Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka përkujtuar veprimtarin e LDK-së, Xhemail Mustafa, në 22-vjetorin e vrasjes së tij.
Me këtë rast, Abdixhiku ka shkruar se më 23 nëntor të vitit 2000 u shua mizorisht nga jeta, Xhemail Mustafa, njëri ndër kolosët e lëvizjes politike të viteve 90’ta.
“Vrasja e tij në hyrje të banesës ishte tronditje e madhe jo vetëm për familjen dhe rrethin e bashkëpunëtorëve, por për mbarë vendin e sapodalë nga lufta. Vrasja e Xhemail Mustafës ishte goditje e rëndë ndaj vlerave më të larta të kombit dhe të vetë demokracisë për të cilën ai nuk u ndal së punuari gjatë gjithë jetës”, ka shkruar i pari i LDK-së.
Ai tha se Xhemail Mustafa ishte profil shumëdimensional i shkrimtarit, publicistit, gazetarit e këshilltarit politik si dhe bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit Rugova.
“Roli dhe kontributi i Xhemail Mustafës në rrugëtimin për liri dhe pavarësi është i pashoq, eliminimi i tij nga dora e zezë që nuk ia deshi të mirën Kosovës, ishte vetëm eliminim fizik, ngase ideali i tij për shtet-ndërtim nuk u ndal asnjëherë, e vazhdon të jetë insprim për gjeneratat që vijnë”, tha ai.
Përderisa vrasja e tij mbetet e pazbuluar, ka thënë Abdixhiku, për familjen, LDK-në dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij, dhimbja bëhet edhe më e madhe çdoherë.
“Edhe sot kur kanë kaluar më shumë së dy dekada nga vrasja e Xhemail Mustafës, ai mbetet figura e njeriut modest, të qetë, fjalëpak që rrezatonte mirësi e maturi. I tillë do të jetë nderimi për jetën dhe veprën e tij”, ka nënvizuar Abdixhiku.
Xhemail Mustafa ka punuar si redaktor në fushën e kulturës në gazetën “Rilindja”, kurse zelli i tij prej një doeajeni të gazetarisë e informimit të opinionit publik vazhdojë edhe në QIK (Qendrën Informative të Kosovës) deri në momentet e vrasjes së tij.