in

EU pa kurrfarë turpi, po ndërhynë në zgjedhjet në Kosovë !

Sherif Ramabaja

28 dhjetori, data e zgjedhjeve në Kosovë, është pothuaj më afër se pragu i shtëpisë. Derisa askush nuk e priste një vendim të tillë, EU si duket nuk po përmbahet nga absurditeti i saj. Ajo pa kurrfarë turpi haptas, po ndërhynë në zgjedhjet në Kosovë.

Opozita për veprimin e papritur të EU është tepër e irrituar, kur të merret parasysh se ata sanksionet, i kishin si atunë kryesore që ta luftonin Albin Kurtin.

Pas bllokadës pothuaj një vjeçare, Ishin bërë përgatitjet. Ishin caktuar temat. Ishte llogaritur sa kohë në fushatën zgjedhore do tu kushtohej sanksioneve, kurse tash të gjitha këto ranë në ujë. Kjo nuk ishte pritur nga EU. Si të mbulohet kjo temë vendimtare tash.

Zoti Abdixhiku, Haradinaj, Limaj, Memli Krasniqi, (kurse tash Bedri Hamza),  Dudija, si dhe përkrahësit e tyre Lirim Mehmetaj, Baton Haxhiu, Buzhala, Milaim Zeka etj. pastaj qendrat televizive dhe mediat e tyre, e kishin përgatitur programin me javë e me muaj të tërë. Dhe tash u duhet të improvizojnë gjëra që ti ndryshojnë temat nga programi i tyre, i fushatës zgjedhore. Si të mbyllen sytë para këtij akti.

Po të merrej ky vendim më herët, mbi largimin e sanksioneve ndaj Kosovës, do të ishte hartuar një platformë krejtësisht tjetër, po tash gjithçka është tepër vonë. I vetmi që kishte bërë thirrje për largimin e sanksioneve ishte Bedri Hamza i PDK, po ai këtë e bënte që t´ia ngriste vetes famën politike, duke qenë i bindur se ato nuk do të pezulloheshin aq thjeshtë. Apo mos e ka pasur vallë seriozisht, mbetet një enigmë e pazbuluar.

Tash gjithçka si duket po shkon në llogari të Kurtit. Sanksionet u pezulluan. SHBA paralajmëroi armatosjen e ushtrisë së Kosovës. Sulmi në Ibër u zbulua si sulm terrorist, e jo inskenim i Albin Kurtit, fabrika e municioneve do të ndërtohet në Gjakovë, buxheti mbi ushtrinë është rritur më shumë se kurrë etj. Pra temat kryesore po i largohen nga dora opozitës. Për çka të kapen ata tash.

Nuk u ka mbetur tjetër përpos ta dënojnë ndërtimin e urave në lë lumin Ibër, sepse po ndërtohen pa lejen e listës Serbe dhe pa lejen e ndërkombëtarëve. Të vajtojnë se Kurti çdo gjë që kishte ndërmarr në veri, e kishte bërë pa koordinimin me ndërkombëtarët. Apo të ankohen se ai e kishte injoruar Listën Serbe dhe kishte bërë përpjekje që ta përjashtonte nga lista zgjedhore.

Një mundësi tjetër opozitarëve u ka mbetur që të japin premtime: rritje të pensioneve, rritje të pagave, plantazhe me fruta ekzotike e banane, pushime falas për të gjitha kategoritë e popullit, banesa falas për çiftet e martuara, qarkullim falas për udhëtarët me tren, tramvaj e anije, bursa për nxënës dhe studentë, rritje të shtesave për fëmijë, subvencione në bujqësi, pylltari, blegtori, bletari etj. Rryma pa pagesë për amvisëri e biznese. Shkuarje pa pagesë në haxh, ndërtime me leje e pa leje të xhamive në çdo lagje. Mielli, drutë e zarzavatet pa pagesë, si dhe lehtësira të tjera.

Këto premtime krerët e opozitës po betohen se do ti realizojnë, po i fituan zgjedhjet. Përndryshe temat e preferuara për ta anatemuar qeverinë dhe Kurtin personalisht, siç ishin sanksionet, prishja me miqtë, izolimi etj. po u dështojnë. Sjellja e tyre mund tu kthehet si bumerang. Nganjëherë ndoshta është më mirë të heshtet, e mos të trillohet.

Mars – Rover (Satirë)

Cili do bjerë i pari, Rama apo Vuçiqi ?