Nëse e keni në plan për të bërë pushime, bëni pushimet në vendet tona shqiptare, më saktësisht në Shqipëri. Shpenzoni në vendin tuaj, duajeni dhe ruajeni si dy sytë e ballit. Mos u ushqeni nga lajmet prej kuzhinave propagandistike serbe kundër Shqipërisë. Keni ankesa apo nuk jeni të kënaqur në njërën nga plazhet shqiptare? Ngulni këmbë, denonconi, qëndroni. Sa harxhoni paratë në vende të huaja, si në Turqi, Greqi e të tjera, harxhoni së paku në Shqipërinë tuaj. Mos e shiko Shqipërinë në aspekt negativ vetëm se keni hasur në një shërbim të keq në një hotel, vetëm se kamarieri është treguar i pasjellshëm, vetëm se një person të ka shikuar shtrembër.. Mos t’ua nxjerr nga zemra Shqipërinë vetëm një shembull i keq.
Shqipëria është përtej kësaj, përtej rasteve të caktuara, përtej çdo personi. Shqipëria nuk është e askujt veç e veç, por e të gjithëve bashkë. Shikoje Shqipërinë si shtëpinë tënde, me sy të ngazëllyer, sikur kur e sheh se shtëpia jote është bërë për renovim dhe do investim; kur e sheh se toka është bërë pa punuar dhe do punim; kur e sheh që fëmiu yt është sëmurë dhe do shërim.Kështu është edhe Shqipëria. Ajo është e jotja dhe shihe si të tënden.
Ti nuk ke atdhe tjetër. Kudo që të shkosh, në çdo cep të botës, ti je i huaj, vetëm në Shqipëri je vendas. Nuk po them të mos lëvizësh askund tjetër, por 80% të herave kaloje në Shqipëri dhe 20% jashtë vendit.