Më shumë se 42 vjet pas sulmit vdekjeprurës në një sinagogë në Paris, një gjykatë e këtij qyteti dënoi një akademik libanezo-kanadez për kryerjen e sulmit.
Gjykatësit konstatuan se Hassan Diab, 69 vjeç, ishte i riu që vendosi bombën në motoçikletë pranë sinagogës Rue Copernic, më 3 tetor të vitit 1980.
Katër persona u vranë dhe 38 të tjerë u plagosën në sulm.
Diab refuzoi të merrte pjesë në gjyq, por gjyqtarët e dënuan atë me burgim të përjetshëm.
Sulmi në sinagogën Rue Copernic ishte i pari që kishte në shënjestër hebrenjtë në Francë, që nga Lufta e Dytë Botërore.
Diab, libanez me origjinë palestineze, i cili mori shtetësinë kanadeze në vitin 1993 dhe ligjëron lëndën e Sociologjisë në Otavë, u identifikua për herë të parë si i dyshuar në vitin 1999.
Tetë vjet më vonë, francezët lëshuan një urdhër arresti ndërkombëtar për të dhe në vitin 2014 Kanadaja pranoi ta ekstradojë.
Në vitin 2018, megjithatë, gjyqtarët francezë e shpallën rastin të mbyllur, për shkak të mungesës së provave, duke e lejuar Diabin që të kthehej në Kanada.
Në vitin 2021, pastaj, Gjykata e Lartë në Paris miratoi apelin kundër mbylljes së rastit – gjë që i hapi rrugë gjyqit që nisi në fillim të këtij muaji.