in

Gazetarët ukrainas festojnë në Prishtinë

Kosova i ka qëndruar afër dhimbjes së Ukrainës qysh nga agresioni rus 30 muaj më parë. Edhe sot gazetarët ukrainas festuan në vendin që i strehoi e ua hapi dyert pas largimit nga vendlindja për shkak të luftës.

Iryna Sunelnyk, gazetarja ukrainase, dy vite më parë la atdheun e saj në luftë për t’u strehuar në Kosovë.

Nën emocion, sot, kur vendi i saj feston ditën e pavarësisë, ajo nuk e di se kur do të kthehet në vendin e saj.

 “Vetëm Zoti e di se kur do të përfundoj lufta, por shpresojmë që kjo të ndodhë sa më shpejt, shpresoj që vitin tjetër të festojmë në Ukrainë për pavarësinë e shtetit tim, bashkë me miqtë tanë nga Kosova”, tha Iryna Sunelyk, gazetare.

Iryna thotë se Kosova për të është bërë shtëpi e dytë, por trishtimi që po festojnë pavarësinë e shtetit të tyre në luftë është i madh.

“Është një festë e trishtuar për të gjithë ukrainasit, sepse lufta në vendim tim po vazhdon, por ne i jemi mirënjohës popullit dhe shtetit të Kosovës, për mbështetjen e sinqeritetin që kemi gjetur këtu, sepse ju si askush tjetër e kuptoni popullin ukrainas nëpër atë që po kalon. Kosova për në u bë shtëpi e dytë”, tha ajo.

Iryna bashkë me disa gazetarë të tjerë që shteti i Kosovës i strehoi përkohësisht, në prill të vitit 2022, pas fillimit të agresionit rus mbi Ukrainën, festuan sot pavarësinë e vendit të tyre, në kohën kur forcat e shtetit të tyre po kryejnë një ofensivë befasuese në rajonin Kursk të Rusisë, në kufi me Ukrainën.

Bashkë me gazetarët ukrainas festuan edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës që implementojnë projektin që ka mundësuar strehimin e homologëve të tyre në Prishtinë.

 “Është shumë me rëndësi për në si AGK, që sot të festojmë bashkë ditën më të rëndësishme të shtetit tuaj, dhe jemi të lumtur që si Kosovë kemi arritur t’ju ofrojmë siguri që ju të vazhdoni të bëni punën tuaj profesionale”, tha Xhemajl Rexha, kryetar i AGK-së.

Në festën e gazetarëve ukrainas u pa edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, e juristja e medias, Flutura Kusari.

 “Fatkeqësisht kjo luftë po vazhdon, por unë sot nuk dua të flas për luftën, dua të flas për solidaritet që shoh në Kosovë dhe në gjithë Evropën për Ukrainën”, tha Jorn Rohde, ambasador i Gjermanisë në Kosovë.

“Ne nuk ju duam këtu si refugjatë, ne ju duam këtu edhe si turistë, ose si banorë të Kosovës, nëse doni të jetoni këtu e të punoni këtu. Ne shpresojmë që më 2025, nëse jo më herët, të bëhet e mundur që ju të ktheheni në shtëpi, kështu që pavarësinë e vendit tuaj ta festoni në Ukrainë bashkë me ne”, tha Flutura Kusari, juriste e medias.

Kosova është rreshtuar krah Perëndimit, duke i vënë sanksione Rusisë për luftën e nisur më 2022 në Ukrainë. Po në këtë kohë Qeveria kishte marrë vendim për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas. 

Një hero i panjohur dhe pothuajse i harruar

Apel publik për financim për realizimin e projektit për vendosjen e bustit të Gani Beg Kryeziut në Gjakovë