Shkruan: Idriz Morina
Një nga çështjet më të ndjeshme me të cilat përballet Kosova, është mungesa e një shërbimi inteligjent efikas, që din dhe mundet të projektojë fatin e ardhshëm të Kosovës dhe shqiptarëve, të paktën për dy dekadat e ardhshme.
Para disa muajsh ndodhi vetëm shkarkimi i kreut të AKI-së, pas skandalit të njohur në Presidencë, Kreshnik Gashi, dhe më pas edhe të zëvendësdrejtores së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Vlora Hyseni. Drejtori u shkarkua nga Presidentja në detyrë Vjosa Osmani dhe kryeministri Avdullah Hoti në vitin 2020, ndërsa zv.drejtoresha nga presidentja e zgjedhur Osmani dhe kryeministri Kurti.
Me këto dy shkarkime thuajse ka marrë fund ndërhyrja institucionale, Presidencë-Qeveri për pastrimin e AKI-së nga elementet e dyshimta, të cilët më parë se për llogari të shtetit punonin për interesa personale të liderëve politik të kohës, si Hashim Thaçi, dhe të grupimeve kriminale.
AKI-ja besohet se ka angazhuar masivisht njerëz të SHIK-ut, dikur ky shërbim partiak i PDK-së. Ky shërbim veproi fuqishëm pas luftës, ndërsa edhe në luftë ishte në shërbim të një grupi kyç të organizuar nga e majta, krerët e së cilës po merren në përgjegjësi nga gjykata speciale, ku do të dalin para drejtësisë edhe për vrasjet politike, të zyrtarëve të LDK-së, mbështetësve të presidentit Rugova, si Enver Malokut, Xhemail Mustafës, Ukë Bytyçit, por edhe për vrasje ‘brenda llojit’, në luftën për pushtet të plotë, siç ka ndodhur me vrasjen e komandant “Drinit” Behajdin Hallaqit të LPK-së, Ilir Konushecit të LKÇK-së e të tjerëve.
Siç ka dëshmuar edhe skandali i përmendur nga Kreshnik Gashi, njerëzit e saj kanë vepruar si të ishin një organizatë private, veçmas në shërbim të Hashim Thaçit, Kadri Veselit e te tjerëve rreth tyre.
Siç dëshmoi edhe skandali i publikuar ditë më parë, kur njerëz të AKI-së, ishin angazhuar për të mashtruar, lajthitur dhe vënë në intrigë figura publike, me qëllim të diskreditimit të tyre për llogari po të Hashim Thaçit e Kadri Veselit.
Veprimet e tyre ishin dhe madje vazhdojnë të jenë të shumëfishta, si survejim, përgjim, njollosje, shantazhim, ngushtim hapësire dhe veprimi në institucione, bllokim, devijim të informacioneve, përjashtim, moslejim punësimi në institucione, varfërim, pengim biznesesh, shpartallim.
Po ashtu sikurse ka bërë SHIK-u edhe AKI-ja ka ndihmuar në ndjekjen, përgjimin dhe izolimin e intelektualëve dhe patriotëve më të mirë, madje ka shkuar aq larg sa ka ndikuar drejtpërdrejt, si vlerësoj unë, në “vrasjen” sociale dhe psikologjike të figurave publike me ndikim.
Goditjet e tilla ishin të orkestruara kryesisht ndaj figurave të LDK-së, të cilët vazhdonin me mendimin politik rugovian dhe që ishin personalitete apo kishin treguar karakter të pathyeshmërisë.
AKI-ja ka ndërmarrë ose ka mbështetur veprime të panumërta për të penguar depërtimin e të vërtetave në opinion, me interes serioz për të ardhmen e shqiptarëve, duke penguar apo bllokuar mediat ‘disidente’, që kanë çmitizuar figurat e krimit politik, përfshirë të akuzuarit e gjykatës speciale.
Po ashtu në një dokument të Dhomave të specializuara (Gjykata speciale) ka evidentuar se “strukturat e sigurisë” në Kosovë po e pengonin të kryente punën e saj. Kjo nënkupton se edhe AKI-ja është përdorur nga ish presidenti Thaçi dhe klani i tij për interesa personale të tyre, kryesisht në përpjekje për ta zhbërë gjykatën speciale, si ishte tentuar në vitin 2017, që nëpërmjet Kuvendit me votë ta përmbyste themelimin e Dhomave të Specializuara, dhe po ashtu është përdorur kundër dëshmitarëve apo atyre potencial, që do të dilnin për të rrëfyer krimet e kryera nga ky grupim ndaj shqiptarëve.
AKI-ja duket se nuk ka bërë përpjekje serioze për 13 vjet që të izolojë, bllokojë apo delegjitimojë, strukturën prej qindra mbështetësish të Thaçit dhe Veselit, madje besohet se deri në dërgimin e Thaçit në Hagë, kanë vazhduar të paguhen ilegalisht qindra mbështetës të tyre apo ish pjesëtarë të SHIK-ut.
Një nga dështimet thelbësore të kësaj Agjencie është padyshim mos parandalimi i ish presidentit Thaçi në përpjekjen e tij për ndarjen e Kosovës me Serbinë.Pastrimi i AKI-sa nga elemente të tilla të komprometuara është thelbësor për vetë agjencinë, por edhe më me rëndësi për sigurinë në Kosovë!