Të nderuar zotëri,Unë ju përcjell me vëmendje në të gjitha punët dhe aktivitet që bëni. Në shumë raste kam shprehur kënaqësinë për kryerjen e punëve të mira që keni bërë dhe, në shumë raste, nuk e kam ngritur zërin për fjalët që janë folur në lidhje me punët e këqija dhe akuzat për korrupsion të cilat qarkullojnë në bisedat me njerëzve dhe në mjete të informimit.Këto ditë e pash që kishit ndarë një parcelë për Bashkësinë Islame të Deçanit.
Nuk jam kundër që t’i ndihmohet secilës organizatë dhe bashkësie por po më shqetëson një fakt dhe ai ka të bëje me arsyetimin tejet të dobët dhe të pa argumentuar për ndarjen e asaj toke.Ju duhet ta dini se në Deçan ka më shumë xhami se sa ka shkolla!Ju duhet ta dini se në Deçan ka më shumë xhami se sa ka ambulanta!Ju duhet ta dini se në Deçan ka më shumë xhami se sa ka objekte kulturore e shoqërore.
Ju, sigurisht, duhet ta dini se në Deçan nuk ka një qendër të kompetencës në të cilën vajzat dhe djemtë tanë do të aftësoheshin për tregun e punës.Ju sigurisht e dini se në Deçan mungon një qendër inovacioni në të cilën të rinjtë tanë, djem e vajza të talentuar, do ta materializonin talentin e tyre.Ju e dini se në Deçan mungon një bibliotekë e mirëfilltë.Ju e dini se në Deçan mungon një qendër kulturore e mirëfilltë.Ju e dini se në Deçan mungon një fabrikë e mirëfilltë.Ju e dini se në Deçan mungojnë shumë gjera, objekte publike dhe shoqërore të cilat këtë qytet do ta bënin një qendër moderne ku mund të jetohet, punohet dhe të prosperohet.
Në vend se të mendoni për këto gjëra, për të gjitha ato gjëra që do to duhej t’i kishte por që i mungojnë atij vendi, për ndërtimet që do ta modernizonin komunën dhe qytetin dhe do ta bënin një vend të jetueshëm, ju ndani mijëra metra katror të pronës publike për një bashkësi fetare e cila vepron si një OJQ dhe e cila, me shumë aktivitete, ka dëshmuar se, jo gjithmonë, është në shërbim të të mirës së shtetit, të kombit dhe të njerëzve të asaj ane.
Ju i ndani tokë publike një organizate e cila ka prona më shumë se të gjitha institucionet komunale së bashku në Deçan. Ju i ndani prona një organizate e cila nuk ju ka ofruar informacione detale, as plan ideor dhe as plan narrativ për çka do të shërbejnë ndërtimet që do të bëhen në atë parcelë dhe se për çka dhe në cilën mënyrë do ta shfrytëzojë atë pronë publike. Gjithashtu ju e ndani pronën pa e ditur se prej nga do të vinë paratë me të cilat do të bëhen ndërtimet dhe cili do të jetë destinacioni dhe qëllimi i atyre ndërtimeve.Në këtë letër dua të jem i kujdesshëm dhe nuk dua që kjo letër të kuptohet sikur unë jam kundër Bashkësisë Islame të Deçanit.
Unë jam kundër Komunës dhe komunarëve deçanas të cilët, me lehtësi dhe pa një plan të detajuar, kanë guximin që të ndajnë prona publike (prona të të gjithë banorëve të Deçanit).Unë nuk mund ta kuptoj këtë lloj indolence dhe këtë lloj lehtësie me të cilën ju ndani prona publike për një mekanizëm cili nuk do të ndikojë në asnjë aspekt të zhvillimit kulturor, social dhe ekonomik të komunës tonë.
Ju ndani prona publike një institucioni i cili asnjëherë deri tash nuk ka kontribuar në asnjë aspekt të zhvillimit shoqëror dhe të modernizimit komunës dhe të vendit.Me anë të kësaj letre vetëm dua ta shpreh shqetësimin tim të thellë për mënyrën se si ju ndani, falni dhe menagjoni tokën dhe pronën publike të Komunës.
Nuk po ju përshëndes!Unë, sikur edhe disa herë më herët, ndihem i dëshpëruar dhe i pashpresë kur ndërmerrni hapa të cilët nuk i kontribuojnë zhvillimin komunës apo asaj i japin një imazh të gabueshëm.