Sherif Ramabaja
Serbia, qysh para dy vitesh, ishte shteti i parë në botë që e kishte lajmëruar se Ukraina e sulmoi Rusinë, por askush se kishte besuar.
Tash kur pas dy vitesh u zbulua se Serbia kishte të drejtë, po krenohet Vuçiqi dhe ekipi i tij qeveritar, që e kishin thënë një të vërtetë të pamohueshme. Në fakt, ky zbulim tash po merret si sensacion rajonal, evropian dhe botëror. Putini, po flitet e shkruhet se, u turpërua para tërë botës.
Zelensky me ushtrinë e tij, ka filluar pushtimin e Rusisë. Çështja është se ku do të ndalet tash ai, apo a do arrij para portave të Moskës.
Do ta demokratizoi Ukraina Rusinë, do ta burgos Putinin, apo do ta çliroi tërë Evropën nga stalinizmi apo fashizmi rus? Këto janë pyetjet të perëndimorëve që po e preokupojnë Kinën, Korenë Veriore, Venezuelën, Bjellorusinë, Serbinë, Republikën Serbe të Dodikut etj.
Si do t´ia bëjnë këto shtete dhe këta lider pa Putinin dhe pa Rusinë, e cila zotohej për një Rend të Ri Botëror.
Cili do ta marr rolin e Putinit, Mullat e Iranit, Maduro, Lukashenko, Kim Jong – un, Vuçiqi, Dodiku, Vulin, Daçiqi, Shefqet Krasniqi, Trumpi, Radojçiqi, Baton Haxhiu, Gjuriqi etj.
Çështja pra është serioze. Sot po përjetojmë atë që deri dje ishte e pabesueshme: Ukraina e filloi pushtimin e Rusisë dhe po bënë kërdi. Kush do ta kishte menduar këtë.
Edhe Inteligjenca amerikane CIA, mbet pa tekst. Këtë s´mund ta merrte me mend askush. Putini po turpërohet. Putinit i shkoi fytyra. Rusia po pushtohet etj. Janë këto lajmet dhe titujt e gazetave të agjencive botërore, që po jepen dhe përsëriten çdo minutë.
Zelensky pak para se të fillonte me pushtimin, deklaroi se luftën do ta bartim në Rusi, po askush nuk e mori seriozisht deklaratën e tij. Dhe vërtet, ata u nisën. Do ta çlirojmë Rusinë nga fashizmi i Putinit, thanë.
Kjo mund të mbetet e paqartë. Ndoshta Ukraina s´është e interesuar që ta pushtoi Rusinë fare. Putinin do të mund ta burgosin, sepse edhe ashtu kërkohet nga Gjykata për Krime Lufte në Hagë. Kryesore, llogaritet se populli rus do ta përmbyste diktaturën.
Pyetja rrënjësore për shqiptarët do të ishte se çfarë do të ndodhte me Serbinë, e cila është një satelit i Rusisë? Çfarë mund të ndodhte me Republikën serbe në Bosnje, apo çfarë pritet të ndodh me Mal të Zi, Maqedoninë, Kosovën Lindore, Sanxhakun (Jeni Pazarin) etj.
Ukraina është tepër e nxënë me Putinin dhe Rusinë, që të merrej edhe me Ballkanin e Serbinë. Do të ishte e logjikshme që ta gjej një partner të besueshëm, në mënyrë që t´ia besoi këtë detyrë dikujt nga Ballkani.
Sipas burimeve të pakonfirmuara, u kuptua se Ukraina këtë detyrë të shenjtë me dëshirë do t´ia besonte Kosovës, me arsyetimin se që të dyja kishin përjetuar të njëjtin fat, nga Rusia dhe Serbia.
Është shumë e sigurtë se, ndaj një vendimi të tillë do të reagonin Maqedonia dhe Mali i zi, kurse me rëndësi shumë të madhe do të ishte edhe qëndrimi i Shqipërisë, e cila ende nuk ishte deklaruar.
Punët tërësisht ende nuk janë sqaruar, sepse varet se si do të zhvillohen ngjarjet brenda Rusisë, megjithatë është mirë që të ketë qartësi, se si mund të rrjedhin gjërat.
E paparashikueshme do të ishte, si do të reagoi Vuçiqi në rrethana të tilla, sapo ta kuptoi se nuk mund të mbështetet tutje në Putinin dhe Rusinë.
Mendohet se do të thërras konferenca të një pas njëshme shtypi. Serbia është në rrezik, do të deklaroi. Unë jam i kërcënuar nga shkaku se po e mbroj popullin serb dhe Serbinë, do të thotë tutje.
Për ta shpëtuar pushtetin e tij do të ishte i gatshëm që menjëherë të hiqte dorë nga Kosova, duke e njohur pavarësinë e saj.
Serbia është në Evropë dhe ne do të bëhemi pjesë e EU. Unë e kam furnizuar Ukrainën me armë dhe e kam dënuar aneksimin e saj, do të përpiqet të krenohet Vuçiqi.
Masat e tij, përkundër nënshtrimit, mund të jenë të vonuara. Në këtë rast të gjitha veprimet e tij, mund të vihen në pikëpyetje. Megjithatë ai do të përpiqet të shpëtoj, atë që është e mundur.
Mars – Rover (Satirë)