Sherif Ramabaja
Shtrohet pyetja si do të reagonin Stalini, Mao Ce Duni apo Enver Hoxha, ndaj një deklarate të tillë. A do të çmendeshin tërësisht, apo do ta fillonin ndonjë luftë të re botërore ?
Apo si do të reagonin sot enveristët, komunistët, socialistët dhe elementët e tyre në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginë, Mal të Zi etj. ndaj një pohimi të tillë. Po të kishin mundësi, ndaj pohimeve dhe reagimeve të tilla, do të pushkatonin njerëz, do të torturonin, do të burgosnin, do të internonin dhe në emër të armiqve të popullit, do të bënin mizori ashtu siç kanë bërë në të kaluarën.
Këtë deklaratë se Hitleri ishte komunist dhe socialist e bëri Alice Weidel, AFD (Gjermani), parti e cilësuar si naziste, me Elon Musk në platformën X.
Pse deklaroi Weidel kështu? Është shumë e qartë se partia e saj vëzhgohet nga kushtetuesja gjermane, si parti naziste dhe ka kërkesa të fuqishme nga opinioni demokratik, që të ndalohet tërësisht veprimtaria e saj partiake. Pra Weidel deshi ta rishkruaj historinë dhe të deklaroi se Hitleri ishte socialist dhe komunist, kurse ne jemi e kundërta e tij, pari e së djathtës.
Dhe duke tentuar që ta shtrembëroi të vërtetën historike, në mënyrë që t´u ikte akuzave të cilat u bëhen, ajo në realitet, pa vetëdije, e demaskoi veten dhe partinë e saj.
Në këtë rast mund të falënderohet Elon Musk, i cili për interesin e tij personal, në mënyrë që të sillte në pushtet njerëzit e ekstremit të djathtë dhe populistët, të cilët i përgjigjen atij për përfitim ekonomik dhe financiar, pa qëllim i demaskoi në atë shkallë, që mund të thuhet se shënuan gol në portën e tyre.
Sipas kësaj tragji – komedie, nëse Hitleri paska qenë socialist e komunist, shtrohet pyetja se cilët ishin Marksi, Engelsi, Lenini, Stalini e Enver Hoxha. Po të vërtetohet kjo tezë, atëherë të gjithë të lartpërmendurit, duhet të kenë qenë të fashistë, ndoshta pa e ditur kurrë se Hitleri ishte komunist, e ata fashistët.
Se a ka përfituar nga kjo bisedë Alice Weidel dhe partia e saj AFD, është vështirë tash për tash të thuhet, po aty u thanë edhe shumë të pavërteta si edhe nga Elon Musk, kur e prezantoi zonjën Weidel si politikane të pëlqyer dhe me reputacion të lartë në Gjermani, kurse për partinë e saj AFD, tha po ashtu se është partia e vetme e cila mund ta shpëtoi Gjermaninë.
Ndërsa Kara Swisher, gazetare shumë vjeçare nuk befasohet nga fushata elektorale e Musk për populistët e krahut të djathtë gjerman. Ai po shkakton telashe kudo. Si duket suksesi i tij në SHBA e ka inkurajuar atë, tha Swisher për SNN. Ai përhap dezinformata dhe shikon se truket e tij, a mund të funksionojnë edhe gjetiu. Dhe shpesh i ndodh kjo, u shpreh ajo.
Megjithatë, është shumë karakteristike se gjithnjë e më shumë institucione po largohen nga platforma e tij X. Në fund të nëntorit, tre gazeta nga Britania e Madhe, Spanja dhe Suedia e ndërprenë bashkëpunimin me platformën X të Elon Musk.
Po ashtu edhe Gjemania, sipas komisioneres federale kundër diskriminimit, Ferda Atmann, do të duhej të largohej nga platforma. Disa sindikata veçse e paralajmëruan largimin.
Sot, po ashtu më shumë se 60 universitete gjermane e paralajmëruan largimin e tyre nga platforma e mediave sociale, në shenjë proteste kundër radikalizmit në rritje të diskursit të platformës X të Elon Musk.