Evropa nuk mund të mbështetet më te SHBA-të nën drejtimin e Presidentit Donald Trump, thotë eksperti i politikës së jashtme të Partisë së Gjelbër, Anton Hofreiter, në emisionin Frühstart të ntv. Trump është “në disa mënyra një fashist”.
Anton Hofreiter, Kryetar i Komitetit Evropian, e quajti Presidentin e SHBA-së Donald Trump fashist. “Donald Trump është në disa mënyra një fashist dhe në disa mënyra një person naiv që mund të manipulohet lehtësisht nga diktatorët”, tha Hofreiter në ntv Frühstart. “Dhe pastaj ai është gjithashtu shumë i korruptuar, siç e pamë nga udhëtimi i tij në Shtetet e Gjirit”, vazhdoi politikani i Partisë së Gjelbër.
Meqenëse është e qartë se nuk mund të mbështetesh më te SHBA-ja, do të ishte mirë që Evropa të mbyllë sa më shpejt të jetë e mundur boshllëqet në aftësitë ushtarake, si në fushat e transportit ajror dhe zbulimit satelitor. “Por nuk duhet të dëshpërohemi. Rusia ka afërsisht të njëjtën fuqi ekonomike si Italia.”
Hofreiter e konsideron vendosjen në detyrë të Brigadës Gjermane në Lituani si më shumë sesa thjesht politikë simbolike. “Kjo është me rëndësi jashtëzakonisht të madhe, sepse shtetet baltike në veçanti janë nën kërcënim masiv nga Rusia”, tha eksperti i mbrojtjes.
Rusia nuk duhet as të mendojë për të sulmuar Evropën. “Ne kemi nevojë për një pengesë të besueshme kundër një diktatori si Putini.”
Presidenti rus është larg përfundimit të planeve të tij të zgjerimit. “Ai dëshiron Ukrainën, dëshiron Bjellorusinë, dëshiron të pushtojë vendet baltike, dëshiron të pushtojë Republikën e Moldavisë.
Në thelb, ai dëshiron të ribëjë Perandorinë e vjetër Ruse”, tha Hofreiter. “Për këtë ne duhet të jemi të vetëdijshëm. Dhe këtu ndihmon vetëm parandalimi.”
Burimi: ntv.de, shu/cwi. Nga Gjermanishtja: Sherif Ramabaja