Shkruan: Avokati Zanfir Kryeziu
Ymer Jaka, më tutje shkruan: Në një letër dërguar Forin Ofisit lidhur me raportin e majorit Simkoks (Simcox), koloneli Boksholl (Boxhall) propozon që të ndërmerren veprimet si vijon: «Që kopja e raportit të majorit Simkoks t’i vihet në dispozicion ambasadës sonë në Beograd; t’i bëhet parashtresë Qeverisë Jugosllave, të mbështetur në fakte, aq sa i dimë, që të arrijmë që dënimi i padrejtë të shfuqizohet; po të dalë kjo punë e pamundshme, t’i japim publicitet të zgjeruar në shtyp dhe nëpërmjet BBC-së për faktet e vërteta që i njohim dhe t’i nxjerrim në shesh akuzat e kurdisura, nëpërmjet të cilave një patriot i ndershëm është dënuar, dënim ky që duhet të jetë i palejueshëm».22
Një muaj më vonë, menjëherë pas shqiptimit të dënimit të Gani Kryeziut zyrtarët britanikë ndërhynë te zyrtarët jugosllavë për heqjen ose uljen e dënimit të shqiptuar.
Kështu, në një letër dërguar gjeneralit Velebit, zëvendës sekretarit të shtetit të Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, sekretari i parë i ambasadës britanike në Beograd, F. U. Dikin, ndër të tjera shkruan: «Siç e dini, Gani Kryeziu bëri shërbime me vlerë duke i përkrahur Aleatët gjatë luftës, prandaj ne e kemi shqyrtuar akuzën e paraqitur kundër tij në dritën e dëshmive të siguruara nga oficerët ndërlidhës britanikë të cilët […] janë të bindur se ka pak mbështetje për akuzën sipas të cilës Kryeziu është dënuar dhe do t’ju jem mirënjohës në qoftë se ua tërhiqni vërjetjen autoriteteve jugosllave për dëshmitë të cilat i bashkëngjita me qëllim që dënimin e Kryeziut ta shfuqizojnë ose ta ulin».23
Deri në muajin maj të vitit 1946 Forin Ofisi iu drejtua dy herë Gjykatës Civile në Beograd me kërkesën që të njoftohej a i ishte dhënë ndonjë përgjigje letrës së Z. Dikin dërguar gjeneralit Velebit.24
Gjykata Civile e Beogradit, me letrën dërguar Forin Ofisit lidhur me letrën e Dikinit përgjigjet se gjenerali Velebit, pas bisedës me ministrin e brendshëm, gjeneralin Rankoviq, kishte deklaruar se «brenda gjashtë muajve ose vitit të ardhshëm Kryeziu mund të amnistohej».25
Në një letër të Forin Ofisit dërguar Gjykatës Civile në Beograd, pas pohimit se e kishte të qartë se në rrethanat ekzistuese Gani Kryeziu nuk mund të lirohej nga burgu, shtohet: «Ne mund ta shtrojmë përsëri çështjen e padisë pas disa muajsh dhe të përpiqemi ta përshpejtojmë amnistinë e tij».26
Gjashtë muaj më vonë, Forin Ofisi në një letër drejtuar Gjykatës Civile shtron pyetjen: «A mund të na tregoni a është amnistuar Kryeziu, a mendoni se bën ta ngremë prapë këtë çështje me autoritetet jugosllave».27
Pas kësaj letre në dosjen për Gani Kryeziun, të ruajtur në Arkivin e Forin Ofisit, për një periudhë njëvjeçare nuk ndeshim në asnjë dokument. Dokumenti i parë pas atij të fundit të vitit 1946 është një letër e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Jugosllavisë drejtuar Ambasadës së Britanisë së Madhe në Beograd, sipas së cilës del se kjo ambasadë me notën e datës 19 dhjetor të vitit 1947 i ishte drejtuar Ministrisë së sipërpërmendur me kërkesën që të amnistohej Gani Kryeziu.28 Ministria e Punëve të Jashtme e Jugosllavisë kësaj kërkese i përgjigjet: «I lartpërmenduri është duke e vuajtur ndëshkimin me të cilin është dënuar nga gjykata kompetente ngase ka bashkëpunuar me armikun gjatë luftës. Duke qenë se kushtet për amnisti të parapara me ligj nuk janë plotësuar, Gani Kryeziu do të mbetet në burg deri sa ta përfundojë dënimin».29
Kjo ndërhyrje e ambasadës së Britanisë së Madhe lidhet me një letër të cilën e kishte marrë njëri ndër anëtarët e Misionit anglez në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, Xhulian Emëri (Julian Amery), nga Said Kryeziu se i vëllai, Ganiu, kishte vështirësi shëndetësore me mushkëritë dhe shtypjen e gjakut dhe se frikësohej se mund të vdiste në qoftë se së shpejti nuk lirohej nga burgu.
Ky qëndrim i ashpër i Beogradit shpjegohet me gjendjen e krijuar pas acarimit të marrëdhënieve të Jugosllavisë me Bashkimin Sovjetik, marrëdhënie këto që përfunduan me Rezolutën e Informbyrosë të muajit qershor të vitit 1948, kur vendet e bllokut komunist i ndërprenë të gjitha marrëdhëniet me Jugosllavinë.
