in

A po gjunjëzohet aleanca Rusi – Serbi?

Sherif Ramabaja

Me gjunjëzimin e BRSS (Bashkimi i Republikave socialiste Sovjetike) më 1989, po përfundonte edhe ëndrra utopike mbi socializmin e komunizmin. Perëndimi mendonte se Rusia do të demokratizohej dhe pa kurrfarë plani, e zgjeroi me vrull biznesin me te, sidomos në fushën energjetike.

 Me ardhjen e Putinit në pushtet ky biznes sa vinte duke u zgjeruar, por me këndelljen e ekonomisë ruse, Putini kishte tjera plane. Ai filloi ta zbatonte doktrinën e tij të fshehtë, ribërjen e BRSS duke i sulmuar fqinjët, ish republikat sovjetike të cilat ishin pavarësuar nga kthetrat ruse.

Të njëjtat plane, sikurse Rusia, kishte edhe Serbia në Ballkan. Putinit më në fund, si po duket i hasi sharra në gozhdë, në tentimin për ta pushtuar Ukrainën. I kishte mbetur ëmbël shkëputja e Krimesë me 2014, prandai mendonte se po me aq lehtësi, do ta pushtonte të tërë Ukrainën.

 Kësaj radhe nuk i doli ashtu dhe tash pas 4 vitesh përpjekje për ta pushtuar  Ukrainën, po vërehet se kjo aventurë e Rusisë, mund të pësoi fiasko. Rusia është izoluar, kurse ekonomia e saj po vjen duke u rrënuar gjithnjë e më shumë. Këtë rrënim ekonomik sidomos po ia thellojnë, sulmet ukrainase në rezervat e naftës, si një nga burimet kryesore për financimin dhe furnizimin e luftës.

Tash punët Putinit po ia komplikojnë edhe SHBA, me ndërhyrjen në Venezuelë. Burimet e derivateve të naftës, nëse eksplorohen në Venezuelë, mund të kenë zbritje të çmimeve dhe kjo do të thoshte, një tjetër humbje financiare për Rusinë.

Rusia kohët e fundit po i humb edhe aleatët e saj, siç ishte Siria, tash Venezuela, kurse as Iraninin nuk mund ta ketë gjatë, duke i parë protestat e fuqishme që kanë shpërthyer, kundër regjimit të mullave.

Të gjitha këto indikacione flasin se Rusisë shumë shpejt, mund t´i ndizet konflikti edhe nga brenda. Në këtë drejtim po përputhen rrethanat momentale, por po ashtu në këtë plan po punon edhe Ukraina fuqishëm, me sulmet me dronë, gjithnjë e më shumë në brendësi të Rusisë.

Mundësia për të shpëtuar atë që mundet, i ka ardhur tash Putinit me bisedimet paqësore që po zhvillohen mbi Ukrainën, po çështja është se a mund të heq dorë Putini nga iluzionet që i kishte, ringritjen e ish BRSS.

Të njëjtat iluzione i kishte edhe Serbia me kriminelin Vuçiq në Ballkan, duke shpresuar në fitoren e shpejtë të Rusisë mbi Ukrainën. Me një fitore eventuale ruse, Serbia pa hezitim do ta imitonte Putinin në Ballkan. Së pari këtë e provoi me sulmin ndaj Kosovës në Banjskë, po edhe me planin ndaj Republikës Serbe në Bosnje.

 Në të dyja rastet Serbia u stopua dhe tash fati i saj është i përcaktuar me atë se, çdo të ndodhë me Rusinë.

Rënia e Rusisë do të thoshte edhe rënie e Serbisë. Këtë më së miri e kanë të qartë ballkanasit, duke i njohur planet dhe varshmërinë serbe nga Rusia.  

Këtë e ka kuptuar Vuçiqi, i cili me deklarata të përçarta po shpreh akuza ndaj Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë, gjoja mbi një aleancë të përbashkët ushtarake kundër Serbisë.

Fitorja e Albin Kurtit në zgjedhje, ishte edhe një goditje e rëndë për planet e  Vuçiqit ndaj Kosovës. Së fundi i ndodhi edhe dështimi i paraparë i investimit në Serbi nga Kushner, pastaj protestat në Serbi, afera Safari – Sarajeva, që pritet të shpërthej si akuzë kriminale, sanksionet energjetike amerikane etj. etj.

 Të gjitha këto janë një dështim total i një politike serbe, e cila dikur përfitonte nga Rusia, me zgjerim në tokat shqiptare, po ajo kohë tashmë ka përfunduar. Koha po vjen që Serbia të jap llogari, sidomos ndaj shqiptarëve.

 

Pse opozita i pranoi zgjedhjet me 28 dhjetor?