëm të oborrit. Ai ishte mbushur me gjelbërim, ama shihej se ishte rregulluar nga një dorë qe dinte si bëheshin kopshtet. Kurorat e pemëve kishin në formë të rregullt, në mes të tyre kishte shkurre me madhësi, forma dhe gjethe të ndryshme. Gjithandej kishte trëndafila të ngjyrave, madhësive dhe aromave të subtile që t’i mbushnin mushkëritë me oksigjen të aromatizuar. Cicërimat e zogjve nuk ndaleshin.
Ajo që me kënaqi më se shumti ishte largimi nga oborri i spitalit i te gjitha objekteve me aktivitetet afariste, minimarkete, shitës ambulant, restorente me kuzhina të papastra dhe ato qe quheshin qebaptore. I kishin mënjanuar edhe koshat e plehrave. Pas pyetjeve qe i bëra, nga kureshtja, e mësova se ato tash mbaheshin në një bodrum të punuar enkas për to, ku siç me thanë kishte punëtorë që kujdeseshin për sistemimin e mbeturinave dhe largimin e tyre në mënyre efikase dhe të rregullt. Kopshti i spitalit ishte pajisur me drita solare me mobilie të bukura urbane me banka për pushim të pacientëve dhe vizitorëve, bile ato kishin të montuar nga një mbulese tip strehe që e bënin të mundur qëndrimin në to edhe kur rigonte shi edhe kur kishte diell.
Objekte ishin dekoruar me ngjyra të qelta dhe dukeshin shumë më të mira edhe nga ndikimi i ambientit që i rrethonin.
Kur arrita të dera e repartit të për sëmundjet e mushkërive, për ku isha nisur, më ndodhi e papritura e radhës. Simbas zakonit të mëhershëm shtyva krahun e derës ai nuk lëvizi, gati e godita me kokë nga pritëshmëria instiktive që të futesha brenda.
Nga brenda kujdestari i derës ma bëri me gisht duke ma treguar vendin ku ishte shkruar orari i vizitave. Ndërkohë kujdestari u afrua dhe ne përforimin që gjendej në xhamin e krahut të derës dhe më foli: “zotëri vizitën mund ta bëni nesër sipas këtij orari” dhe u ul në karrige sikur donte të ma bënte me dije se të gjithë tashmë e dinë këtë dhe ti mos vazhdo me ndonjë lutje për përjashtim, sepse me vetullat e ngrysura dhe vendosjen e të dy shuplakave mbi gjunjë e përforcoi mendimin e pathënë se çdo kërkesë eventuale e imja do të refuzohej.
Në të dal nga spitali kalova nëpër kokë disa pyetje, përgjigjet e të cilave i kisha të ditura nga hera. Kjo gjendje e mrekullueshme sikur ma bënte me dije se më në fund ndoshta është rivendosur pronari edhe pse nga emri duhej të ishte e qartë Qendra Klinike Universitare e Kosovës, por deri tash përveç përzgjedhjes së stafit akademik UP nuk kishte ndonjë ndikim tjetër në pronën e vet. Pastaj e mendova për të satën herë: pse nuk e kanë bërë këtë më herët kur nuk kushton shtrenjtë mbase vetëm një zotshpillëk i mire dhe pak para të cilat me siguri kishin për ti dhënë kompanitë e shumta në formë dhurate.