in

Rusia përhap dezinformata për Parisin

Aktori në videon muzikore virale që denoncon Lojërat Olimpike të 2024-ës i ngjan shumë Presidentit francez Emmanuel Macron. Megjithatë, imazhet e minjve, plehrave dhe ujërave të zeza janë krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale.

Videoja qe e portretizon Parisin si një vend me nivel të lartë krimi dhe tallet me Lojërat Olimpike u përhap me shpejtësi në platformat e mediave sociale si YouTube dhe X, me ndihmën e 30,000 mijë aplikacioneve autonome të mediave sociale të lidhura me një grup famëkeq dezinformimi rus, i cili edhe më parë e kishte vënë në shënjestër Francën. Brenda disa ditësh, me ndihmën e inteligjencës artificiale videoja u përkthye në 13 gjuhë të ndryshme.

“Paris, Paris, 1-2-3, shko dhe urino në lumin e Senës”, tallej një personazh i krijuar me inteligjencë artificiale, ndërsa aktori i rremë që i ngjante Presidentit Macron kërcente në sfond. Kjo duket se ishte një referencë për shqetësimet mbi cilësinë e ujit në lumin e Senës, ku po zhvillohen disa gara noti të Lojërave Olimpike.

Moska po e bën të ndjehet prania e saj në Lojërat Olimpike të Parisit përmes grupeve të lidhura me qeverinë ruse, që përdorin dezinformimin në internet dhe propagandën shtetërore për të përhapur pretendime, që synojnë të nxisin tensione dhe dhunë, si dhe për të sulmuar vendin mikpritës.

Vetëm një numër i vogël atletësh rusë është lejuar të garojë në Lojërat Olimpike në Paris me status neutral. Një reagim i tillë i Kremlinit ishte pothuajse i pritshëm, pas ndalimit të sportistëve rusë që të garojnë nën flamurin e vendit të tyre pas pushtimit të Ukrainës, thotë Gordon Crovitz, bashkëthemelues i “NewsGuard”, një firmë që analizon dezinformatat në internet. Kjo firmë ka gjurmuar dhjetëra shembuj të dezinformatave që kanë në shënjestër Lojërat Olimpike të Parisit, duke përfshirë videon e rreme muzikore.

Fushata e dezinformimit e Rusisë që ka në shënjestër Olimpiadën dallohet për aftësitë e saj teknike, thotë zoti Crovitz.

“Ajo që është ndryshe tani është se ata janë ndoshta përdoruesit më të avancuar të modeleve të krijimit të përmbajtjeve keqdashëse me ndihmën e inteligjencës artificiale, përfshirë video të rreme, muzikë false dhe faqe interneti të rreme”, thotë ai.

Inteligjenca artificiale mund të përdoret për të krijuar fotografi, audio regjistrime dhe video inçizime, për të përkthyer tekste me shpejtësi dhe për të krijuar përmbajtje, që u përshtatet kulturave specifike, e që duken sikur të jenë krijuar nga një njeri. Puna dikur e lodhshme për të krijuar llogari të rreme në rrjetet sociale apo faqe të internetit dhe për të shkruar postime tani mund të bëhet më shpejt dhe më lirë.

Një video inçizim që po qarkullon këtë javë pretendon që Agjencia Qendrore amerikane e Zbulimit, CIA dhe Departamenti amerikan i Shtetit kanë paralajmëruar amerikanët të mos shfrytëzojnë metron e Parisit. Një paralajmërim i tillë nuk është bërë dhe autoritetet franceze më vonë konfirmuan se ky video inçizim u krijua nga një grup i lidhur me qeverinë ruse, që me gjasë përdori inteligjencën artificiale.

Gjatë fundjavës, rrjetet e dezinformimit të lidhura me Kremlinin shfrytëzuan përçarjet që u krijuan rreth boksieres me prejardhje algjeriane Imane Khelif, e cila u ballafaqua me pyetje të pabaza rreth gjinisë së saj. Sportistja Khelif është identifikuar si femër në momentin e lindjes, por pretendime të pabaza se kinse ajo është mashkull apo transgjinore dolën në sipërfaqe pasi një shoqatë kundërthënëse boksi me lidhje ruse deklaroi se ajo nuk e kishte kaluar testin e përshtatshmërisë para kampionatit botëror të boksit vitin e kaluar.

Rrjetet ruse amplifikuan debatin, që shpejt u bë ndër çështjet kryesore në internet. Mediat britanike, shkrimtarja J.K. Rowling dhe politikanët e së djathtës së skajshme si Donald Trump u bën pjesë e bujës. Në kulmin e saj javën e kaluar, çështja e boksieres pati dhjetëra mijëra postime brenda orës nga përdoruesit e rrjetit social X, sipas analizës së kompanisë ‘PeakMetrics’, që hulumton teoritë e shpërndara në internet.

