in

Satirë:Kurti si organizator i Banjskës!

Sherif Ramabaja

Po mos të kishte ndodhur akti tjetër i sulmit me eksploziv në Ibër – Lepenc, do të kishte mbetur pa u zbuluar se organizatori i Banjskës ishte Albin Kurti.

Siç po zbulohet tani, çdo gjë që ka ndodhur dhe po ndodh në veri është planifikuar dhe po planifikohet mes Vuçiqit dhe Kurtit.

 Këtë po e trumbeton rregullisht kryetari i AAK dhe ish luftëtari Ramush Haradinaj. Pse e thotë këtë, apo ku bazohet dhe çfarë faktesh ka ofruar, mbetet të shihet.

Ramush Haradinaj ka planifikuar që në të ardhmen ta shkruaj edhe një biografi për Kurtin dhe aty ti thotë të gjitha.

Biografia me siguri do ta përfshij edhe kohën e demonstratave të vitit 1989, ku Kurti me frizurën e tij, me flokët kaqurrela, binte në sy nëpër mediat elektronike të kohës. Si duket nga ajo kohë Kurti ishte si një bashkëpunëtor i UDB, po më mirë ta presim biografinë e Ramushit që të na tregoi më saktësisht se si qëndronte puna.

Apo kohën e burgut prej nga Albin Kurti jepte intervista të ndryshme, për media të huaja. Edhe këtu lind pyetja se a ishte vërtetë Kurti i burgosur, apo gjithçka ishte e inskenuar.

Në biografinë e Ramush Haradinajt nuk do mungoi edhe koha e luftës, ku Kurti me Demaçin ishin sabotuesit e saj, por gjerësisht do të përshkruhet koha prej kur ai e mori pushtetin.

E kaluara mbetet e kaluar, por tash gjithçka është e freskët. Ai të gjitha ngjarjet po i inskenon, po i koordinon me Vuçiqin vetëm që ta ruajnë pushtetin, ai në Beligrad e ky në Prishtinë.

Unë para ca javësh isha për vizitë në Amerikë, po si qëndron puna me Kurtin. Atë prej kur e rrëmbeu pushtetin, jo që se ka ftuar Amerika në vizitë, po e kanë injoruar. E ka injoruar ambasadori amerikan në Prishtinë, Hilli në Beligrad, e ka injoruar EU me Borrellin, Lajçakun e Stanon. Dhe jo vetëm që e kanë injoruar, po për shkak të tij, Kosovën EU e ka vu nën sanksione.

Çdo ditë gënjen se veriun e ka vënë nën kontroll, pasi atje ka vu regjim policor. Populli po sheh se si serbët i përzuri nga institucionet. Ua mbylli bankat. I largoi policinë nga shërbimi. Gjithçka e ka paralizuar. I organizoi protestat ndaj KFOR – it, vetëm ta përshkruante gjendjen kritike, pranë shpërthimit. E organizoi Banjskën, që ta fajësonte Serbinë, ndërsa Vuçiqi të ndërmerrte hapa të deeskalimit, gjoja se pa rolin dhe angazhimin e tij, Ballkanit do t´i dilte flaka.

Të gjitha ishin të programuara, po kulmi u arrit tash me sulmin në Iber – Lepenc. Zonja Hoxha këtë e përshkroi si, shpërthimet e Albinit. Diçka të njëjtë deklaruan edhe nga LDK, PDK, AAK etj. Pra unë nuk jam i vetmi që po paraqes fakte të tilla. E vërteta do del sheshit.

Populli do i mësoi të gjitha. Biografia ime për Kurtin, do i përfshij dhe përshkruaj gjerë e gjatë të gjitha këto ngjarje.

Populli nuk ha bar dhe do të mendoi se kujt t´ia jap votën. Atyre të cilët kanë sakrifikuar dhe po sakrifikojnë për atdhe e për këtë popull të vuajtur, apo atyre të cilët me manipulime e mashtrime punojnë për interesa të armiqve tanë.

 Mars Rover (Satirë)

Putini e Vuçiqi, intensifikojnë sulmet ndaj infrastrukturës në Ukrainë e Kosovë

1689 vjet pas Krishtit