in

Zogaj: Poezia, një luftë e hershme e të resë me të vjetrën pa shanse që të fitojë njëra e të humbasë tjetra

Bisedë me gazetarin dhe shkrimtarin  Andreas Dushi, botuar në numrin e fundit të gazetës letrare “ExLibris”

1. Preç, së fundmi keni botuar përmbledhjen tuaj të plotë poetike “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”. Natyrshëm, është e pashmangshme pyetja: Pse pikërisht tani?

Sepse pikërisht ketë vit botuesi i UET Press, Henri Çili, nisi kolanën e botimeve poetike “Plejad”. Mua më ra nderi të isha autori që e përuroi këtë kolanë, e cila do të viijojë në kreshendo me poetë të tjerë të afirmuar.

Kolana në fjalë senderton ndërkaq një zakon të botuesve në mbarë botën, në mirëkuptim  dhe me bashkëpunimin e  autorëve. Janë të shumtë poetët  që  e bejnë këtë më shumë se njëherë. Është një menyrë për të bartur poezitë më të mira të vëllimeve  veç e veç  në një liber  të vetëm, në  librin e librave.  E gjithë kjo edhe për efekt  të komunikimit me lexuesit e rinj. Me studiusit e poezisë gjithashtu. Në fund të fundit, poeti shkruan vetëm një libër, thoshte Borhes. Pavarësisht se krijimtaria e tij  “kalenderizohet” nga koha në kohë me tituj  të veçantë.

2. Ky proces përzgjedhjeje mes gjithë krijimtarisë suaj thuajse gjysëmshekullore, si është realizuar dhe lënia jashtë e disa poezive ka qenë një përvojë e dhimbshme për ju?

Unë kam bërë përzgjedhjen e parë nga dyëmbëdhjetë vëllimet e botuara nga viti  1985 deri në vitin 2021. Ketë përzgjedhje ia kam dërguar Gëzim  Bashës, autorit të parathënies, një njohës i thellë i letërsisë shqipe dhe i poezisë sime  gjithashtu, i cili jep lëndën e Shkrimit Akademik në Universitetin e Wiskonsin në SHBA dhe është i angazhuar edhe në Departamentin e Kërkimeve të këtij Universiteti. Gëzimi ka bërë sugjerimet e tij, duke iu përmbajtur me rreptësi kriterit estetik. A ndjej keqardhje për të hequrat? Nganjëherë po. Më bëhet sikur nuk i kam marrë në varkë. Madje në një emision televiziv me gazetaren Monika Stafa  (Top Channel) më ndodhi të recitoja vargjet e një poezie të hershme për Lezhën,  ku them ndër të tjera “jam nga ku vend i pashok në Veriperendim/ ku zukthi qahet nga vapa  dhe era e kripur e detit/ ku pishat e Veles karshi filtrojnë ajrin e bjeshkës/ ku mbrëmjet e lehta peshojnë mbi kalinjtë e ndezur si zjarre/ Zgjas një dorë prapa dhe prek det/ zgjas tjetrën prapa dhe prek male”… dhe befas u kujtova se  këtë poezi nuk e kam përshirë në përmbledhje. Dhe i thashë me të qeshur Monikës se në një të ardhme do të mendoj të botoj, me shpenzimet e mia kësaj radhe, një përmbledhje me poezitë e hequra.

3. Mendoni se njohja masive në publik si analist ju ka dëmtuar apo ndihmuar në raportin tuaj prejpoeti me lexuesin?

Do doja shumë ta dija. Por nuk kam si ta di. Mund të përgjigjem “po” pa gabuar. Sikurse “jo”, apo “ ndoshta” sërish pa gabuar.  Pasioni i jetës sime ka qenë dhe mbetet poezia.  E dëshmon perodiciteti i botimeve të mia gjatë gjithë këtyre viteve, pavarësisht se me se  jam marrë në jetën e përditshme. Puna e poetit është në pritje. Kur më ka thirrur poezia, kam lënë gjithçka dhe jam përgjigjur. Për  fat më ka thirrur vijueshëm dhe kjo ka bërë që të cilësohem një poet sistematik. Them për fat, sepse poezia nuk vjen kurrë as me thirje, as me truke, as me magji. Ajo vjen kur të dojë vetë, aq sa nganjeherë, kur kalojnë javë apo edhe muaj pa një shenjë prej saj, fillon e mendon me vete se kaq e pat, nuk kthehet më. Dha sa shumë lumturohesh kur krejt papritur motivi i ri bëhet gjallë dhe shkrep ku nuk ta pret mendja. Për t’u kthyer te pyetja  nga e nisëm, duhet të them se kam bërë gjithnjë një punë për të jetuar, për të mbajtur familjen. Kjo u ndodh gjithë shkrimtarëve këtu, besoj. Tregu ynë është i tillë që me të ardhurat nga librat nuk e lejon të jetuarit me dinjitetin që vesh figurën e poetit. Megjithatë, do doja shumë ta dija se si do të kishte qenë poezia ime nëse do të kisha patur mundësi t’i kushtohesha vetëm asaj. Nuk do ta di kurrë.