Një pandehmë e këtillë mund të mbështetet në një letër të Gjykatës Civile të Beogradit drejtuar Forin Ofisit në të cilën, lidhur me mundësinë e lirimit nga burgu të Gani Kryeziut, kjo Gjykatë përgjigjet: «Ne kemi frikë se në rrethanat e tanishme, kur jugosllavët duan të tregojnë se janë më komunistë se Moska, çdo bashkëpunim i mëtejmë i drejtpërdrejtë me ne do t’i shkaktojë më shumë dëm se dobi Kryeziut. Në anën tjetër ne mendojmë se është e mundshme që jugosllavët mund të mendojnë se ia vlen mbajtja gjallë e Kryeziut si një kërcënim potencial kundër shqiptarëve. Në rast se ekzistenca e tij ka qenë e harruar në shtyp për çështje të tjera, ambasadori pajtohet ta përmendë këtë rast në rrjedhën e dialogut me një anëtar më të vjetër të partisë jugosllave i cili ka qenë asistent i ministrit të Punëve të Jashtme kur do ta ketë mundësinë e parë. Kemi frikë se kjo është e tëra që mund të bëjmë për Kryeziun në këtë moment».30
Në dosjen e ruajtur në Arkivin Kombëtar të Britanisë së Madhe gjendet një dokument me rëndësi të posaçme. Tri javë pas dënimit të Gani Kryeziut nga gjykata serbe, në letrën e datës 16 nëntor 1945, të nënshkruar nga Boksholli, drejtuar Forin Ofisit për ndërhyrje në të mirë të Gani Kryeziut, ndër të tjera ai shkruan:
«Më bën përshtypje edhe një arsye tjetër e cila do të ketë mundur ta shtyjë Titon t’ia marrë lirinë Gani Beut, që mund të lidhet me faktet vijuese:
Ju mund të mbani mend se një herë është raportuar që Titoja ka deklaruar se do të pajtohet lidhur me referendumin në rajonin e Kosovës, po qe se ajo do të mbetet në Shqipëri ose t’i rikthehet Jugosllavisë. Kur gjermanët u mundën, Titoja e ndryshoi këtë qëndrim dhe me sa duket e njoftoi Enver Hoxhën se Kosova duhet t’i mbetet Jugosllavisë, ashtu si kishte qenë para luftës.
Hoxha kurrë nuk ka pasur guxim t’ia japë këtë lajm popullit shqiptar. Mund të jetë kjo arsyeja përse Ganiu e nisi betejën “Kosova për shqiptarët”, ai mund ta kishte pasur shumicën e fshatarëve prapa tij, duke krijuar në këtë mënyrë mosmarrëveshje midis jugosllavëve dhe shqiptarëve».31
Sa na është e njohur, deri tani nuk është bërë fjalë për këtë deklaratë që i atribuohet Titos. Dokumenti në të cilin përmendet kjo deklaratë mban datën 16 nëntor 1945, pra është i një periudhe para se Titoja të takohej me Enver Hoxhën në Beograd, në vitin 1946, kur dihet se kur ky i fundit e ngriti çështjen e Kosovës, mori përgjigje nga Titoja se për këtë çështje nuk mund të diskutohej ngase do të haste në kundërshtimin e udhëheqësve serbë. Mbetet që historianët të cilët merren me studimin e kësaj periudhe të historisë sonë të bëjnë hulumtime lidhur me këtë pohim të një anëtari të misionit anglez në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Sa i përket Gani Kryeziut, si po del nga dokumentet e ruajtura në Arkivin Kombëtar të Britanisë së Madhe, qeveria britanike bëri orvatje energjike dhe të vazhdueshme për t’i dalë në ndihmë aleatit të saj në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke e ngritur çështjen e tij deri në shkallët më të larta të pushtetit jugosllav të asaj kohe, në takimet e zyrtarëve britanikë me zëvendës sekretarin e shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Vlladimir Velebitin, me ministrin e Punëve të Jashtme, Ivan Shubashiqin dhe me vetë mareshalin Tito, mirëpo pushteti jugosllav te Gani Kryeziu shihte një armik të rrezikshëm, prandaj nuk lëshoi pe ndaj të gjitha trysnive britanike dhe ishte i vendosur jo vetëm të mos e lironte nga burgu, por as të mos e lëshonte të dilte i gjallë, ashtu si veproi.
Këto dokumente hedhin dritë për periudhën e fundit të jetës së Gani Kryeziut, për orvatjet e qeverisë britanike për t’i dalë në ndihmë, për ndërhyrjet e Said Kryeziut pranë autoriteve britanike për ta shpëtuar të vëllain nga vdekja dhe njëherësh nxjerrin në shesh karakterin e Lëvizjes Kryeziu, luftën e saj kundër nazifashizmit, synimin e saj për ta çliruar Kosovën nga zgjedha serbe dhe për bashkimin e saj me Shqipërinë.
Nga këto dokumente del se misionarët anglezë me të cilët bashkëpunoi Gani Kryeziu kishin mendim të lartë për personalitetin e tij, për bashkëpunimin e tij pa hile kundër nazifashizmit dhe se tek ai shihnin një atdhetar të paepur, i cili luftoi për lirinë e popullit të tij. Nuk ka dyshim se Gani Kryeziu nuk e pësoi fatin e të vëllait, Hasanit, dhe të 22 bashkëluftëtarëve të tyre, të cilët u vranë mizorisht në Hereç, për shkak të frikës nga rrjedhimet në marrëdhëniet që kishte në atë kohë Jugosllavia me Britaninë e Madhe, mirëpo megjithatë nuk mundi t’i shmangej burgosjes, dënimit dhe vdekjes në burg, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë britanike për ta liruar nga burgu dhe për ta shpëtuar nga vdekja.