Nga Kati Krause
Ukrainasit kanë vazhduar të zgjerojnë strategjinë e tyre të dronëve në luftën me Rusinë. Tani një gazetar shkruan se kjo metodë mund të ketë një ndikim vendimtar në konflikt.
Ukraina po ndërmerr sulme masive ndaj rafinerive ruse të naftës. Këto janë pjesë e një strategjie gjithëpërfshirëse për të “vrarë makinën ruse të luftës nga uria”. Megjithatë, përdorimi i dronëve kundër objektivave thellë brenda Rusisë, nuk është një plan i ri.
Një oficer ukrainas i cili po koordinon bombardimet në Rusi ka thënë tani se, përpjekjet sporadike filluan menjëherë pas fillimit të pushtimit rus – të frymëzuara, ndër të tjera, nga dronët me rreze të gjatë veprimi të dhuruar nga SHBA-të.
Dhjetëra sulme në Rusi, çdo natë
Tani njësitë ukrainase të dronëve po kryejnë disa dhjetëra sulme kundër objektivave në Rusi, çdo natë.
“…për t’i detyruar rusët të përfundojnë luftën”
“Kohët e fundit, [ukrainasit] kanë goditur kaq shumë objekte ushtarake, rafineri dhe tubacione, saqë disa besojnë se mund të shkaktojnë dëme të mjaftueshme për t’i detyruar rusët t’i japin fund luftës”, shkruan gazetarja Anne Applebaum në “The Atlantic”.
Ajo u vlerësua me Çmimin e Paqes të Tregtisë Gjermane të Librit, vitin e kaluar.
Ushtria ukrainase shqyrtoi me kujdes se cilat objektiva do të prioritizonte. Një oficer ukrainas i tha Applebaum se kolegët e tij e kuptuan në fillim të luftës se qeveria në Moskë, nuk do të dekurajohej nga vdekja e ushtarëve të saj.
Oficeri: “Rusia mund të tolerojë humbje jashtëzakonisht të larta jetësh. Ata nuk interesohen për jetën e njerëzve.”
Gjermania kontribuon me 10.5 miliardë dollarë – kryesisht për prodhimin e dronëve
Megjithatë, “është e dhimbshme për ta të humbasin para”. Rusët kanë nevojë për para, për të financuar oligarkinë e tyre dhe për të paguar ushtarët e tyre. “Pra, sigurisht, ne duhet të zvogëlojmë fondet në dispozicion të tyre”, tha oficeri. Kështu, industria e naftës është bërë objektivi më i rëndësishëm i ukrainasve.
Sipas Applebaum, evropianët mbështesin në heshtje strategjinë e Ukrainës. Vetëm Gjermania do të investojë 10.5 miliardë dollar, në mbështetje të Ukrainës këtë vit dhe vitin tjetër, ku një pjesë e madhe e kësaj shume, do të shkojë në prodhimin e dronëve. Masat kundër flotës ruse, në hije, synonin gjithashtu këtë strategji.
Përfundimi i Applebaum është: “Për sa kohë që nuk ka politikë amerikane që ofron më shumë sesa fjalë boshe, ukrainasit do të ndjekin zgjidhjen e tyre me mbështetjen evropiane”.
Nga Kati Krause, Nga Gjermanishtja: Sherif Ramabaja