Një britanik i shpëtoi mrekullisht katastrofës së avionit të “Air India”, e cila u ka marrë jetën qindra njerëzve. Vishwash Kumar Ramesh, 40 vjeç shqiptoi fjalët e para nga një shtrat spitali disa orë pasi bëri dalje të pabesueshme nga avioni. Pamjet mahnitëse treguan pasagjerin me lëndime të dukshme duke u larguar me vështirësi nga vendi i rrëzimit. Ai thuhet se ka pësuar lëndime në gjoks, sy dhe këmbë.
Policia e gjeti pasagjerin, i cili kishte qenë në sediljen 11A kur avioni u rrëzua dhe e transferoi atë në një spital aty pranë për trajtim. Këtë pasdite familja e tij konfirmoi se Ramesh ishte në bord dhe ndërkohë nuk kishin asnjë lajm nga një i afërm tjetër që ata besonin se ishte gjithashtu në avion. Duke folur për mediat lokale nga shtrati i spitalit, Ramesh tha se vëllai i tij kishte qenë ulur në një rresht tjetër duke shtuar: “Nuk munda ta gjej më”.
“Tridhjetë sekonda pas ngritjes, pati një zhurmë të fortë dhe pastaj aeroplani u rrëzua. Gjithçka ndodhi kaq shpejt. Kur u ngrita, kishte trupa përreth meje. U frikësova. U ngrita dhe vrapova. Kishte copa të aeroplanit përreth meje. Dikush më kapi, më futi në një ambulancë dhe më çoi në spital” – tha ai.
Ramesh, i cili jeton në Londër me gruan dhe fëmijën e tyre, po kthehej në shtëpi pasi vizitoi familjen në Indi. Numri i konfirmuar i të vdekurve është rritur në të paktën 240 persona, sipas policisë. Para zbulimit të të mbijetuarit britanik, autoritetet thanë se besonin se askush nuk kishte shpëtuar gjallë nga fluturimi. Aeroplani mbante 244 pasagjerë, sipas policisë. Në bord kishte 53 shtetas britanikë, si dhe 159 shtetas indianë, 7 shtetas portugezë dhe 1 kanadez. 11 prej atyre në bord ishin fëmijë, përfshirë 2 të porsalindur.
Ekipet e shpëtimit të mbështetura nga ushtria kanë nxjerrë 204 trupa nga vendi i ngjarjes deri më tani. Viktimat janë pasagjerë të avionit dhe zona përreth rrëzimit. Ekspertët e aviacionit thonë se Boeing 787 Dreamliner mund të ketë humbur papritur fuqi “në fazën më kritike të fluturimit” pas ngritjes.
Shkaqet e mundshme besohet të ketë qenë një ndryshim të shpejtë të erës ose një goditje zogjsh që çoi në një bllokim të dyfishtë të motorit. Zyrtarët nga Byroja e Hetimit të Aksidenteve të Avionëve të Indisë janë tani në vendngjarje për të kryer një analizë të rrënojave dhe për të nxjerrë kutinë e zezë të avionit të rrëzuar. Edhe qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tha se po dërgonte një ekip për të mbështetur hetimin.