in

Shtypi amerikan i ashpër: “Putini ia doli të mashtrojë një tjetër president amerikan”

FILE - U.S. President Donald Trump, left, and Russian President Vladimir Putin, right, shake hands at the beginning of a meeting at the Presidential Palace in Helsinki, Finland, July 16, 2018. (AP Photo/Pablo Martinez Monsivais, File)

 

Paul Nikolas Hinz

“Washington Post”: Gjëja më e mirë për të thënë në lidhje me këtë samit: Mund të kishte qenë edhe më keq. Por edhe nëse Alaska nuk do të ishte një katastrofë, ajo ishte padyshim një disfatë e SHBA-së. Putini doli si fituesi i qartë nga takimi i tij i fundit me një president amerikan.

Triumfi i Putinit ishte i prekshëm që nga fillimi i takimit në bazën e përbashkët Elmendorf-Richardson, ku trupat amerikane shtruan tapetin e kuq për një dictator, i cili është akuzuar si kriminel lufte nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në vitin 2023 dhe i cili nuk mund të udhëtojë në shumicën e vendeve nga frika e arrestimit.

Putini ia ka dalë të mashtrojë një tjetër president të SHBA-së. Le të shpresojmë që takimi i ardhshëm midis Trump dhe Zelensky në Shtëpinë e Bardhë të jetë më pak i trazuar se ai i fundit, i cili përfundoi me një shkëmbim të zhurmshëm pohimesh. Megjithatë, nuk ka gjasa të jetë aq miqësor, sa takimet midis Trump dhe Putin.

“Putini nuk dëshiron paqe. Ai vetëm dëshiron të pushtojë.”

“New York Post”: “Z. President, tani e keni përgjigjen tuaj: Putini nuk dëshiron paqe. Ai thjesht dëshiron të pushtojë.” Putini vendosi buzëqeshjen e tij më të mirë të rreme, u bëri me dorë kamerave dhe pastaj theksoi me ankth se sa pjesë të Alaskës kanë emra rusë. Ai mbeti i paqartë, nëse i kishte fare, në lidhje me marrëveshjet. Ky është përkufizimi i fjalorit për “vazhdimin e udhëtimit”.

Ndërsa ai thotë se dëshiron më shumë bisedime dhe sugjeron pa mend “herën tjetër në Moskë” – një ftesë që mund të refuzohet kategorikisht – bombardimi i tij i Ukrainës vazhdon. Keni të drejtë, z. President, vrasjet duhet të ndalen dhe Alaska ka treguar se e vetmja mënyrë për ta arritur këtë është të ushtrohet presion mbi Putinin.

“Putini u prit si mik në tokën amerikane”

“Politico” (SHBA): Megjithatë, duket se Putini ka përfituar më shumë nga takimi. Ai e siguroi takimin pavarësisht se kërkohej për krime lufte dhe u mirëprit në tokën amerikane si mik, jo si udhëheqës i një shteti të përjashtuar që kishte pushtuar një vend sovran fqinj.

Dhe ai i mori të gjitha këto pa rënë dakord më parë për lëshime të mëdha, përfshirë një armëpushim – dhe u largua nga Anchorage pa u zotuar për një armëpushim, edhe pse Trump tha gjatë konferencës së tyre të përbashkët për shtyp se, homologu i tij rus ishte i përkushtuar për të shpëtuar mijëra jetë. Me sa duket, jo aq shumë.

Ja çfarë shkruan shtypi ndërkombëtar:

“E neveritshme. E turpshme. Dhe në fund të fundit e padobishme.”

“Kyiv Independent” (Ukrainë): E neveritshme. E turpshme. Dhe në fund të fundit e padobishme. Këto ishin fjalët që na erdhën në mendje ndërsa shikonim Samitin e Alaskës. Në ekranet tona, një diktator i përgjakur dhe kriminel lufte u prit me respekt mbretëror në tokën e lirë – ndërsa dronët e tij luftarakë u drejtuan drejt qyteteve tona.

Përpara takimit në Alaskë, Trump deklaroi se donte “një armëpushim sot” dhe se Putin do të përballej me “pasoja të rënda” nëse nuk do t’i bindej. Por pas një takimi me dyer të mbyllura që zgjati dy orë e gjysmë, Trump dhe Putin dolën dhe nuk ndanë… asgjë. Pati “përparim” dhe një farë “mirëkuptimi”, por të dy nuk mundën të binin dakord për “çështjen më të rëndësishme” – Ukrainën.

