in

Pse u arrestua në Francë miliarderi rus i “Telegramit”

Pavel Durov, miliarderi me origjinë ruse, bashkëthemeluesi i aplikacionit të mesazheve Telegram, u arrestua në Francë në lidhje me një hetim mbi aktivitetin kriminal në këtë platformë, por edhe mungesën e bashkëpunimit me autoritetet. Durov, i cili ka nënshtetësi franceze, u ndalua në aeroportin Le Bourget, pak jashtë Parisit, të shtunën në mbrëmje pasi mbërriti nga Azerbajxhani me avionin e tij privat. Arrestimi i tij i befasishëm ka ngjallur debat mbi lirinë e fjalës në mbarë botën dhe ka shkaktuar edhe një protestë në Moskë.

Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau tha se hetimi kishte të bënte me krime që lidhen me transaksionet e paligjshme, abuzimin seksual të fëmijëve, mashtrimin dhe refuzimin për të dhënë informacione tek autoritetet. Më herët gjatë ditës, presidenti francez, Emmanuel Macron, dha konfirmimin e parë se Durov ishte arrestuar si pjesë e një hetimi gjyqësor në lidhje me Telegram.

“Në një shtet të sunduar nga ligji, liritë ruhen brenda një kuadri ligjor, si në mediat sociale ashtu edhe në jetën reale, për të mbrojtur qytetarët dhe për të respektuar të drejtat e tyre themelore” – shkroi Macron në X, duke shtuar se arrestimi nuk ishte “në asnjë mënyrë një vendim politik”. “I takon gjyqësorit, në pavarësi të plotë, të zbatojë ligjin” – tha ai.

Një zyrtar i lartë në Ofmin, një agjenci franceze e krijuar vitin e kaluar për të parandaluar dhunën ndaj fëmijëve, tha se arrestimi i Durov ishte i lidhur me dështimin e Telegram për të luftuar siç duhet krimin në aplikacion, duke përfshirë përhapjen e materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve. “Në qendër të këtij rasti është mungesa e moderimit dhe bashkëpunimit të platformës (e cila ka pothuajse 1 miliard përdorues), veçanërisht në luftën kundër krimeve kundër fëmijëve”, – shkroi Jean-Michel Bernigaud, sekretari i përgjithshëm i Ofmin.

Beccuau tha se Durov u arrestua si pjesë e një hetimi që u hap më 8 korrik pas një hetimi paraprak nga oficerët e Juridiksionit Kombëtar për Luftimin e Krimit të Organizuar (Junalco). Detektivët e specializuar të krimit kibernetik dhe mashtrimit po shqyrtojnë 12 vepra të dyshuara të lidhura me krimin e organizuar, duke përfshirë bashkëpunimin në posedimin dhe shpërndarjen e imazheve të fëmijëve të “natyrës pedo-pornografike”, veprat penale të drogës dhe mashtrimin. Nuk është e qartë se për cilën nga veprat e supozuara, policia po merr në pyetje Durovin.

Të dielën, magjistrati hetues zgjati paraburgimin e Durovit nga 24 në 96 orë. Në një deklaratë të dielën në mbrëmje, Telegram tha se Durov nuk kishte “asgjë për të fshehur”. “Telegrami u përmbahet ligjeve të BE-së, përfshirë Aktin e Shërbimeve Dixhitale. Moderimi i tij është brenda standardeve të industrisë dhe po përmirësohet vazhdimisht. Është absurde të pretendosh se një platformë ose pronari i saj janë përgjegjës për abuzimin e asaj platforme.”

Durov, i vetëquajtur shpesh si Mark Zuckerberg i Rusisë”, u largua nga Rusia në vitin 2014 pasi refuzoi të përmbushte kërkesat e Kremlinit për të mbyllur grupet e opozitës në rrjetin social VK që ai themeloi kur ishte 22 vjeç. Ai u detyrua të shiste VK pas një mosmarrëveshjeje me pronarët e tjerë të lidhur me Kremlinin dhe e ktheu fokusin e tij tek Telegram, aplikacionin që ai themeloi me vëllain e tij Nikolai në 2013. Durov, i cili jeton në Dubai, mori pasaportën franceze në 2021 përmes një procedure të veçantë për të huajt e profilit të lartë duke i përjashtuar ata nga kërkesat e zakonshme ligjore, duke përfshirë të kenë jetuar në vend për të paktën 5 vjet.

Telegrami është përdorur prej kohësh nga aktivistët pro-demokracisë në vende si Bjellorusia, Hong Kongu dhe Irani. Në Rusi, Kremlini u detyrua të hiqte një ndalim për aplikacionin e përdorur gjerësisht pasi u përpoq pa sukses ta kufizonte atë për vite me radhë. Por ndërkohë ai është bërë edhe një strehë për ekstremistët dhe teoricienët e konspiracionit. Aplikacioni u përdor gjithashtu gjerësisht nga agjitatorët e ekstremit të djathtë që komplotonin tubime kundër imigracionit në Angli dhe Irlandën e Veriut pas sulmit me thikë të tre fëmijëve në një klasë kërcimi në Southport muajin e kaluar. Telegram ka mohuar pretendimet se platforma e tij lehtëson aktivitete të paligjshme si terrorizmi, mashtrimi dhe shfrytëzimi i fëmijëve.

Megjithëse Durov ishte përplasur më parë me Kremlinin, arrestimi i tij ka shkaktuar zemërim në Moskë dhe është portretizuar nga zyrtarët rusë si një rast i hipokrizisë perëndimore në lidhje me lirinë e fjalës. “Arrestimi i Pavel Durov konfirmoi se nuk ka pasur liri evropiane apo edhe globale (pro-perëndimore) të fjalës”, tha Sergei Mironov, një ultra-nacionalist rus veteran, politikan dhe aleat i Vladimir Putinit. Maria Butina, një ligjvënëse ruse e cila kaloi 15 muaj në një burg të SHBA-së për rolin si agjente e paregjistruar ruse, tha se Durov “është një i burgosur politik – viktimë e një gjueti shtrigash nga perëndimi”.

Ambasada ruse në Francë tha se kishte kërkuar qasje konsullore për Durov, por përfaqësuesit e tij nuk u përgjigjën. Arrestimi i Durov ka rikthyer debatet në lidhje me përgjegjësinë e kompanive të teknologjisë së mediave sociale për përmbajtjen e shpërndarë në platformat e tyre dhe nëse ato duhet t’i japin përparësi sigurisë dhe të bashkëpunojnë me autoritetet mbi mbrojtjen e fjalës së lirë. Elon Musk, një i vetë-përshkruar “absolutist i fjalës së lirë”, dënoi arrestimin e Durov, duke pretenduar se liria e fjalës në Evropë ishte nën sulm. ©The Guardian,

Luftë kundër islamizmit: Scholz paralajmëron valë dëbimesh emigrantësh nga Gjermania

Fuqia e lëngut të kumbullës për tretjen e mirë dhe shëndetin e stomakut, ja si ta përgatisni në shtëpi