Edhe një rast i arrestimit të një kosovari ka ndodhur në Serbi. Bëhet fjalë për shtetasin Agim Gjocaj, i cili ishte transit nëpër Serbi. Me këtë rast ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, duke e dënuar këtë veprim të autoriteteve serbe. Përmes një komunikate për media MPJD i ka bërë thirrje Brukselit dhe shteteve të Quintit që të reagojnë ashpër dhe të adresojnë këtë shqetësim tek autoritetet në Beograd.
“MPJD kërkon nga Serbia lirimin e menjëhershëm të Agim Gjocajt si dhe të Nezir Mehmetajt, i cili po vazhdon të mbahet padrejtësisht në paraburgim tash e dhjetë muaj. Po ashtu, theksojmë se akuzat e pretenduara ndaj tyre janë të pabaza, të qëllimshme dhe të motivuara politikisht. MPJD i bën thirrje Brukselit dhe shteteve të Grupit Quint, që të adresojnë këtë shqetësim tek autoritetet në Beograd, që njëherë e përgjithmonë të ndalohet një praktikë e tillë e jashtëligjshme, të ndalimit të pabazë të shtetasve kosovarë të cilët kalojnë transit në territorin e Serbisë. Një sjellje e tillë është në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut, marrëveshjen e lëvizjes së lirë të arritur në Bruksel, në vitin 2011 dhe në kundërshtim të plotë me frymën e marrëveshjes së zotimeve të Washingtonit për Normalizim Ekonomik”, thuhet në komunikatë.