Shkruan: Faruk Tashollli
“Këngëtarja kombëtare Shkurte Fejza, megjithëse më e dëgjuara, për kapriçio meskine, del të jetë edhe këngëtarja me e ndaluar. Nuk është vetëm kënga „Mora fjalë“ që iu ndalua në Air Albania. Ajo edhe këngën „Gur i Republikës“, kushtuar presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës, me muzikë po ashtu të të njëjtit autor si te „Mora fjalë“, pra të Naim Gjoshit, jo që e ka të ndaluar, por të zhdukur nga fonoteka e Radio Kosovës.
Kënga „Gur i pavarësisë“, edhe pse e realizuar në vitin 2008, asnjëherë nuk është emetuar as në RTK as në Radio Kosovë si institucione publike. Kjo flet sa janë të privatizuara institucionet shqiptare ku veprojnë njerëz joinstitucional e paguhen nga taksapaguesit e shtetit.Si duket, këngëtares sonë zulmëmadhe Shkurte Fejza, i ka rënë fati ta përcjell cenzura e egër sa në sistemet diktatoriale, sa në këto demokratike kah kaluan e po kalojnë shqiptarët. Ajo ishte e ndaluar në vitet 1981-1983. Këngët e saj u cenzuruan edhe nga1983 deri në vitin 1990.
U dënua edhe për këngën himn „Xhamadani vija-vija“, të kompozitorit Zef Çoba, iu konfiskuan albumet dhe u dënua nga gjyqet jugosllave. Por megjithatë, për 50 vjet karrierë, Shkurte Fejza është këngëtarja që më së shumti u ndalua dhe më së shumti u dëgjua në botën shqiptare. Lisat e mëdhenj dhe të lartë gjithmonë i godet rrufeja, por nuk mund t’i rrëzojë për toke. As këngët për figurat dhe temat madhore kombëtare nuk do të bien për toke, por as këngëtarja Shkurte Fejza nuk mposhtet që me ashk të zemrës i këndoi ato.