Trump nuk mori atë që donte. Po Putini? Sigurisht. Që nga momenti që zbriti nga avioni në tokën amerikane, diktatori rus buzëqeshi. Ai nuk ishte më një i përjashtuar ndërkombëtarisht, por më në fund u pranua – dhe u respektua – nga udhëheqësi i botës së lirë. Paraardhësi i Trump dikur e kishte quajtur Putinin vrasës; Trump i bëri një pritje mbretërore.

“Nga perspektiva e Ukrainës: Shkoi mirë sepse Trump nuk i tradhtoi.”

Gazeta “Bild”: Ishte një spektakël politik absurd që pamë këtu në Alaska, dhe dikush pyet veten: A shkoi keq sepse Trump me sa duket nuk arriti një marrëveshje? Apo shkoi mirë thjesht sepse, ndryshe nga shumë frikësime, ai nuk ia shiti Ukrainën Putinit?

Një gjë është e qartë gjithsesi: Nuk kishte qëndrime të dakordësuara më parë mbi të cilat mund të arrihej një marrëveshje. Me sa duket, kjo është një nga arsyet, pse takimi i planifikuar fillimisht kokë më kokë midis Trump dhe Putin u ndryshua në një format me ministra të jashtëm dhe këshilltarë.  Nëse nuk thuhet asgjë konkrete në një konferencë për shtyp, nëse nuk u përgjigjen pyetjeve, nëse dreka anulohet dhe të gjithë largohen nga dhoma sa më shpejt të jetë e mundur, atëherë diçka ka shkuar keq. Ose nga perspektiva ukrainase: shkoi mirë, sepse Trump nuk i tradhtoi ata.

“Atmosfera në sallë nuk ishte e mirë”

Fox News (SHBA) në konferencën për shtyp: Atmosfera në sallë nuk ishte e mirë. Duket sikur gjithçka nuk po shkonte mirë. Dhe dukej sikur Putini hyri dhe i mposhti të gjithë, filloi menjëherë me atë që donte të thoshte, bëri një foto pranë presidentit dhe pastaj u largua.

“El Pais”: Samiti do të hyjë në histori, por jo në mënyrën që kishte shpresuar Shtëpia e Bardhë e Trump. Do të mbahet mend si rënia e diplomacisë amatore që vendosi favorizimin e korruptuar të Trump në qeveri.

Ai përballej me një institucion të shkëlqyer, të disiplinuar dhe efikas, të farkëtuar me profesionalizmin e inteligjencës dhe ushtrisë sovjetike, si dhe me agjitpropin stalinist, i cili dinte si të shfrytëzonte kotësinë, lakminë dhe korrupsionin e sistemit Trump.

Asgjë nuk mund ta fshehë shkallën e dështimit. Putini largohet nga samiti duke buzëqeshur, pa e vënë Trump në zbatim asnjë nga kërcënimet e tij të paqarta.  Dhe ai nuk është më një i përjashtuar. Ai përballet me atë që e shpall veten udhëheqës të botës së lirë si të barabartë me të – pa marrë asnjë qortim të vetëm.

Politikisht, gjërat mund të kishin qenë edhe më keq nëse do të ishin arritur marrëveshje ose edhe një lloj armëpushimi, pasi atëherë Rusia do të kishte qenë në gjendje të shfrytëzonte plotësisht epërsinë e saj diplomatike. Me shumë mundësi ishte presioni i fundit i Evropës ndaj Trump që parandaloi një katastrofë edhe më të madhe. Prandaj, Evropa nuk duhet të dekurajohet nga dështimi i Trump. Paqja e drejtë dhe e nevojshme për Ukrainën është padyshim një çështje që u përket evropianëve.

“Putini e zuri Trumpin në befasi”

“The Guardian” (Angli): Putini mund të ketë qenë i ftuar në një takim në tokën amerikane, por udhëheqësi rus fitoi shumë më tepër prestigj, sesa pritësi i tij. Putini foli i pari me gazetarët – një thyerje e konventës që i dha atij mundësinë të përcaktonte tonin për një konferencë shtypi të shkurtër dhe ndonjëherë donkishoteske në Anchorage.

 Sikur për të nënvizuar rolin e tij dominues në negociata, Putin e përfundoi informimin duke sugjeruar që takimi i radhës të mbahej në Moskë – një ftesë që e zuri në befasi Trumpin, i cili pranoi se kjo do të shkaktonte “pak zemërim” në vend. Por ai nuk e përjashtoi këtë mundësi.

