in

Bullgaria e pengon futjen e Maqedonisë në BE

Viktor Orbán: BE gaboi që ndau Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut

Kryeministri i djathtë i Hungarisë Viktor Orbán akuzoi zyrtarët e Bashkimit Evropian se po dëmtojnë “krenarinë kombëtare” të Maqedonisë së Veriut duke vonuar përpjekjet e këtij vendi për t’u bashkuar me bllokun. Gjatë një vizite në Maqedoninë e Veriut, Orbán u ofrua gjithashtu të ndërmjetësojë me Bullgarinë, anëtare të BE-së, mosmarrëveshjet me Shkupin për historinë.

“Ne jemi këtu për të ofruar zgjidhjet më të mira” – tha ai, gjatë një konference për shtyp me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski. Komentet e Orbanit pasuan raportet se ambasadorët e BE-së që u takuan në Bruksel të mërkurën vendosën të çojnë përpara procesin e pranimit të Shqipërisë fqinje, ndarazi nga ai i Maqedonisë së Veriut. Deri më tani, të dy vendet kishin lëvizur së bashku.

Orbán, një populist që ka qeverisur Hungarinë, anëtare të BE-së që nga viti 2010, tha se do të ishte “gabim i madh” të ndaheshin dy rrugët. “Ajo që po serviret (nga BE-ja) është një goditje për krenarinë kombëtare të Maqedonisë së Veriut”, – tha Orbán.

BE filloi bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në vitin 2022 pasi lufta në Ukrainë detyroi një rishikim të procesit të zgjerimit të bllokut. Por mosmarrëveshja me Bullgarinë vonoi ftesën për Maqedoninë e Veriut. Për të zgjidhur ngërçin, qeveria e mëparshme e qendrës së majtë në Shkup ra dakord të fuste në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut një referencë për një pakicë etnike bullgare.

Megjithatë, asaj i mungonte shumica parlamentare për ta bërë këtë, dhe qeveria e re konservatore e Mickoski thotë se do të ndryshojë kushtetutën vetëm nëse Bullgaria miraton fillimisht anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Mickoski ka akuzuar BE-në se po përpiqet të “diktojë” se çfarë duhet të bëjë vendi i tij.

“Ne nuk duhet të humbasim shpresën,” tha ai të premten. “Më vjen keq që kjo po ndodh dhe që ne do të jemi sërish viktimë e çështjeve dypalëshe”. Udhëheqësi hungarez, me një duzinë ministrash të kabinetit, nisi të enjten një vizitë dyditore në Maqedoninë e Veriut. Bisedimet përfshinin bashkëpunimin ekonomik dhe migrimin ilegal. Në konferencën për shtyp të së premtes, Orbán ritheksoi gjithashtu mbështetjen e tij për Donald Trump për presidencën e SHBA.

“Nëse kemi një president të fortë në Shtetet e Bashkuara, atëherë do të kemi paqe, nëse kemi një president të dobët, atëherë do të kemi luftë,” tha ai.

Aksioni në Pejë, Sveçla: Vendi i kriminelëvë të tillë është prapa grilave

Persona të maskuar dhunojnë M. Sejdinin kreun e Federatës së Futbollit të RMV