Lauren Spaho, 20-vjeçari, kishte shkuar në Suedi 7 muaj më parë. Punonte në ndërtim.
I riu shqiptar nga Korça është vrarë në mënyrë brutale në Suedi, ku është qëlluar mbi 25 herë me thikë nga disa arabë.
Ngjarja ka ndodhur më datë 8 maj në qytetin Karlstad të Suedisë, por nuk ishte bërë publike. Spaho ka qenë në një disko bashkë me disa bashkëmoshatarë të tij arabë.
Në disko ka nisur një sherr midis bashkëmoshatarëve të 20-vjeçarit dhe Laureni ka ndërhyrë për t’i ndarë bashkëmoshatarët e tij, por më pas pasi kanë dalë nga disko, grupi i të rinjve me kombësi arabe kanë sulmuar brutalisht të riun shqiptar duke e goditur mbi 25 herë me thikë.
20-vjeçari është dërguar në spital ku ka qëndruar 24 orë në gjendje kome dhe më pas fatkeqësisht ka ndërruar jetë. Për ngjarjen, policia suedeze fillimisht ka shoqëruar 9 arabë dhe më pas është dhënë masa arrest me burg për 5 prej tyre.Edhe dy të tjerë janë liruar më pas dhe tashmë në burg për krimin ndodhen 3 persona.
Autoritetet suedeze kanë lajmëruar autoritetet shqiptare dhe më pas policia shqiptare ka lajmëruar familjen e 20-vjeçarit për ngjarjen e rëndë.
Edhe pse kanë kaluar 10 ditë, familja e 20-vjeçarit po has vështirësi për marrjen e trupit të djalit të tyre dhe sjelljen në Shqipëri. Në një komunikim për News24 familja e 20-vjeçarit pretendon se autoritetet shqiptare nuk i janë përgjigjur kërkesave të tyre për ndihmë që të marrin trupin e djalit të tyre.
Madje babai i Laurenit ka tentuar vetë të shkojë në Suedi që të marrë trupin e djalit, por nuk është lejuar. Po ashtu familjarët pretendojnë se ambasada shqiptare në Suedi nuk i ka ndihmuar.
Ndërsa autoritetet suedeze kërkojnë që të përfundojnë të gjitha procedurat hetimore dhe nuk po lejojnë marrjen e trupit të 20-vjeçarit nga familja.