“Trump nuk është protagonisti më i rëndësishëm në luftën e Ukrainës”

“The Telegraph” (Angli): Megjithatë, Donald Trump ka të ngjarë të jetë disi i bezdisur nga rezultati. Edhe pse administrata Trump u përpoq të vendoste standarde të ulëta, vetë presidenti përshkroi pritjet e tij për samitin: një armëpushim dhe, nëse gjithçka shkon mirë, një takim tjetër, këtë herë me Zelenskyn. Në vend të kësaj, ai largohet nga Alaska pa pikën e parë në listën e tij, dhe e dyta është ende e pasigurt. Luftimet do të vazhdojnë nesër po aq ashpër sa janë sot.

Përfundimi është i thjeshtë: Trump mund të mburret për aftësitë e tij të jashtëzakonshme negociuese, por ai nuk është protagonisti më i rëndësishëm në luftën e Ukrainës. Trump mund të ushtrojë presion, të bëjë lajka dhe të fshehë të drejtat, por Zelensky dhe Putin do të vendosin, se kur do të ndalen vrasjet.

“Media perëndimore është krejtësisht jashtë vetes”

Tass (Agjencia ruse e lajmeve): Mediat perëndimore, të cilat kishin raportuar për izolimin e Rusisë, tani janë plotësisht jashtë vetes, për shkak të takimit midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij amerikan Donald Trump në SHBA, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova.

Lidhur me takimin midis dy krerëve të shteteve në Alaska, ajo shkroi në Telegram: “Media perëndimore është në një gjendje që mund të përshkruhet si tërbim, duke u shndërruar në çmenduri të plotë: për tre vjet ato kanë raportuar se Rusia është e izoluar, dhe sot kanë parë qilimin e kuq të shtruar për të mirëpritur presidentin rus në Shtetet e Bashkuara”, tha diplomatja.

“Shefi i Kremlinit do ta braktisë këtë ëndërr vetëm nën presion të madh”

“Neue Zürcher Zeitung” (Zvicër): Rezultati modest i samitit nuk është në thelb i habitshëm. Me mbërritjen e tij në Anchorage, Ministri i Jashtëm rus Lavrov e bëri të qartë qëndrimin e vendit të tij me një deklaratë mode: Ai veshi një bluzë me shkurtimin cirilik për “BRSS”. Nuk është sekret se rënia e Bashkimit Sovjetik ishte një katastrofë e madhe për (udhëheqësin e Kremlinit Vladimir) Putin, dhe ai do të preferonte të ringjallte perandorinë e vjetër. Udhëheqësi i Kremlinit do të heqë dorë nga kjo ëndërr vetëm nën presion të madh.

Tani lind pyetja nëse (Presidenti i SHBA-së Donald) Trump do t’i zbatojë më në fund kërcënimet e tij për sanksione kundër Moskës. Këtë javë, ai njoftoi “pasoja shumë serioze” nëse Putini nuk pranon t’i japë fund luftës të premten.

Putini e ka bërë të qartë se nuk dëshiron një armëpushim pa kushte. Tani i takon Trumpit ta pranojë më në fund këtë dhe të nxjerrë përfundimet e duhura.

“Një prodhim që në rastin më të mirë mund të jetë fillimi i një procesi të gjatë paqeje”

“De Tijd” (Belgjikë): Ukraina dhe Evropa me të drejtë e pritën takimin në Alaskë me padurim. Në fund të fundit, kush ishte ulur në tryezën e negociatave në Anchorage? Një president kapriçioz që doli të ishte një tregtar armësh dhe një president dinak që filloi një luftë shkatërruese kundër një vendi fqinj. Ishte një skenë që, në rastin më të mirë, mund të jetë vetëm fillimi i një procesi të gjatë paqeje. Megjithatë, ky proces mund të fillojë vërtet vetëm nëse Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy i lejohet të ulet në tryezë.

Evropa duhet t’i përkushtohet plotësisht Ukrainës dhe të mos lejojë veten të bllokohet. Përndryshe, ne rrezikojmë të jemi ata që vuajnë nëse një marrëveshje e keqe negociohet mbi kokat tona. Në prag të samitit, udhëheqësit evropianë tashmë gjetën një vesh dëgjues tek Trump, edhe nëse kjo nuk përfaqëson një garanci afatgjatë. BE-ja duhet të përgatitet për një udhëtim të egër pa humbur nga sytë qëllimin përfundimtar: një marrëveshje paqeje që është e drejtë për Ukrainën dhe garanton sigurinë evropiane.

Nga Gjermanishtja: Sherif Ramabaja

Takimi Trump–Putin në Alaska: Gjermania reagon me shqetësim dhe kritika

A po lejon Vuçiqi, poshtërimin e Serbisë!