4. Besoni se sot, në këtë kohë krejt të ndryshme nga vitet kur u përdor si term, vlen të përmendet akoma koncepti i shkollave letrare respektive të qyteteve të ndryshme?

Jo, nuk vlen. Nuk vlen sepse nuk ka. Shkollat Letrare  janë një dukuri  e rralle në historinë e letërsisë. Ato, zakonisht, kanë kanonet  apo manifestet  e tyre tëalaboruara , siç është  përshembull manifesti i futurizmit i Marinetit që u përhap dhe u përshat nga poetë  francezë, rusë e  plot  të tjerë.  E plot  të tjera.

E kuptoj se pyetja juaj ka parasysh disa rrethe letrareqë spikatën përgjatë viteve tetëdhjetë-nëntëdhjetë të shekullit të kaluar në disa qytete të vogla, si Lezha, Tepelena, Bajram Curri, Lushnja, Kukësi  e ndonjë tjetër. Këto rrethe apo grupe letrare dalloheshin për mënyrat dhe tonet e tyre të dallueshme të të shkruarit. Mes tyre kishte poetë vërtetë të talentuar. Po kufizohem të përmend veç disa syresh që nuk jetojnë më, si Ndoc Gjetja (Lezhë), Petrit Ruka (Tepelenë), Agim Spahiu (Kukës), Hamit Alia (Tropojë).  Por nuk mund të flitej për “shkolla” në një rend politik totalitar. Nëse flasim për Lezhën, duke qenë se  Lezha përmendet më shpesh për “shkollën e saj të poezisë” dëshiroj të sqaroj dy gjëra. E para, as Ndoc Gjetja, as Rudolf Marku, dy poetët e shquar lezhjanë të atyre viteve, nuk kanë pretenduar ndonjëherë të kenë krijuar një shkollë letrare. Kjo shprehje është thënë  fillimisht me përçmim dhe sens paralajmërues nga një zyrtar i lartë i Komitetit  Qëndror  të Partisë së Punës  qëmerrej me lëtersinë dhe artet. Zyrtari e kishte me njëlloj poezie diverse që po shkruhej në Lezhë, sidomos nga Rudolfi, i cili duke  përdorur me mençuri   mjetet shprehese të poezisë, ekperimentonte dykuptimësinë, poezinë mes rreshtave, nëntekstet. Ai njihej gjeresisht si një poet i ri i kulturuar, bartës i jehonave dhe koncepteve të poezisë bashkohore europiane me të cilat kishte mundur të vihej në kontakt në kushte jo legale. Ndoci, megjithese më i madh në moshë, duke ruajtur stilin e tij, u ndikua nga Rudolfi. Pak më vonë edhe unë dhe të tjerë më të rinj. Kjo bëri qe Lezha të shndërrohej papritur në një pikë reference dhe adresë “pelegrinazhi” për shumë poetë të rretheve të tjera, të etur për dimensione lirie në poezi. Ky është momenti kur cerberet e metodës zyrtare lëshuan anatemen e veshur me përçmim  për “shkollën e Lezhës”. Më vonë,  në liri, breza poetësh e kanë vlerësuar ndikimin  e  fortë të arealit poetik që krijua në Lëzhë, duke i dhënë qytetari, për lehtësi komunikimi, togfjalëshit “shkolla e Lezhës”, kësaj radhe në sensin pozitiv. Që siç e thashë ka qenë një mënyrë novatore të shkruari, por jo një shkollë nëkuptimin klasik të fjalës.

Gjithë diskutimit për shkollat letrare mendoj se i vë pikën maksima e famshme “vargu i mirë e humb shkollën”. Poezia është vërtetë një luftë e hershme e tëresë me të vjetrën pa shanse qe të  fitojë njëra e të humbasë tjetra.

5. Sipas jush, sa e kanë ndikuar poezinë dinamikat e jetës tuaj? Përgjithësisht, a e mban jeta e poetit rolin kryesor në krijimtarinë e tij?

