Gani Mehmetaj
Shqiptarët kanë frikë nga islamistët radikal. Shumicën i kap tmerri kur përmendet kjo fe, shohin anash se mos e kanë në afërsi ndonjë arab a turk me çantë dore, u shmangen prekjeve me islamikë me mjekra e pa mjekra sikur ata ta kishin zhugën. Kur flasin për islamistët radikal pëshpëritin nga frika se mos i përgjon ndonjë hafije mu si dikur kur druheshin nga spiunët serbë.
Shqiptarët e kanë më vështirë se sa anglezët a francezët të dallojnë rrezikun e mundshëm, sepse islamikët mund të jenë të gjuhës dhe të gjakut të tyre, madje jo rrallë janë edhe të pamjes së tyre. Ndërkaq në Britani të Madhe, Francë apo Gjermani dallohen fare qartë nga pamja kush është kush, ose kush mund të jetë terroristi i mundshëm.
Ju kujtohet dhjetori në Sheshin Nena Terezë, në Prishtinë, kur mijëra të rinj festonin disa net me radhë me pije e këngë Krishtlindjen, ndërsa një shkrepje revoleje i bëri të iknin të tmerruar nga sheshi, duke lënë kaos prapa. Në rrëfimet e mëvonshme secili nga ta e pranoi se iku nga frika se mos shpërtheu ndonjë bombe islamike.
Islamofobia në Dardani i ka mbërthyer edhe organet shtetërore, veçmas policinë e shërbimin e fshehtë të shqiptarëve. Mobilizohen e frikësohen si në gjendje lufte, kur organizohen festime të turmave të te rinjve nëpër sheshe, i ruanin me kujdes kishat katolike shqiptare e kishat shqiptare ungjillore. Por askush nuk i ruante as nuk rrezikoheshin xhamitë! Athua pse? Policët tonë e mbërthenin me shikim racistë çdo kalimtar që u përngjasin arabëve e turqve.
Islamofobia është fenomen planetar. Kanë frikë nga islami amerikanët, francezët, britanikët, gjermanët, italianët, spanjollët, portugezët, hungarezët etj. Prandaj s’ka se si të jenë përjashtim nipërit e Gjergj Kastriotit. Shqiptarët në të dy shtetet shqiptare janë islamofobë po aq sa Evropa e qytetëruar, i vuajtën historikisht pasojat e islamit më shumë se sa pjesa tjetër e Evropës. Islami i përgjysmoi, gati i zhduki nga faqja e dheut gjatë okupimit pesëqind vjeçar. Pra, shqiptarët janë islamofobë, sepse islami radikal është bërë tmerr për shqiptarët dhe për qytetërimin e planetit tonë.
Nesër: Kalorësitë e islamit: Rama, Kurti, Qosja


