in

Adriatik Lapaj (Greta Thunberg), e uroi Albin Kurtin!

Sherif Ramabaja

Adriatik Lapaj “Shqipëria bëhet” apo Greta Thunbergu shqiptar, i cili çdo ditë po proteston para parlamentit, kundër pushtetit të korruptuar të Ramës, e uroi Albin Kurtin për fitoren në zgjedhjet e mbajtura.

Ky urim ndoshta do të mbetej në hije, po mos të ishte reagimi i një qytetari dhe  atdhetari, i cili po lufton ta ngjallë ndërgjegjen e humbur kombëtare, kundër zhbërjes së shtetit shqiptar.

Protesta e tij, e cila ta kujton reagimin e Greta Thunbergut e cila po ashtu çdo ditë me një pankartë qëndronte ulur para institucioneve suedeze, për ta ndërgjegjësuar mendjen e qytetarëve mbi pasojat e klimës. Ajo qëndroi me ditë, javë, muaj… dhe në fund rrëkeja e njerëzve u bë lum.

Më pas në tërë Evropën, në përkrahje dhe solidaritet me Gretën, u ngritën të rinjtë, me të njëjtat ide, kundër nxehjes globale. Duke e parë lumin e të rinjve, të cilët çdo të premte e shmangnin mësimin për të protestuar, politika në perëndim më në fund reflektoi.

 Idetë e një vajze adoleshente, u bënë simbol për protesta të përgjithshme, duke i nxitur partitë politike që me nguti dhe me ngulm në programin e tyre, ta përfshinin edhe mbrojtjen e klimës.

Zoti Lapaj nuk është minoren, por një shqiptar i pjekur i cili nuk mund të shikoi tutje, vjedhjen dhe zhbërjen e atdheut. Ai nuk është as me kastën e socialistëve të cilët e kanë bërë Shqipërinë plaçkë gjuetie, as me demokratët të cilëve u mungon forca e reformimit.

 Ai përfaqëson një brez tërësisht të ri, të padjallëzuar me të vetmen kërkesë, Shqipëria bëhet. Këto dy fjalë janë simbol që të mendohet se në ç ‘gjendje ndodhet Shqipëria sot, ta prekë ndërgjegjen e çdo shqiptari që t´ia vejë gishtin kokës, se ç´po ngjet me atdheun.

Alarm duhet të ishte vjedhja e zgjedhjeve, çdo katër vjet, shtrirja e korrupsionit në çdo segment të shoqërisë, lufta e bandave, shpopullimi i atdheut, kapja e institucioneve dhe shtetit, rrezikimi i bërthamës kombëtare etj.

 Zoti Lapaj po qëndron aty çdo ditë, pa marr parasysh se në cilin stinë ndodhet, është koha me diell, me shi apo me dëborë. Ai është aty për secilin shqiptar, pa marr parasysh se ku ndodhet. Ai është vetë ndërgjegjja, e cila i është ekspozuar edhe dhunës së regjimit dhe thërret: Ose sot, ose kur?

Edhe sa kohë do të qëndroi aty zoti Adriatik Lapaj, që shqiptarët ta kuptojnë misionin e tij, nuk e dimë saktësisht, po vetëdija për “Shqipëria bëhet” do të zgjerohet, për këtë është i bindur çdo shqiptar.

Opozita, po të reformohej dhe të lirohej prej figurave të komprometuara dhe të harxhuara, do ta kishte mundësinë që ta koordinonin qëllimin e përbashkët me zotin Lapaj, po me një opozitë të tillë nuk ecet përpara. Kjo do të ishte vetëm një rokadë Rama – Berisha apo Berisha – Rama. Shqipëria bëhet, kërkon figura të pastra. Ato pritet të dalin në ballë. Shqipëria bëhet, i ka figurat e veta kombötare.

Apel zotit Trump: Mos i harro Madurot e Ballkanit!