Presidenti i Republikës Srpska, Dodik, është dënuar me burg. Meqenëse apeli i tij dështon, teorikisht ai përballet me gjashtë vjet burg. Megjithatë, kritikat vijnë nga Serbia fqinje. Presidenti Vuçiç nuk e pranon vendimin.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç refuzon të njohë dënimin me burg kundër udhëheqësit serb të Bosnjës Milorad Dodik. Vuçiç deklaroi se nuk do ta arrestojë Dodik nëse lëshohet një urdhër arresti kundër tij. Një gjykatë apeli në Bosnjë dje mbështeti dënimin me një vit burgim të Dodikut dhe hodhi poshtë mundësinë e apelimit kundër vendimit.
Dodik u dënua në radhë të parë sepse, si President i Republikës Srpska të Bosnjës në korrik të vitit të kaluar, ai miratoi dy ligje që ndalonin zbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të OKB-së për Bosnjën dhe Hercegovinën. Përveç dënimit me burg, Dodik nuk mund të mbajë poste politike për gjashtë vjet.
Vendimi kontribuon në destabilizimin e rajonit, tha Vuçiç pas një takimi urgjent të Këshillit të Sigurisë së Serbisë. Dodik është “Presidenti i zgjedhur në mënyrë legjitime dhe ligjore i Republikës Srpska” dhe i mirëpritur në Serbi, theksoi Vuçiç. Vendimi i Gjykatës së Apelit të Bosnjës është “jodemokratik, imoral dhe një sulm serioz ndaj popullsisë serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë”, sipas rezultateve të takimit të Këshillit të Sigurisë, të cilat Vuçiç i lexoi.
Sipas vëzhguesve, dënimi i Dodikut shkaktoi krizën më të madhe në shtetin ballkanik që nga Lufta e Bosnjës, e cila zgjati nga viti 1992 deri në vitin 1995. Udhëheqësi serb i Bosnjës e kishte kritikuar gjyqin kundër tij si të motivuar “politikisht” dhe mijëra mbështetës të tij demonstruan kundër vendimit.
Që nga Marrëveshja e Paqes e Dejtonit, Bosnja dhe Hercegovina është ndarë në Republikën Srpska me shumicë serbe të Bosnjës dhe Federatën Kroato-Muslimane të Bosnjës dhe Hercegovinës. Dy rajonet gjysmë-autonome kanë qeveritë dhe parlamentet e tyre dhe janë të lidhura nga një qeveri qendrore e dobët.
Burimi: ntv.de, mpa/AFP, Nga Gjermanishtja: Sherif Ramabaja