Nga Wolfram Weimer
Presidenti turk po e kërcënon Izraelin me luftë dhe po e pozicionon veten si udhëheqës ushtarak i Islamit. Në Evropë, kërcënimi i tij nuk merret seriozisht. Ky mund të jetë një gabim fatal, sepse Erdogani është i pamëshirshëm. Ai ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO dhe, si Putini, është i njejtë, për vepra historike.
Është një përzierje e një kërcënimi të hapur dhe një shpallje lufte. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan njofton për një ndërhyrje ushtarake në Izrael. Ndërhyrja e dhunshme nuk është formuluar si mundësi apo e kushtëzuar në asnjë mënyrë. Erdogan nuk thotë “mundemi” apo “nëse…atëherë” apo “duhet”, ai thotë “do ta bëjmë”. Kërcënimi është i qartë: “Ashtu siç shkuam në Nagorni-Karabakh, ashtu siç shkuam në Libi, ne do të bëjmë të njëjtën gjë edhe me Izraelin”.
Meqenëse një sulm turk ndaj Izraelit do ta zhyste Lindjen e Mesme në një luftë të madhe ushtarake, shumë diplomatë evropianë po e minimizojnë kërcënimin. Ekspertët e Lindjes së Mesme që e kuptojnë Erdoganin raportojnë se ai nuk është serioz, është një skuadron famëkeq dhe flet shumë kur dita është e gjatë. Me urrejtje të madhe ndaj Izraelit, Erdogan dëshiron vetëm të fitojë pikë me votuesit e tij radikalë, për politikën e brendshme dhe të shkëpusë vëmendjen nga kriza ekonomike (inflacioni aktualisht është në 71.6 përqind). Në rastin më të mirë, Erdogan do t’u japë palestinezëve pak më shumë mbështetje.
Ky qëndrim banalizues ka karakterizuar prej muajsh edhe politikën gjermane ndaj Turqisë. Kancelari Olaf Scholz dhe presidenti federal Frank-Walter Steinmeier shtruan tepihin e kuq për Erdoganin, vetëm pak javë pas 7 tetorit, edhe pse ai ishte bërë një zëdhënësi ndërkombëtar për urrejtjen ndaj Izraelit dhe solidaritetin me Hamasin.
Në gjurmët e osmanëve
Analizat e reja të inteligjencës po paralajmërojnë tani qeveritë evropiane se potenciali i Erdoganit për dhunë, mund të nënvlerësohet rrezikshëm – ngjashëm me qëllimet ushtarake të Putinit, pak para pushtimit të Ukrainës. Shërbimet sekrete theksojnë se Erdogan ka ndryshuar në mënyrë shumë specifike doktrinën e tij ushtarake, në agresion dhe ndërhyrje. Operacionet ushtarake të Ankarasë në Siri, Somali, Libi dhe Azerbajxhan, pasuan një plan neo-otoman të zgjerimit të drejtuar nga besimi Isam. Më shumë se 60,000 ushtarë turq janë tashmë aktivë në misionet e huaja, më së fundi në Azerbajxhan, ku ata u përfshinë në spastrimin etnik dhe dëbimin e të krishterëve armenë nga Nagorni-Karabakh.
Erdogan tashmë kishte shpallur një manifest islamist në festimet për 100-vjetorin e Republikës Turke dhe bëri thirrje hapur për një luftë fetare.
Me një forcë trupash prej rreth 450,000 ushtarësh aktivë dhe 380,000 rezervistësh, Turqia është forca e dytë më e fortë ushtarake në NATO pas SHBA-së dhe Erdogan po riarmatoset masivisht. Vitin e kaluar, shpenzimet e mbrojtjes u rritën me 37 për qind në 16 miliardë dollarë. Për vitin aktual, shpenzimet pritet të rriten me 150 për qind në 40 miliardë. Arsenali i armëve i zhvilluar vetë, i paraqitur me krenari varion nga dronët Bayraktar, te raketat me rreze të shkurtër “Tayfun”, deri te avioni luftarak i quajtur “Kaan”. Ekspertët ushtarakë paralajmërojnë se riarmatimi masiv dokumenton synimet e Erdoganit, për të përdorur fuqinë e tij të madhe ushtarake.
