Sherif Ramabaja
“Serbia është sulmuar!”, ishte fjalia e parë e Vuçiqit.
Fashistët dhe nazistët po e sulmojnë Serbinë. Ende nuk kam shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, as nuk kam nxjerrë ushtrinë e tanket në rrugë, por për mbrojtjen e demokracisë do të marr masat e duhura.
Ai tregoi se kundër “demonstruesve nazistë e fashistë” tashmë, krahas policisë, janë angazhuar edhe grupe simpatizantësh me shkopinj bejzbolli. “I falënderoj nga zemra që po i dalin zot Serbisë”, shtoi ai.
Vuçiqi u kujtoi gazetarëve se gjithmonë ka qenë president i dashur për popullin serb dhe rus:
Unë i mbrojta të gjithë ata që luftuan kundër shqiptarëve, boshnjakëve, kroatëve e sllovenëve. Asnjërin asnjëherë nuk e çova para gjyqit, pavarësisht se çfarë kishin bërë në Kosovë, Bosnje, Kroaci e Slloveni. Mos mendoni se nuk kisha presione ndërkombëtare, por detyra ime si kryetar shteti ishte, ti mbroja qytetarët e mi, popullin dhe Serbinë.
Krimet ua faturoja shqiptarëve, kroatëve, boshnjakëve e sllovenëve, sepse ata, ishin të parët që e nisën konfliktin. Ne vetëm mbroheshim! Ata bënin krime e gjenocid ndaj popullit serb, e jo ne ndaj tyre.”
Pra sot pikërisht, këta që i mbrojta atëherë, sot ma ndezën zjarrin në Serbi dhe u ngritën kundër meje, vazhdoi ai.
Vuçiqi pranoi se tashmë ka kërkuar ndihmën e Rusisë dhe Putinit. Do t’i drejtohem edhe Dodikut e Republikës Serbe në Bosnje, si dhe serbëve të Kosovës. Dodiku ka milici, ushtri, paramilitarë – forca të mjaftueshme për ti luftuar bashkë, kundër fashistëve e nazistëve në Serbi.
Po ashtu pres shumë edhe nga serbët e Kosovës, sepse ata e dinë çfarë kam bërë unë për ta. T’i marrin shkopat e bejzbollit, armët ilegale që kanë, e të hyjnë në Serbi. Unë u premtoj se ndihmën do ua kthej dyfish. Rastin e Banjskës e keni të qartë – plani ishte perfekt, thjesht diçka dështoi në zbatim. Herën tjetër, personalisht do ti marr detyrat vetë përsipër.
Unë ditë e natë i luftova shqiptarët, Kurtin dhe Kosovën. Përkraha Republikën Serbe në Bosnje e Dodikun. Me Vulinin, Gjuriqin, Daçiqin, Bërnabiçi – kën, Grenellin e të tjerë thurnim plane për ‘Botën Serbe’. Na duhej vetëm përkrahja amerikane – Gjuriqi e Grenell po punonojnë në atë drejtim, të tjerët janë të angazhuar në rajon. Kurse unë me Vulinin, mbuloja Rusinë e Kinën. Por ja çfarë na bënë nazistët dhe fashistët! Jam në dilemë: si do ta emëroja nxjerrjen e ushtrisë e tankeve, ndaj nazistëve dhe fashistëve. Ta quaj operacion special, sikurse Putini, luftë qytetare apo si ?
Në fund, ai e mbylli konferencën me një paralajmërim:
Kjo nuk është e rastësishme. Perëndimi, shqiptarët dhe kroatët i kanë futur hundët këtu. Ata janë të vetmit dhe përgjegjës për gjendjen e tanishme në Serbi. Ndoshta më duhet të nxjerr ushtrinë dhe tanket më shpejt se sa mendova. Serbinë nuk ma marrin dot.
Mars – Rover (Satirë)