Ambasadori serb në Mal të Zi, Vladimir Bozhoviç u shpall persona non-grata nga Ministria e Punëve të Jashtme të këtij vendi dhe iu kërkua që t’a lëshoj Malin e Zi sa më parë. Arsyeja u tha se ishte për shkak të provokimeve të tij të vazhdueshme duke u përzier në punë të brendshme të Malit të Zi.
Më 24 nëntor të vitit 1918 u organizua Asambleja e Madhe Kombëtare e Popullit Serb në Malin e Zi që njihet si Asambleja e Podgoricës. Aty, me urdhër të autoriteteve serbe që kishin nën kontroll territorin e Malit të Zi, u vendos që ky vend t’i aneksohej Serbisë pa kurrfarë kushte. Jo shumë kohë më pas u krijua edhe Jugosllavia. Popullata e Malit të Zi, si dhe instancat ndërkombëtare e kanë cilësuar këtë Asamble si të paligjshme, të turpshme dhe akt agresor nga ana e Serbisë që ia shoi pavarësinë këtij vendi deri më 2006-tën kur e rifitoi atë.
“Dje, Ambasadori Bozoviç e cilësoi Kuvendin e paligjshëm dhe të palegjitimuar të Podgoricës të vitit 1918 si ‘çlirim’ dhe ‘vullnetin e lirë të popullit malazez’, kështu edhe një herë në mënyrën më të drejtpërdrejtë, nënçmoi shtetin që i dha mikpritjen diplomatike,” shkruante deklarata e lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi e cila e shpalli atë persona non-grata.Dihet se në marëdhëniet diplomatike, nëse një diplomat i huaj shpallet non-grata (i padëshiruar) nga shteti pritës, atëherë atyre iu heqet mbrojtja dhe imuniteti diplomatik, duke i lënë ata të hapur ndaj arrestimit dhe përndjekjeve të tjera penale.
Sipas Nikolla Gjurashkoviçit nga Partia Social Demokrate vetëm dikush që “nuk ka asnjë lidhje me historinë ose faktet dhe që nuk respekton Malin e Zi dhe Malazezët mund të thotë se Asambleja e turpshme e Podgoricës ishte një ‘shprehje e lirë e vullnetit të popullit”. “I ashtuquajturi bashkim i Malit të Zi me Serbinë në nëntor të vitin 1918, u krye jo vetëm kundër vullnetit dhe disponimit të popullit malazez, por edhe me ndihmën e bajonetave të ushtrisë serbe, dhe në mënyrën më të vrazhdë, përmes forcës dhe mashtrimit”, tha Gjurashkoviç.Në vend që t’i afrojë këto dy vende fqinjë me shembullin dhe pozicionin e tij, ambasadori serb Vladimir Bozhoviç duket se po përpiqet t’i dëmtojë përfundimisht marrëdhëniet me Malin e Zi dhe popullin malazez me deklaratat e tij, beson Gjurashkoviç.
Edhe deklarata e autoriteve malazeze konfirmon se sjellja e ambasadorit serb ishte e pahijshme për një diplomat. “Pas një kohe të gjatë ndërhyrjesh të vazhdueshme në punët e brendshme të Malit të ZI, deklaratave dhe sjelljeve që nuk përkojnë me standardet e zakonshme dhe të pranueshme të zyrës diplomatike, dhe pas shumë paralajmërimeve verbale dhe me shkrim mbi papranueshmërinë e një sjelljeje të tillë,” u vendos që në përputhje me nenet 9 dhe 41 të Konventës së Vjenës mbi privilegjet dhe imunitetet diplomatike, Bozhoviç të deklarohej persona non-grata dhe u kërkua nga ai që ta lëshonte vendin sa më parë.
Ata thanë se ai gjithashtu poshtëroi organin më të lartë legjislativ dhe përfaqësues të vendit – Parlamentin e Malit të Zi, i cili më 29 nëntor 2018 miratoi një Rezolutë mbi anulimin e vendimeve të Asamblesë së Podgoricës e cila, siç pretendojnë ata, shfuqizoi ish-sovranitetin e Malit të Zi, aneksoi territorin e mëparshëm brenda Mbretërisë së Serbisë dhe rrëzoi me forcë mbretin malazez Nikola Petroviç Njegosh. Vijesti