Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore
Sot Ismail Kadare mbush 85 vjet. Për ta shënuar këtë përvjetor Akademia e Shkencave e Shqipërisë do të organizojë veprimtarinë shkencore, “Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar në letërsinë botërore”.
Ky aktivitet do të mbahet në ditëlindjen e shkrimtarit në sallën e AShSh-së dhe sipas njoftimit të akademisë do të ketë kumtesa për konributin letrar të Kadaresë.
“Pas këtyre kumtesave, do të jepet njoftimi për rikandidimin e shkrimtarit Ismail Kadare për çmimin Nobel në Letërsi nga kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, dhe më pas do të çelet ekspozita fotografike me foto dhe dëshmi që lidhen me momente kyçe të jetës së shkrimtarit, përgatitur nga Roland Tasho”, thuhet në njoftimin e ASHSH-së në Facebook.
Ismail Kadare ka lindur në Gjirokastër më 1936. Ai është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.
Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke e bërë atë përfaqësuesin kryesor të letërsisë shqipe nëpër botë.
Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore. Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit Frymëzimet djaloshare, 1954, “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal; rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare.
Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Ideja e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1975). Në romanin Kronikë në gur (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike.
Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela Emblema e dikurshme (1977), Ura me tri harqe (1978) dhe Gjakftohtësia (1980). E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani Pallati i ëndrrave (1981). Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë.
Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.
Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Që nga v. 1994 I.K. është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës dhe anëtar i jashtëm i ASHAK.
Isamil Kadare është anëtar i disa Akademive, ndërsa ka fituar pothuajse të gjitha çmimet letrare prestigjioze që ndahen nga vende të ndryshme. Ka vite që ai është në garë për çmimin NOBEL.
Mori dia çmime prestigjioze ndërkombëtare, në Evropë, Amerikë dhe në Azi.
Kadare mban titullin francez, “Komandant i Legjionit të Nderit”.