Sherif Ramabaja
Serbisë sot i duhet një ambasador i tillë, siç është zoti Hill. Ai me vizionin dhe largpamësinë e tij e ka lartësuar Serbinë dhe popullin serb. As Rusia deri më sot nuk ka dërguar ambasador më të guximshëm, më dinamik e më të çmuar i cili sakrifikohet për interesin tonë, ishte arsyetimi i Vuçiqit.
Hillin e mundonin deklaratat dhe akuzat e udhëheqësve serb, duke filluar nga Vulin, Bërnabiç – ka, Daçiqi, Gjuriqi, Dodik etj. nga shkaku se NATO e kishte sulmuar Serbinë. Me muaj, ditën e natën, kishin kryer bombardime ndaj saj, derisa ia kishin shkëputur Kosovën.
Përpos dhimbjeve për popullin serb dhe Serbinë, ambasadori Hill vuante edhe nga vajtimet e udhëheqësve të lartpërmendur serb, prandaj preokupohej se si ta zbuste qëndrimin dhe mllefin e tyre.
Vitet e fundit çdo ditë ai u kërkonte ndjesë për bombardimin e NATOS, u premtonte lehtësime dhe investime amerikane dhe fonde lehtësuese nga EU. Si kompensim të një baraspeshe ai po ashtu e kritikonte Kosovën për qëndrimin dhe trajtimin e pakicës serbe, duke cituar mediat vendase, bazuar tërësisht nga akuzat e palës serbe dhe asaj ruse.
Po ashtu gjatë bisedimeve Kosovë – Serbi, që po zgjatin me vite e decenie, ambasadori Hill gjithashtu kishte lozur rol kyç. Me ish udhëheqësit nga Kosova, të përfshirë në këto bisedime, ai lente gjurmët e tij në themelimin e Asociacionit, apo formimin e komunave me nga 10 serbë. Kjo zemërgjerësi dhe përkujdesje ndaj serbëve sikur nuk mjaftonte, sepse ata kërkonin maksimumin që ishte shkëputja.
Për fat të ambasadorit Hill, në pozicione për t´i aprovuar këto marrëveshje ndodheshin Lutfi Haziri dhe Isa Mustafa, prandaj firma e tyre për Bashkitë serbe dhe Asociacionin, ishte vetëm një rutinë.
Sot edhe pse ka kaluar më shumë se një decenie, Ambasadori Hill po thirret në marrëveshjet e arritura, Asociacionin, dhe po e Akuzon Kosovën që ato t´i fuqizoi dhe zbatoi pa vonesë. Po ashtu derisa gjatë viteve Vuçiqi ilegalisht formonte struktura paralele, apo e sulmonte Kosovën me paramilitar e grupe terroriste, ambasadori Hill gjithmonë gjente fjalë që ta shfajësonte Vuçiqin dhe Serbinë. Po u mungojnë të drejtat dhe Asociacioni, thoshte.
Nuk ka fakte që Serbia qëndron prapa këtyre çështjeve, vazhdonte me krenari. Sipas tij Kosova ishte fajtore, sepse nuk po i fut këto tema në bisedimeve. Kur ishte puna dhe paraqiteshin faktet se Kosova po sulmohet, ai thoshte se Serbia nuk qëndron pas akteve të tilla.
Derisa Kosova lufton për zbatimin e kushtetutshmërisë dhe ligjit shtetëror, Hill e qorton Kosovën se po vepron, pa u konsultuar me bashkësinë ndërkombëtare. Sipas tij konsultimi do të thoshte që të gjitha çështjet, duhet të drejtohen vetëm në takimet e përbashkëta, duke i marr parasysh kërkesat e Serbisë.
Po kërkoi tash presidenti Trump ndryshimin e kufijve, ambasadori Hill do të na quaj të verbër. Për këtë angazhohesha unë që ta formonit Asociacionin, në mënyrë që t´i shmangeni ndarjes.
Nëse nuk arrihet ndarja, prapëseprapë, ambasadori Hill do të jetë i çmuar dhe i lavdëruar në Serbi, si askush tjetër . Ndoshta do t´i ngritin lapidar, sikurse Kosova ish presidentit Bill Klintonit.
Mars – Rover (Satirë)