Sherif Ramabaja
Si duket 28 dhjetori, ishte një kurth e përgatitur. krerët e opozitës i kishin bërë llogaritë e veta. Ata kishin bindjen se me punën e tyre patriotike, do ti përfitonin shqiptarët jashtë atdheut në perëndim.
Për ta bllokimi i Konstituimit të Kuvendit, Qeverisë, institucioneve shtetërore, buxhetit të shtetit etj. hynte në akt atdhedashurie. Ata mendonin po ashtu se me veprimin e tyre, e kishin paralizuar kundërshtarin e tyre politik, Albin Kurtin. Pra sipas tyre ky ishte akt patriotik dhe në favor të shtetësisë së Kosovës.
Ishte përshtypja se ky ishte një keqkuptim. Derisa krerët e opozitës mendonin se shqiptarët jashtë atdheut i kishin pas vetes, ndodhi diçka krejtësisht ndryshe. Ishte bindja se ata që ishin jashtë, nuk i njihnin rrethanat politike në Kosovë. Nuk dinin ti vlerësonin krerët e opozitës dhe si duket nga gabimi në vlerësime, apo nga gabimi teknik, gabimisht e kishin Votuar LVV dhe Albin Kurtin.
Krerët e opozitës me kohë kishin deklaruar se Albin Kurti është një populist, është antiamerikan, anti EU, antikombëtar, tradhtar, bashkëpunëtor i Vuqiqit, i lidhur me Serbinë, ekstremist, luftën e kam kundër Kurtit, e skam asgjë kundër Listës Serbe, kishte deklaruar një nënkryetare e një partie dhe deputete, më ka fyer si hajvanat, kishte deklaruar një kryetar partie etj. etj. Dhe çka ngjau, përkundër gjithë këtij apeli ?
Është e pakuptueshme. A, e lexojnë shtypin shqiptarët atje. A i ndjekin mjetet e informimit, qendrat televizive si TV Dukagjini, a, i ndjekin intervistat tona, apelet, thirrjet, deklaratat, analizat, a kanë dëgjuar mbi bashkimin tonë opozitar, bashkëpunimin me kryeministrin Ramën, bashkëpunimin me Dudinë, bashkëpunimin me EU, SHBA, perëndimin, Grenellin, ambasadorin Hill, ambasadorët e Quintit etj. Apo si informohen ata dhe nga çfarë kanalesh i marrin informatat.
Ne kishim tërësisht tjetër qëndrim mbi ta, prandaj s’kishim asgjë kundër që ta pranonim 28 dhjetorin, si datë e zgjedhjeve. Kishim tërësisht tjetër bindje për ta, po tash po e vërejmë se ata nuk e njohin realitetin në Kosovë.
I kishim ftuar, ejani e jetoni vetë këtu, pastaj do të bindeni se si qëndron puna. A jetohet me dy, treqind Euro në muaj. A jetohet me një pension të Kosovës. Papunësia, varfëria etj. Ne kishim shpresën në ju, e jo të mashtroheni nga propaganda e Kurtit.
Ai prezanton statistika mbi luftimin e korrupsionit, po kush i beson ato. Rrëfen po ashtu mbi radhitjen e Kosovës në disa lista statistikore, si një nga vendet më të sigurta, pasaportën, sundimin e ligjit etj. Duhet ta kuptoni se këto më tepër i ka vlerësime nga partia e tij dhe vetë ai.
Kush i merr seriozisht këto gjëra? Ne më së paku. Flet mbi veriun, po ai po vepron njësoi ndaj pakicës serbe atje, ashtu siç bënte Miloshi me ne. Asnjë përparim nuk është i saktë. Flet mbi terrorizmin në Banjskë, po ne nuk pamë akte terroriste. Ata ishin futur me armatime në Kosovë, po nuk ndërmorën asgjë. Vetëm pasi organet e sigurisë së Kosovës i kishin hetuar, ata e vranë Afrim Bunjakun në vetëmbrojtje. Armatimet e gjetura dhe dëmtimi i kanalit mund të jenë të tëra kurdisje të Kurtit, vetëm për ngritje politike.
Ne i kishim sqaruar këto gjëra gjerë e gjatë. S’kishim kohë të paraqisnim programe tona mbi Kosovën, se duhej të merreshim me dështimet e Albin Kurtit. Në të ardhmen ju lutemi informohuni si duhet, para se ta veni votën. Na morët në qafë.
Mars – Rover (Satirë)