Pjesa më e mdhe e poezisë botërore është shkruar në veten e parë, thotë Ezra Pound. Vetë  “Kënga e Këngëve” në Bibël është thurur në  pjesën e vet më të mrekullueshme si një dialog, pra, në vetën e parë, mes burrit dhe gruas.  “Soliloquy (monologu i unit lirik) është syri dhe mendja që bëhen skena ku zhvillohet gjithçka”, shkruan Gëzim  Basha.  Poeti është ndërkaq kurdoherë më shumë se vetvetja, është shumë e leximeve të asimiluara, që treten në stilin dhe zërin e tij unik. Ai flet në vetën e parë dhe në vetën e tretë njëkohësisht. Dhe anasjellta, kur shkruan në vetën e tretë ai është duke artikuluar në veten e parë gjithashtu.  Për t’u kthyer të pyetja juaj e drejtpërdrejtë, përgjigja ime është: Po, jeta e poeti mban rolin kryesor nëkrijimtarinë e tij.

6. Angazhimin publik, artisti mendoni se duhet ta ketë edhe brenda artit të tij apo të mëvetshëm? Pra, një art a duhet të jetë disi i angazhuar ose të mbartë ndonjë mision shoqëror apo këtë detyrë, kur zgjidhet prej tij, artisti mund ta kryejë përtej artit, në forume të tjera?

Vetë arti  është një formë e angazhimit publik për sa kohë i jepet publikut. Madje është forma më e lartë sepse i adresohet jo vetëm një brezi të caktuar, jo vetëm  bashkëkohësve por mbarë njerëzimit kur kemi të bëjmë me kryevepra. Arti si i tillë mban jetën në rrjedhë të shpirtërores. Ky është angazhimi i vetëvetishëm, i pakërkuar i artistit, poetit.  

Kam përshypjen se edhe angazhimi i kërkuar vjen vetvetiu. Pra, nuk është i kërkuar në kuptimin voluntarist të fjalës. Ky lloj angazhimi ndodh dhe përligjet në funksionin e drejtpërdrejtë utilitar të poezisë në rrethana të caktuara, të përligjura. Ka plot shembuj ku poezia e angazhuar si e tillë nuk e ka tradhëtuar natyrën e llojit. Kjo ka ndodhur kur autorët kanë shmangur bartjen e qëllimit në shprehje që fqinjërojmë me gjuhën e politikës, publicistikës, didaktikës, agjitacionit.  

7. Krijimtaria juaj është kryesisht në poezi, por nuk mungon proza, si për shembull romani “Nata”.Sikundër edhe kritika ka vërejtur, proza juaj e ka poezinë të ndërkallur; megjithkëtë, dua të di se çfarë plotnie gjeni në prozë që s’jua jep dot poezia?

Që prej fillimeve të mia kam shkruar paralelisht poezi dhe prozë, herë  duke i alternuar, herë njëkohësisht. E gjithë kjo më ka ardhur vevetiu. Nuk jam as i pari, as i fundit. Besoj nuk është nevoja të sjell shembuj që janë pa fund. Libri im me novela me titullin “Shëtitorja”, botuar në vitin 1990, citohet shpesh në forume online nga lexues dhe autorë të asaj kohe. I vetmi libër imi në italisht është një roman i shkurtër me titullin “Gruaja e  të gjithëve”, të cilin e kam botuar në vitin 1987.  Pas  vitit 1990 kam botuar disa romane si “ Kufiri”, “Gjyshi i tmerrshëm”, “Anjeza nuk u zgjua”, “Bija e vjetër e nënës së re” dhe  “Nata”. Edhe  kolana e librave të mi publicistikë për ngjarjet e tranzicionit, gjithësej nëntë tituj, është shkruar me një stil kryesisht letrar, madje dy prej tyre, si “Vera e përjetshme” (1996), Lufta Jocivile  (1997) mund t’i quaj romane me personazhe realë, ndërsa “Në kërkim të zgjedhjeve  të humbura” (2012) një përmbledhje me  katër novela.

Kam bërë më shumë emër, le të themi, si poet. Ndoshta me të drejtë. Ndoshta se jam promovuar nga kritika dhe media si i tillë.

Poezia dhe proza janë komplementare në korsitë reskektive. Që nuk janë drejtëza që nuk takohen. Përkundrazi. Në poezi ka kurdoherë elementë të kursyer të tregimit e përshkrimit. Dhe anasjelltas, proza e ka poezinë në zemër të saj siç ka minerali arin. Unë shkruaj prozë për të treguar ngjarje, subjekte, personazhe; shkruaj për t’u thelluar në brëndi të fateve njerëzore dhe ndërthurjes së tyre në paradigma që lexojnë dilema apo drama individuale apo shoqërore në rrethana konkrete.  Shkruaj prozë për të komunikuar me më shumë lexues. Unë e besoj bindjen kolderixhiane  se, duke dalluar nga mjetet dhe mënyrat e shprehjes, nuk ka diferencë mes gjuhes së prozës dhe asaj të vargjeve

Hovenier: SHBA-ja është e përkushtuar ndaj partneritetit me Kosovën

Nis edicioni i 11-të i Çmimit Letrar Kadare, Vera Bekteshi kryeson jurinë e re