Pas përleshjeve në Serbi, Presidenti Aleksandar Vuçiç i etiketoi organizatorët si terroristë. Zyra e prokurorit publik raportoi arrestime.
Pas përleshjeve të dhunshme gjatë protestave masive kundër qeverisë serbe, Presidenti Aleksandar Vuçiç hodhi poshtë thirrjet për zgjedhje të reja. “Serbia ka fituar. Nuk mund ta mposhtësh Serbinë me dhunë, siç do të donin disa”, tha Vuçiç. Ai akuzoi organizatorët e protestës për terrorizëm dhe për “dëshirën për të shkatërruar shtetin”.
Të shtunën në mbrëmje, dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në një tubim proteste në kryeqytetin serb Beograd . Studentët kishin bërë thirrje për pjesëmarrje. Rreth 140,000 njerëz u mblodhën në Sheshin Slavija, duke mbështetur kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare, sipas vlerësimeve të organizatës Arkivi i Takimeve Publike.
Policia serbe raportoi 36,000 pjesëmarrës. Sipas gazetarëve të agjencisë së lajmeve AFP, në tubim morën pjesë dukshëm më shumë njerëz. Ata i bazuan vlerësimet e tyre, ndër të tjera, në fotografi ajrore.
Policia arreston 78 protestues
Pas përfundimit zyrtar të ngjarjes, shpërthyen përleshje midis demonstruesve dhe policisë. Oficerët përdorën gaz lotsjellës dhe shkopinj, ndërsa protestuesit hodhën gurë dhe flakë. Sipas policisë, 48 oficerë u plagosën, njëri prej tyre rëndë.
Ministri i Brendshëm serb Ivica Daçiç tha se 22 demonstrues kërkuan ndihmë mjekësore . Dy persona thuhet se pësuan lëndime të rënda. Sipas Daçiç, policia arrestoi 77 persona dhe 38 prej tyre mbeten në paraburgim për momentin.
Vuçiç njoftoi arrestimin e shumë demonstruesve të dielën. Atë mbrëmje, zyra e prokurorit serb raportoi arrestimin e gjashtë të dyshuarve. Të akuzuarit dyshohet se kanë planifikuar bllokada dhe sulme ndaj institucioneve shtetërore me qëllim “ndryshimin e dhunshëm të rendit shtetëror”. Organizatorët e demonstratave kërkuan lirimin e të ndaluarve dhe bënë thirrje për protesta para zyrës së prokurorit.
Vuçiç i përshkruan protestat si të kontrolluara nga jashtë
Për më shumë se gjysmë viti, në Serbi kanë ndodhur protesta në shkallë të gjerë . Ato u shkaktuan nga shembja e çatisë së një stacioni treni në Novi Sad nëntorin e kaluar, ku humbën jetën 16 persona.
Pasi shumë njerëz dolën në rrugë për të protestuar kundër shkakut të aksidentit, tubimet më vonë u kthyen kundër qeverisë dhe korrupsionit në vend. Demonstruesit tani po kërkojnë zgjedhje të reja.
Vuçiç e kishte refuzuar kërkesën të premten dhe kishte njoftuar se nuk do të kishte zgjedhje para vitit 2027. Ai i përshkroi përsëri protestat si të orkestruara nga jashtë.
29 qershor, Burimi: ZEIT ONLINE, AFP, jfw
Nga Gjermanishtja: Sherif Ramabaja