in

Trump dyshohet se i ka bërë presion Zelensky-t, t´i pranojë kushtet e Putinit

 

Zelenskyy udhëtoi për në Shtëpinë e Bardhë të premten për bisedime me Trump. Para kamerave, presidenti amerikan e lëvdon mysafirin e tij ukrainas. Por prapa skenave, sipas një raporti, thuhet se kanë shpërthyer shkëndija.

Sipas një raporti mediatik, Presidenti i SHBA-së Donald Trump i kërkoi Ukrainës të pranonte kushtet e Rusisë për t’i dhënë fund luftës, por nuk arriti ta bindte atë. Trump paralajmëroi në një takim me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Shtëpinë e Bardhë të premten se Presidenti rus Vladimir Putin kërcënoi të “shkatërronte” Ukrainën nëse ajo nuk do t’i përmbushte kushtet. Financial Times raportoi këtë , duke cituar burime të brendshme.

Trump dyshohet se donte që Zelensky t’ia lëshonte të gjithë rajonin lindor të Donbasit Rusisë, duke cituar argumentet e Putinit nga një telefonatë e ditës së mëparshme. Takimi thuhet se degjeneroi vazhdimisht në debate të nxehta gjatë të cilave Trump “mallkonte vazhdimisht”. Trump hodhi mënjanë hartat e vijës së frontit në Ukrainë dhe i tha Zelensky se duhej të bënte një marrëveshje. Përndryshe, ai do të vdiste dhe do të humbiste luftën, tha raporti, duke cituar një zyrtar evropian të njohur me takimin. Sipas zyrtarit, Trump tha se ishte “lodhur” duke parë hartën e vijës së frontit ukrainas vazhdimisht. “Atë vijë të kuqe, as nuk e di se ku është. Nuk kam qenë kurrë atje”, tha Trump, sipas zyrtarit.

Sipas raportit, tre zyrtarë të tjerë evropianë të informuar mbi bisedimet në Shtëpinë e Bardhë konfirmuan se Trump e kaloi pjesën më të madhe të takimit duke i dhënë leksione Zelensky-t. Presidenti amerikan përsëriti argumentet e Putinit në konflikt dhe e nxiti atë të pranonte ofertën ruse.

Ndikimi i dukshëm i Putinit

“Ishte mjaft e pakëndshme”, tha një burim i brendshëm për Reuters. Mesazhi i Trump për Zelensky ishte: “Vendi juaj do të ngrijë dhe vendi juaj do të shkatërrohet nëse Ukraina nuk arrin një marrëveshje me Rusinë”. Gjatë bisedës, thuhet se u sugjerua që Trump u ndikua nga një telefonatë me Presidentin rus Vladimir Putin, të enjten.

Sipas Washington Post, Putin propozoi një shkëmbim territoresh në kontekstin e bisedimeve. Sipas planit, Ukraina do të lëshonte rajonet e Donetskut dhe Luhanskut dhe do të merrte pjesë të vogla të Zaporizhias dhe Khersonit në këmbim. Një nga burimet e brendshme tha se përfaqësuesit e SHBA-së i kishin propozuar pikërisht këtë Zelensky-t të premten. Megjithatë, ukrainasit shohin vlerë të madhe strategjike në pjesët e Donetskut dhe Luhanskut që ende i mbajnë. Ata besojnë se një lëshim territori do ta bënte pjesën tjetër të Ukrainës më të prekshme ndaj ofensivave ruse.

Kujtesë për skandalin në Zyrën Ovale

Takimi i tensionuar të kujtonte një takim po aq të diskutueshëm në Shtëpinë e Bardhë në shkurt, gjatë të cilit Trump dhe zëvendëspresidenti J.D. Vance e kritikuan publikisht Zelenskyn për mungesën e mirënjohjes ndaj Shteteve të Bashkuara. Një zyrtar tha se Zelensky ishte “jashtëzakonisht negativ” pas takimit, duke shtuar se udhëheqësit evropianë “nuk ishin optimistë, por pragmatikë, në planifikimin e hapave të ardhshëm”. Megjithatë, Ukraina në fund ia doli ta bindte Trumpin të mbështeste ngrirjen e vijave aktuale të frontit.

Takimi midis Trump dhe Zelenskyy u zhvillua në mes të përpjekjeve të ripërtërira të presidentit amerikan për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, pas armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit.

Zelenskyy vizitoi Shtëpinë e Bardhë për herë të tretë këtë vit. Presidenti ukrainas dhe ekipi i tij udhëtuan për në Uashington, për të bindur Trumpin të furnizonte me raketa lundrimi Tomahawk me rreze të gjatë veprimi. Por presidenti amerikan në fund refuzoi.

Burimi: ntv.de, gut/ino/rts. Nga Gjermanishtja: Sherif Ramabaja

Debati im me një imam të BIK-ut në rrjetin X dhe Sulltan Sulejmani i Belindes