Shoqata e boksit që i nisi këto pretendime – Shoqata Ndërkombëtare e Boksit – një organizatë që është ndaluar përgjithmonë nga pjesëmarrja në lojërat olimpike, udhëhiqet nga një drejtues rus, i cili është aleat i Presidentit rus Vladimir Putin dhe sponsorizuesi më i madh i saj është kompania shtetërore ruse Gazprom. Vendimi i saj për të diskualifikuar boksieren Khelif vitin e kaluar, pasi ajo mundi një boksiere ruse, është vënë po ashtu në dyshim.

Media shtetërore ruse ka shpërndarë lajme të rreme dhe përmbajtje mashtruese. Në vend që të mbulonin garat olimpike, shumica e njoftimeve të mediave ruse nga Parisi kanë të bëjnë me krimin, imigracionin, plehrat dhe ndotjen.

Një artikull në agjencinë e lajmeve “Sputnik” shkruante: “Lojërat e Parisit padyshim që po shkojnë ujë. Ja një ide. Mjaft ia dhatë organizimin e Lojërave Olimpike perëndimit të kalbur dhe me nivel të ulët moral”.

Rusia ka shfrytëzuar propagandën për të përçmuar Lojërat e mëparshme Olimpike, siç ka bërë Bashkimi Sovjetik kur i bojkotoi ato që u mbajtën në Los Anxhelos në vitin 1984. Në atë kohë, Moska shpërndau materiale tek zyrtarët e Lojërave Olimpike në Afrikë dhe Azi ku thuhej se atletët të cilët nuk i përkasin racës së bardhë do të sulmohen nga racistët në Shtetet e Bashkuara. Kjo u tha në një analizë të “Microsoft Threat Intelligence”, njësia brenda gjigantit teknologjik ‘Microsoft’ që studion individët me qëllime të këqija në internet.

Rusia ka kryer edhe sulme kibernetike ndaj Lojërave Olimpike të mëparshme.

“Nëse ata nuk mund të marrin pjesë, apo të fitojnë në këto lojëra, atëherë bëjnë përpjekje që t’i përçmojnë garat ndërkombëtare në mëndjet e pjesëmarrësve, spektatorëve dhe audiencës globale”, thonë analistët e kompanisë “Microsoft”.

Qeveria ruse nuk iu përgjigj të hënën kërkesës për një koment mbi këtë çështje.

Autoritetet në Francë kanë qenë në gjendje të lartë gatishmërie për sabotime të mundshme, sulme kibernetike apo lajme të rreme që vënë në shënjestër lojërat. Një burrë 40 vjeçar rus është arrestuar në Francë muajin e kaluar. Ndaj tij është ngritur akuzë se punon për një fuqi të huaj që ka për qëllim destabilizimin e vendit evropian para Lojërave Olimpike.

Vende të tjera, grupe kriminale dhe organizatat ekstremiste gjithashtu po keqpërdorin Lojërat Olimpike që të shpërndajnë lajmet e tyre të rreme. Çdo ngjarje me përmasa globale si Lojërat Olimpike apo fatkeqësi mjedisore apo edhe mbajtja e zgjedhjeve të rëndësishme, që tërheq vëmendjen e shumë njerëzve në internet, zakonisht krijon sasi të madhe lajmesh të rreme dhe mashtrime, thotë Mark Calandra, zëvendës kryetari i “CSC Digital Brand Services”, një firmë që vëzhgon aktivitetet mashtruese në internet.

Studiuesit e kësaj firme kanë vërejtur një rritje të madhe të regjistrimit të faqeve të internetit me emra jo të vërtetë, pak para fillimit të Lojërave Olimpike. Në shumë raste, janë regjistruar faqe interneti që ofrojnë përmbajtje të Lojërave Olimpike, apo që shesin materiale që kanë të bëjnë me këto lojëra.

Mirëpo, në të vërtetë ato janë krijuar për të mbledhur informacion mbi përdoruesit e faqes. Ndonjëherë është një mashtrues që kërkon të vjedhë të dhënat personale financiare. Në raste të tjera, faqet përdoren nga qeveritë e huaja për të mbledhur informacion mbi amerikanët ose si një mënyrë për të përhapur më shumë lajme të rreme.

“Individët e këqij i shfrytëzojnë këto ngjarje globale”, tha zoti Calandra. “Pavarësisht a janë ngjarje pozitive si Lojërat Olimpike apo më shumë shqetësuese, këta njerëz përdorin ndërgjegjen dhe interesin e shtuar të të gjithëve për t’i shfrytëzuar ato.”/VOA

Kurti: Vuçiq po mundohet të krijojë atmosferë frike, me akuza të rreme

Vuçiq: Kurti rrezik për Serbinë, gjatë fushatës zgjedhore amerikane!