Gaza nuk është ndryshe nga Adana
Në fakt, Erdogan nuk po qëndron vetëm në solidaritet me palestinezët në luftën e Gazës. Ai në mënyrë demonstrative dhe eksplicite vlerëson grupin terrorist Hamas, si një “organizatë çlirimtare” dhe e krahason kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu me Hitlerin. Perëndimi është truri i Izraelit, por Turqia do të qëndrojë në krah të muslimanëve të saj në këtë “betejë historike”. “Ne do të mbetemi të suksesshëm dhe fitimtarë. Asnjë fuqi imperialiste nuk mund ta pengojë këtë,” tha ai.
Erdogan e sheh veten si trashëgimtar të Perandorisë Osmane dhe flet hapur për skenarin: “Disa njerëz mund ta shohin Gazën si një vend të largët që nuk ka të bëjë me ne,” tha ai të shtunën. “Por njëqind vjet më parë, për këtë komb, Gaza nuk ishte ndryshe nga Adana.” Në fakt, Gaza dikur ishte pjesë e Perandorisë Osmane. Megallomania e Erdoganit bazohet në rivendosjen e madhështisë osmane, ashtu sikurse Putini që dëshiron të rivendosë perandorinë sovjetike.
Erdogan ka paralajmëruar hapur prej muajsh se, Perëndimi duhet të jetë i kujdesshëm për të vazhduar mbështetjen ndaj Izraelit. “A mos po dëshiron Perëndimi një tjetër betejë, mes gjysmëhënës dhe kryqit?” pyeti ai në fjalimin e tij në përvjetorin kombëtar. “Nëse ndërmerrni një përpjekje të tillë, dijeni se ky komb nuk ka vdekur”. Erdogan e sheh Islamin si pjesë të një lufte kulturore globale, ai dëshiron të përfitojë nga vetëdija e re masive e myslimanëve dhe e pozicionon veten si, udhëheqës ushtarak i besimit të tij. Ai gjithashtu pranon hapur se politika e jashtme e Turqisë i shërben këtij qëllimi strategjik, kështu që referencat e tij për Libinë dhe Nagorni-Karabakun janë më shumë se fjalë të ngatërruara.
Erdogan dëshiron t’i çlirojë muslimanët nga “tirania e kryqtarëve”.
Ajo që vështirë se dikush në Evropë dëshiron të pranojë është se, Erdogan e sheh veten në një luftë aktive fetare, midis Lindjes dhe Perëndimit. Dikur kishim një antagonist si themelues të shtetit me orientim perëndimor, Mustafa Kemal Atatürk, i cili krijoi Turqinë moderne, laike, demokratike, në të cilën feja u largua nga jeta publike, kurse Erdogan e stilizon veten si një luftëtar fetar modern që po punon, për kthimin. të Perandorisë neo-Otomane.
Për sa i përket politikës simbolike, ai gjithashtu përdor çdo mundësi për të ngjalluar islamizmin e tij. Kishën “Saint Salvator in Chora” në Stamboll, me famë botërore për afresket e saj, e kishte kthyer me dhunë në xhami. Kisha, e vendosur në verilindje të qendrës së qytetit antik, konsiderohet si një nga shembujt më të rëndësishëm të arkitekturës së shenjtë bizantine në botë. Vitin e kaluar, Erdogan në mënyrë demonstrative e ktheu Hagia Sophia në një xhami për të poshtëruar qëllimisht Perëndimin. Kisha është një monument kulture i krishterimit, vendi më i rëndësishëm i adhurimit për ortodoksët për 1123 vjet, këtu u kurorëzuan 89 perandorë dhe 125 patriarkë formësuan historinë e Bizantit të krishterë. Tmerri ishte i madh, por Erdogan bëri shaka për një “ringjallje” të islamit.
Në fund të fushatës së tij elektorale, ai vizitoi Hagia Sophia në një mënyrë propaganduese, për të kryer lutjen e tij të fundit të mbrëmjes para zgjedhjeve dhe për t’u treguar turqve se çfarë do të thotë programi i tij agresiv fetar. Gazetat e tij propagandistike e vlerësuan provokimin si një “pararojë të çlirimit të Xhamisë Al-Aksa në Jerusalem, duke lënë muslimanët nga faza e interregnum”. Çlironi veten nga “tirania e kryqtarëve”.
Agjentët e shërbimit sekret, mund të kenë të drejtë me paralajmërimet e tyre – dhe kërcënimet e Erdoganit duhet të merren më seriozisht.
Burimi: ntv.de, Nga Gjermanishtja Sherif Ramabaja