Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare
Novelat e Migjenit janë modeli më përfaqësues i tendencave për të sjellë risi në formë dhe përmbajtje, por edhe për t’i gjurmuar personazhet brenda qenies së tyre psikike e shpirtërore. Kjo vërehet pothuajse në të gjitha novelat e tij të cilat strukturohen si një tërësi, duke pasur të përbashkët personazhe dhe karaktere të llojllojshme përgjatë rrëfimit herë si storje faktike, e herë si dëshmi estetike. Kështu që, kumtesa jonë do të fokusohet te një sërë karakteristikash e fenomenesh letrare, që sistematikisht zhvillohen dhe evoluojnë në prozën e Migjenit, qoftë ajo novelë, tregim apo prozë poetike.
Autori hyn në botën e karaktereve që zhvillohen dhe evoluojnë në një luftë të pabarabartë me konvencat sociale, goditjet nga fryma dominuese prej nga provohet përmbysja e ideve, duke trajtuar (tabu) tema që bien ndesh me modelin e sjellës kulturore dhe sociale të asaj kohe, si: heqja e ferexhesë, shthurja si rrjedhojë e prostitucionit, fenomeni i incestit dhe i homoseksualitetit, thyerjet shpirtërore dhe depresionet kolektive sistematike etj.
Në këtë kontekst, fryma e vetmisë, e dëshpërimi dhe e mjerimit bëhen veçori e poetikës së Migjenit, prandaj Novelat e qytetit të veriut shquhen për mënyrën se si thuhet, dëshmohet e tregohet rënkimi i autorit, meqë jo pak janë të lidhura me shenjat autoriale, porse të shkruara në frymën e letërsisë evropiane, sidomos në formë e ide, strukturë tematike e narrative. Migjeni dallohet për shpërthimin emocional të brendshëm që e ka në suaza të ekspresionizmit për të shprehur vuajtje e dhimbje shpirtërore nëpërmjet rrëfimit të të tjerëve në plan tërësisht estetik, për ta ndjerë dhe besuar më thellë lexuesi semiotik.
Prandaj, këtu e tutje, teksti i Migjenit do të hetohet, analizohet dhe interpretohetsistematikisht në të gjitha nivelet tekstuale për të zbuluar çdo shenjë që mund të hyjë në funksion të poetikës narrative dhe ideoestetikës migjeniane.